>
BIOSHQIP

Alban Skenderaj: Tirana Na Dhuron Kënaqësi Shpirtërore, Por Jo Standarde

30-11-2012
Alban Skënderaj sapo ka rrëmbyer një triumf tjetër, siç është ai i Këngës Magjike 2012. Emocionet e kësaj fitoreje vazhdojnë ta shoqërojnë këngëtarin, i cili edhe këtë vit është në jurinë e "X-Factor". Si fitues, por edhe si një këngëtar e mentor talentesh, Albani flet në këtë intervistë. Gjithashtu ai tregon edhe si e sheh të ardhmen e tij me Miriamin në Tiranë dhe krijimin e një familjeje këtu. Alban, fitove një çmim që nuk jepet nga asnjë juri po nga vetë këngëtarët e tjerë. A mendon se vlerësimi është objektiv dhe për faktin se ishe më pak i përfshirë në klanet e artistëve për shkak të mënyrës sesi e ke ndërtuar ti karrierën në Shqipëri? Fillimisht ishte pak ndjenjë e çuditshme, duke marrë parasysh që ishte hera e parë që merrja pjesë në "Kënga Magjike", por fillova të ambientohesha me kalimin e ditëve. Mendoj që është formulë e gjetur, duke marrë parasysh situatat që vazhdimisht janë krijuar në Shqipëri dhe mentaliteti mosbesues që është formuar (ndonjëherë dhe me të drejtë) si te njerëzit normalë si tek artistët. Ideja është që me aq shumë pikë dhe më shumë se 40 artistë që votojnë edhe pse mund të ketë ndonjë marrëveshje, apo miqësi midis, kam përshtypjen që në fund dominon drejtësia dhe fiton kënga më e pëlqyer. Në një farë mënyre pasqyrohet vlerësimi i publikut të thjeshtë. Ata që më shumë ankohen në përgjithësi janë vetë artistët, kështu që në këtë mënyrë e kanë më të pamundur të ankohen (qesh). Unë dua t'i falenderoj të gjithë artistët dhe kolegët të cilët më votuan dhe vlerësuan punën time. Është një sukses i dyfishtë për mua të arrij të vlerësohem maksimalisht dhe nga bota e artit. "Kënga Magjike" çfarë do të thotë për ty? A janë festivalet një afirmim më shumë për artistët? Unë "Këngën Magjike" e shoh si një show gjigant dhe dinjitoz, ku, pa marrë parasysh të tjerat, çdo artist mund të performojë dhe të paktën njëherë mund të ndihet artist i vërtetë. Fatkeqësisht mundësia për lançim të një produkti apo vizibilitet në Shqipëri është e kufizuar, kështu që një event i këtij kalibri është i domosdoshëm dhe suport shumë i madh që artistët të kenë një skenë të vërtetë ku të komunikojnë me publikun. Gara është e bukur dhe drithëruese dhe rruga për të përcjellë një këngë të bukur te publiku është shumë më e shkurtër, por më i rëndësishëm akoma është Feedback-u që vjen mbasi ke marrë pjesë. Aty realizon edhe qartë motivin dhe dobinë e pjesëmarrjes tënde në një event të tillë. Është e vërtetë që Shqipëria është një treg shumë i vogël, prandaj dhe unë kam zgjedhur që të mos jem çdo vit prezent në festivale, që t'i jap kohë vetes dhe publikut për një dalje sa më dinjitoze. Edhe sivjet u fol se çmimin do ta merrje ti, ishe favorit. A ke pasur frikë në një moment se këto fjalë mund të të dëmtonin? Unë jam natyrë që në mënyrë instiktive nuk rri dhe mendoj për këto gjëra, por ambienti dhe mentaliteti më imponohet gjithsesi. Kështu që, po, ndonjëherë e kam menduar, por jam treguar i qetë dhe i kujdesshëm. Megjithatë, edhe këto pjesë në fund të fundit unë i konvertoj në diçka pozitive. Kur njerëzit flasin për ty është gjithsesi vlerësim. Do të thotë që janë të vëmendshëm ndaj teje (edhe pse ndonjëherë tepër) dhe nuk të kanë harruar. Do të jesh sërish pjesë e "X-factor". Si i sheh talentet që dalin nga këto shou? A munden ata të sfidojnë ata këngëtarë që tashmë janë të famshëm edhe pa mundur të këndojnë live? Çfarë u duhet këtyre të rinjve, sipas teje, për të ecur? Të këndosh nuk mjafton. Nuk e di është bërë tani kështu apo ka qenë gjithmonë. Duhet të jesh unik në interpretim, vokal, stil, performancë etj. Vetëm kështu do bëje diferencën te publiku. Që një artist të arrijë famën dhe majat më të larta është një punë që normalisht nuk varet vetëm nga një individ. Në të gjithë botën është kështu, përveçse në Shqipëri. Duhet një staf njerëzish që punojnë dhe kujdesen si për pjesën muzikore, mediatike, imazh etj. Në Shqipëri, që një artist të çajë i vetëm në treg, duhet të jetë vokalist, producent, biznesmen, kompozitor dhe menaxher i vetes. Ky kombinim rrallë arrihet te një individ. Gjithsesi, në fund, që një artist të bëjë diferencën e të dallohet nga të tjerët i duhen këngë të bukura, hite, dhe jo të këndojë këngët e të tjerëve, sepse ashtu do jetë vështirë të spikasë e të bëj diferencën. Këtu hyn në punë roli i kompozitorëve, por kjo është një histori më vete. Tashmë jeta jote dhe e Miriamit është më e lidhur me Tiranën. E mendoni krijimin e familjes ndoshta pikërisht në këtë qytet? Besojmë, si çdo çift mbas kaq vitesh, është një fazë e re dhe e rëndësishme për ne. Së shpejti do të vijë, por kemi dëshirë të mos shkëputemi 100% nga Gjermania dhe Italia, ku ne jemi rritur dhe kemi dhe familjet tona. Tirana na dhuron shumë kënaqësi shpirtërove, por akoma nuk gjejmë standardet dhe komoditetet që gjejmë andej.
(Jonida Hitoveizi Gazeta Mapo)

Alban Skenderaj: Tirana Na Dhuron Kënaqësi Shpirtërore, Por Jo Standarde