>
BIOSHQIP
Biografia
Bajrush Doda është lindur në vitin 1936 në fashatin Maznik të Deçanit,i cili i takon plejadës së rapsodëve të parë kosovarë, zëri i të cilëve që herët jehoi në etër, përmes valëve dhe emisioneve muzikore të Radio Prishtinës, qysh nga vitet e gjashtëdhjeta .
Ai, rreshtohet në stafin e parë të gjeneratës së rapsodëve popullor, që përbëhej nga emrat më të shquar të folklorit muzikor burimor, duke filluar nga: Riza Bllaca, Salih e Feriz Krasniqi, Dervish Shaqa, Demush Neziri , Halil Cërvadiku, Tahir Drenica, Hashim Shala, Qamili i Vogël, Marash Krasniqi, Mon Sokoli e ndonjë tjetër, që mund t’ ua kemi harruar emrat pa dashje.
Nuk duhet harruar se në kohën e viteve të 60-ta , nuk ishte aspak e lehtë që të jesh këngëtar – rapsod i Radio Prishtinës, kur çdo fjalë matej me dërhem nga ana e pushtetarëve sllavo-komunistë, e lëre më këngët tradicionale rapsodike shqiptare ! Andaj, në atë kohë, ishte privilegj i madh , nder dhe krenari e kombit, që të jesh bartës i një kulture kombëtare.
Në anën tjetër, atë botë , nuk ishte e mundur që të jesh këngëtar – rapsod i Radio Prishtinës, po nuk pate vlera të jashtëzakonshme vokale dhe interpretuese !
Populli shqiptar i shumëvuajtur, ishte i etshëm që t’i dëgjonte këngët tradicionale, të cilat me pietet i këndonin rapsodët e lartpërmendur. Figura e rapsodit popullor , në imagjinatën e dëgjuesve , konsiderohej dhe çmohej si një qenie e shenjtë, të cilës vetëm Zoti ka ditur që t’ ua dhuroi atë zë të bukur, atë mjeshtri të rrallë dhe atë begati shpirtërore! Prandaj, secili që i dëgjonte, ëndërronte se si do të mundet së pakut një herë në jetë , që t’ i shohë dhe t’i dëgjojë këta rapsodë për së gjalli, apo drejtpërsëdrejti?!
Më kujtohen si sot, ato ditë të fëmijërisë sime, kur në fshatin tim për herë të parë arriti një tranzistor që punonte me bateri dhe për ta dëgjuar Radio Prishtinën, mblidheshin për rreth tij, i tërë fshati !
Më kujtohet si sot, dita e marte dhe ora 15,15 minuta, kur Radio Prishtina, transmetonte emisionin :”Folklori muzikor” dhe në atë kohë (45 minuta), askush nga bujqit nuk punonte ! Për t’ i dëgjuar rapsodët, ndërpritej prashitja, korrja, kositja, madje edhe lama e shtruar me drithë ! Një dukuri e këtillë, nuk do t’ i ndodhë më kurrën e kurrës, asnjë këngëtari, rapsodi, apo ylli të muzikës!
Dëgjuesit dhe adhuruesit besnik të këtyre rapsodëve, bënin gara në mes veti se cili rapsod po këndon më mirë se tjetri dhe cili dëgjues po ua di më shumë repertorin dhe emrat e rapsodëve?!
Më kujtohet, si sot, kur spikeri i Radio Prishtinës, i ndjeri Gjakush Çapari, e lajmëroi këngën e radhës me titull:”Prej nji shpati t’i lëshova sytë”, të cilën do ta këndojnë rapsodët Bajrush Doda e Zenun Gashi. Kënga jehonte në malet e Malësisë së Gollakut, kurse kostarët ua dhanë zjarrin rafalëve të pa shkëputura!
Prej atëherë, emri, zëri dhe kënga e Bajrush Dodës, i pushtoi zemrat e dëgjuesve te të gjitha moshave, e sidomos ato te të rinjve !
Por , Bajrush Doda nuk u ndal vetëm me kaq. Ai e vazhdoi rrugën e këngës, duke ia falur asaj gjithë potencialin e tij moral e fizik, për t’ i dhënë këngës folklorike shpirt dhe jetë sa më të gjatë! Dhe këtë qëllim e arriti me shumë sukses .
Repertori i këngëve të tij, sa vinte e shtohej dita me ditë, qoftë përmes valëve të Radio Prishtinës, qoftë përmes disqeve të gramafonit, audio kasetave e deri tek emisionet e Televizionit të Prishtinës.

Bajrush Doda
Opusi i repertorit të këngëve të interpretuara nga Bajrush Doda, është shumë i madh. Ai, bashkë me kolegun e tij, Zenun Gashin e filluan bashkëpunimin shumë të frytshëm me doajenin e këngës shqiptare, Qamilin e Vogël, nën regji te të cilit u botuan dhe u publikuan shumë disqe gramafoni .
Do të mbeten të pa harruara dhe të pa zëvendësuara këngët e interpretuara nga Bajrush Doda, si: “Moj e mira, moj kablushë kuqe”, “Ditë e zezë ish kanë e honja”,”Kënga e Halit Gashit”, “Kënga e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, “Kënga e Lugut të Baranit” e shumë e shumë të tjera.
Por, një gjë nuk duhet harruar asnjëherë:- Kënga me titull “Prej një shpati t’ i lëshova sytë”, pa dyshim se do të mbetet në analet e historisë së muzikës sonë burimore, si njëra ndër perlat më të bukura të këngëve të dashurisë fshatare! Kjo këngë, vetëm sa nuk është shndërruar në një himn të këngëve tona popullore, nga se është e pa mundur që të jemi në një dasmë, aheng, kocert, festival, apo restorante e të mos kërkohet dhe këndohet kjo këngë !
Bajrush Doda, me punën e tij të pa lodhshme, me zërin e tij karakteristik me ngjyrë autoktone prej një malësori të vërtetë, i qëndroi besnik gjithë jetën këngës së mirëfilltë rapsodike, pa e çoroditur atë, asnjëherë . Ai, me një mjeshtri të rrallë prej rapsodi popullor, diti ta ruaj dhe ta kultivoj me besnikëri melosin autokton të Dukagjinit, Malësisë së Gjakovës dhe të Rugovës .
Falë kësaj mjeshtërie dhe dhuntive që ia dhuroi vet Zoti, Bajrush Doda ia arriti që gjatë pesë dekadave t’ i mbajë për veti adhuruesit e tij të shumtë gjithandej ku bukës i thuhet bukë, e kripës i thuhet kripë, prandaj me të drejtë të pamohueshme mund të konkludojmë se vërtetë Bajrush Doda është dhe do të mbetet për gjithmonë i dashur, i adhuruar dhe një bard i vërtetë i këngës folklorike shqiptare.
Bajrush Doda me këngët dhe zërin e tij kumbues prej një malësori autokton, gjithmonë na e rikujtoi dhe na e ringjalli legjendën e këngës folklorike –Dervish Shaqën.Ndërroi jete më 31.12.2011 pas nje semundje te gjatë.
DËRGOI: