>
BIOSHQIP

Alban Skenderaj Mohon Akuzat Per Kopjim

18-11-2012
Në festivalin "Kënga Magjike", fakti që kolegët votojnë njëri-tjetrin ka bërë që shpesh publiku të mos jetë 100% dakord me çmimin e parë. Mirëpo sivjet nuk qe kështu. Në harmoni të plotë, publiku në sallë, këngëtarët, dhe me siguri edhe ata që shihnin nga shtëpia, zgjodhën "Refuzoj" si këngën më të mirë të këtij festivali.

Ke thënë se ishe në dilemë sa i takon pjesëmarrjes në "Kënga Magjike"... Ku qëndronte dilema, te krijimi yt, tek emri yt apo te festivali?

Dilema ishte artistike. "Kënga Magjike" është ajo që është dhe sigurisht që dilema s'kishte lidhje me festivalin, por me mua. Unë sivjet isha edhe në rolin e kompozitorit dhe përgjegjësia ishte më e madhe. Dilema lidhej me faktin, a ishte kënga në nivelin e duhur, a ishte për mua momenti i duhur... Siç e dini, pjesëmarrja ime në këtë festival ishte për herë të parë.

Çfarë ta mbushi mendjen që të merrje pjesë?

Kënga ma mbushi mendjen 100%. Kur u binda se kënga ishte në nivelin që doja, atëherë vendosa. Kisha kohë që punoja me këtë material, nuk është se e bëra me porosi për "Këngën Magjike". Është një nga punët e mia më të mira, duke marrë parasysh edhe rritjen time artistike. Sigurisht që për një kompozitor të gjitha krijimet dalin nga shpirti dhe janë të dashura, por nga të gjitha baladat që kam bërë, "Refuzoj" do ta cilësoja si më të arrirën dhe të denjë për një skenë të madhe si ajo e festivalit "Kënga Magjike".

Kur më në fund materiali ishte gati, e mendove fitoren?

Të them të drejtën, nuk ishte gjëja e parë që mendova. Sigurisht që çdo artist ka ambicie dhe kur bëhet fjalë për konkurrim edhe kjo pjesë mendohet. Megjithatë jam i sinqertë kur them që nuk ishte mendimi im i parë. Ishte shumë e rëndësishme për mua, që në këtë fazë të karrierës sime, krijimi të ishte i mirë. Kur prezantohesh si kantautor, vihesh në provë edhe si këngëtar, edhe si poet, edhe si kompozitor. "Kënga Magjike" është një show dinjitoz dhe e tillë duhet të ishte edhe paraqitja ime. Shumë i rëndësishëm për mua ishte edhe aprovimi i publikut.

Pse mendon se kolegët të votuan?

Mendoj që kanë vlerësuar këngën. Është shumë pozitive të marrësh këtë vlerësim në muzikë. Është e vështirë që njerëzit e së njëjtës fushë të vlerësojnë njëri-tjetrin. Unë u pëlqeva nga publiku dhe njëherësh edhe nga bota e artit. Për mua ky është sukses i dyfishtë.

Në faqe të ndryshme të "Facebookut"- je akuzuar se e ke 'vjedhur' këngën "Refuzoj"... Thonë se kënga jote ngjan me këngën e Petros Mpousoulopoulos, "I agapi mou ena vradu". Në fakt, pjesët e para të dy këngëve për dëgjuesin e thjeshtë duken shumë të ngjashme. Për t'i sqaruar të gjithë, mund të na thuash diçka më shumë si profesionist?

Nuk e di pse nuk flasin profesionistët… Patjetër që unë të do flas si profesionist, por duke qenë se bëhet fjalë për këngën time, mirë do të ishte që edhe dikush tjetër vërtet profesionist i kësaj fushe të kishte dhënë një mendim. I kam dëgjuar dhe i kam parë këto aludime dhe sinqerisht ju them se i marr shumë lehtë. Madje do të thoja që gati-gati i marr me dashamirësi. Nga këto komente kuptoj që kënga është aq shumë në vëmendjen e njerëzve, sa analizohet dhe diskutohet. Edhe pse përgjithësisht kaloj pak kohë në "Facebook", i kam parë këto komente dhe kam vënë re që 90% e tyre e shohin krahasimin e këngës "Refuzoj" me këngën greke si diçka qesharake. Pjesa tjetër për mendimin tim kanë thënë gjëra që nuk u takojnë, derisa janë të painformuar. Nuk mund të flasësh dhe të bësh kritikë në një fushë që nuk e njeh, qoftë kjo muzika, mjekësia apo arkitektura. Mua kjo pjesë nuk më intereson. Unë vazhdoj rrugën që kam nisur, duke punuar shumë. Besoj se gjatë viteve e kam treguar që nuk më mungon imagjinata apo krijimtaria. Me gjithë respektin që kam për muzikën në përgjithësi, edhe për atë greke në këtë rast, është një lloj muzike që unë nuk e dëgjoj fare. Për mënyrën dhe vendin ku unë jam rritur, jam shumë më i predispozuar të bazohem tek muzika e lehtë shqiptare apo ajo "british". Që një këngë të quhet e kopjuar, duhet të ketë të paktën 8 masa të njëjta me një këngë tjetër. Pjesa e parë, ose më mirë të themi vargu i parë i këngës "Refuzoj" ngjan disi me atë të këngës greke, por kjo është vetëm një masë. Të gjithë ata që kanë studiuar, bëjnë dhe lexojnë muzikë, e kuptojnë shumë mirë. Në gjithë muzikën botërore, ka pafundësisht këngë që ngjajnë me njëra-tjetrën dhe kjo është krejtësisht normale. Kam përshtypjen që ata që flasin, nuk duan ta kuptojnë, zgjedhin të mos e kuptojnë. Pastaj është edhe pak zakon shqiptar ky, që ne gjërat e bukura e të mira e kemi të vështirë t'i pranojmë menjëherë (qesh). Si përfundim, mund të them që njerëzit kanë sy e veshë, dhe mund të vlerësojnë vetë.

Si reaguan kolegët pas fitores?

Mirë. Të paktën, ata që më dolën përballë e më takuan, më uruan me dashamirësi. Këtë e vlerësoj vërtet shumë.

Ndjeve vështrime xhelozësh?

(qesh) Jo. Nuk mund ta mohoj që ka pasur, por mua përballë nuk ma ka shprehur njeri. Pastaj unë kam vendosur të mos i shoh fare këto gjëra. Nuk i jap asnjë lloj rëndësie, dhe mendoj që kjo është një nga arsyet që më ka bërë të kem vazhdimësi. Nuk shoh fare majtas-djathtas. Kryesorja për mua është puna. Nëse punon fort, vlerësimi vjen vetë.

Po publiku?

Publiku ka reaguar si asnjëherë më parë. Mora vlerësim, ngrohtësi, duartrokitje të sinqerta dhe shumë kënaqësi. Më bëri që të jetoj një nga momentet më të bukura të jetës sime.

Po Miriami?

Ka qenë pranë meje gjithë kohën. Edhe kur nuk kemi pasur mundësi të jemi afër fizikisht, kemi komunikuar për çdo gjë me telefon, me sms. Prania e saj më ka bërë mirë. Kur ke afër njeriun e zemrës, në çdo situatë të lumtur apo të vështirë, gjithmonë të bën mirë. Edhe në këtë rast ajo është emocionuar dhe ka festuar bashkë me mua.
(Express )

Alban Skenderaj Mohon Akuzat Per Kopjim