>
BIOSHQIP

Prindërit E Adrian Gaxhës Duan Shumë Nipa E Mbesa

23-03-2014
"Pas shumë vitesh e pranoj se edhe po të më thonin të martohem përsëri do e merja Suzen. Të më durojë mua me gjithë atë temperament, me dinamikë të jetës, nuk do kishte mundur askush përpos Suzes", kështu e fillon rrëfimin e tij mbi martesën shumë vjecare, Emini babai i këngëtarit të njohur Adrian Gaxha. Me bashkëshorten e tij Suzen, janë në martesë më shumë se 37 vite dhe nga kjo dashuri kanë dy djem, Dritonin dhe Adrianin. Fat i tyre ka qenë takimi në bibliotekën universitare.

"U dashurova tek ajo sapo e pash. Ishte femra e parë shqiptare që më mahniti. Thash me vete, kjo do jetë e imja dhe asgjë nuk më interesonte. Tek ajo më pëlqyen sytë dhe flokët, e në atë kohë dukej shumë moderne. Vinte nga një familje e pasur, jetonte në vilë ndërsa unë në një apartament prej 37m2. I ati im ishte farmacist kurse i asaj funksioner shtetërorë. Por nuk ishin paratë që na lidhën por thjeshtësia dhe bukuria e saj", thekson Emini. Suze prapë thekson se nuk është lehtë të qëndrosh në një martesë 37 vite, sepse dashuria kërkon shumë sakrifica dhe balancime.

"Kisha vetëm 17 vjet ndërsa Emini 21. Isha shumë e turpshme dhe nuk kisha të dashur. Babai im ishte polic dhe jetoja nën diktaturë, dalje deri në ora 9 dhe në shtëpi. Të gjitha shoqet e mia kishin të dashur dhe thosha edhe unë të bëj një. Disa muaj me radhë më është vënë prapa, shtatë muaj ishim së bashku dhe u martuam. Tek Emini më pëlqen karizma, pozitiviteti i tij. Me 21 vite sa kishte e rrita unë, në vend që ta rriste e ëma e tij. Të gjitha problemet që duhej e ëma e tij t'i përjetonte i përjetova unë, në moshën 18 vjeçare u bëra amvise, bashkëshorte dhe nënë njëkohësisht", thekson Suze.

"Jeta ime ishte shumë dinamike, por kam qenë shumë i lumtur që më ka dhënë Zoti një grua si ajo të durojë temperamentin tim. Kishim shumë mosmarrëveshje, jemi me karaktere të ndryshëm por u gjendëm në të njëjtin kur filluan të rriten fëmijët. Vetëm atë periudhë nuk kishim probleme sepse në pyetje ishin fëmijët. Fjaloseshim vetëm kur më thoshte se isha shumë i ashpër me to. Por ja, Dritoni është në violën e parë në Filharmoninë europiane ndërsa Adriani tashmë shihet ku është. Të ishim njëjtë do eksplodonim, ndonjëherë kur mblidhemi për darkë Adriani thotë, nuk mund të kuptoj se si i ke bë 37 vite me Eminin.

Tash ne jemi në fazën e qetësisë së martesës dhe i shijojmë sukseset e tyre, ju dëshirojmë shumë shëndet, të festojnë përvjetore dhe presim shumë nipa e mbesa", përfundon rrëfimin nëna e Adrianit.

Adriani, "njeriu duhet të eksperimentojë gjëra të bukura"

E ndërkohë ish e dashura e tij tashmë po futet në skenën shqiptare edhe si këngëtare, dhe po shihet si një konkurrencë e fortë mes këngëtareve, ne shfrytëzuam rastin që të pyesim Adrianin në lidhje me hapat e ndërmarë të Luanës në muzikë. ''Luanës në lidhje me muzikën i dëshiroj vetëm suksese'', thotë Gaxha, por i pyetur nëse i ka dëgjuar këngët e saja ose nëse do bënte ndonjë këngë për të në studion e tij, ai përgjigjet nën një buzëqeshje: ''S'kam koment, çfarë pyetje, më bëre me qesh, vërtetë nuk di çfarë përgjigje të jap'', thekson këngëtari i cili shton më tej: ''Është një gjë normale dhe e bukur kur njeriu eksperimenton edhe gjëra tjera në jetë, jeta duhet të jetë argëtim më shumë'', përfundon bisedën e shkurtër Adriani i cili për momentin është beqarë.
(Express)

Prindërit E Adrian Gaxhës Duan Shumë Nipa E Mbesa