>
BIOSHQIP

Devis Xherahu, Lidhja Me Ertemiona Meidanin

14-02-2012
Nga prezantimi i parë, dy vjet të shkuara, deri tek historia e dashurisë. Thashethemet mbi divorcin, klipet dhe lidhjes së fshehtë të Ertemiona Meidanit dhe Devis Xherahut. E vërteta zyrtare e një historie që nisi si e pamundur dhe që ende nuk ka përfunduar.

Ka qenë dashuri me shikim të parë. E lindur në Korçë dhe mbajtur e ndrydhur për pothuaj dy vjet. Sepse ai ishte i martuar ndërsa ajo një miss në fuqi, e zhytur në impenjimet e veta të kurorës së bukurisë dhe hidhërimit nga pamundësisë për të shijuar çka kishte ndjerë atë mbrëmje të nxehtë vere, në vendlindje. Ndërsa rrëfejnë sot takimin e parë real, pas një komunikimi të gjatë virtual në Facebook, Ertemiona Meidani dhe Devis Xherahu buzëqeshin. E para e lehtësuar që tanimë mund ti thotë gjërat siç janë, të vërteta troç, ndërsa i dyti i lumtur që më në fund dëshira që kishte shprehur pa zë natën e njohjes – "ah sikur të isha beqar" – iu plotësua.

Çifti kaq shumë i përfolur, qysh minutën e promovimit të klipit "Kompleksi fukara", edhe tani nuk e ka me shumë qejf të rrëfehet. "Akoma nuk ka ardhur momenti që presim", thotë Devis Xherahu pas shtrëngimit të parë të duarve. Ndërsa Ertemiona, në fillim e kundërshtoi me mirësjellje kërkesën për të folur: "I kam lexuar ato që janë shkruar, por ne e kemi deklaruar që jemi miq të afërt. Nëse do të ketë diçka më shumë do të ta them". Ndryshoi mendje pak ditë më vonë.

Ndërkohë është shkruar shumë për dashurinë e këngëtarit të ardhur nga Greqia dhe "Miss Shqipëria 2009". Lloj-lloj lajmesh, herë të vërteta e herë jo (më shumë nga këto të fundit), dhe meqë si njëri ashtu edhe tjetri e kanë ndarë mendjen ta mendojnë gjatë zyrtarizimin e vendimit që kanë marrë, dyzohen. Megjithatë, jo më shumë se javën e kaluar Devisi e pa të udhës të luante pak me kureshtarët që ndiqnin ekranin e Vizion Plus. Në një lidhje të drejtëpërdrejtë telefonike, në studion ku mikesha e tij ishte e ftuar, e shpalli publikisht: Unë do të doja të kisha një lidhje me Ertemionën, tani pres vendimin e saj. Kjo e fundit, mbase e papërgatitur për deklaratën e Devisit, e vazhdoi lojën e tij. Nuk tha as "po" as "jo". E kaloi mençur me variantin "e papërgatitur për këtë deklaratë" dhe si përfundim askush nuk e mori vesh: A janë lidhur Devisi me Ertemionën? Dhe mbi të gjitha si është e vërteta e divorcit të tij dhe sidomos faktit që, siç shkruajnë tabloidët, këngëtari me këtë divorc ka lënë pas edhe një fëmijë të vogël gjashtë mujash?

Për ta nisur nga të vërtetat: Historia e tyre ka domosdoshmërisht lidhje me karrierën shqiptare të Devisit. Jo saktësisht me klipin "Kompleksi fukuara", por sidoqoftë ka nisur pikërisht në kohën kur këngëtari, i ftuar për një koncert në Korçë, u rrëfeu vajzave bukuroshe të mbledhura në një nga tryezat e lokalit ku këndonte (në krye të së cilës ishte Ertemiona), se po ideonte klipin e një këngë të re. Ai, në vitin 2010, ka qenë takimi i tyre i parë. Ndërsa njohja është bërë virtualisht, në një nga rrjetet sociale më të famshme ndër shqiptarë, si bashkëpatriotë: të dy nga Korça, ai artist dhe ajo "Miss Shqipëria". Më tej gjërat ka rrjedhur bashkë me karrierën shqiptare të Devisit: u realizua klipi i parë, u transferua në Tiranë për të kënduar në Venue Club, erdhi koha e klipit të dytë, fama, divorci dhe më pas lidhja e tyre.

"Natën që u takuam për herë të parë, ndodhi ajo magjia që i thonë "dashuri me shikim të parë"", thotë Devisi duke marrë në të njëjtën kohë edhe miratimin me kokë të Ertemionës. E njihte si emër dhe si fytyrë vajzën, asokohe ende të dehur nga kurora e më të bukurës shqiptare. "Pas koncertit iu afrova tavolinës së tyre dhe u prezantova. Nëse koncerti zgjati deri në katër të mëngjesit ne ndenjëm deri në orën shtatë. Por pavarësisht çfarë ndjeva nuk bëra zë. Mendova vetëm: Ah, sikur të isha beqar". Të njëjtën gjë tregon edhe 21 vjeçarja për atë mbrëmje, por në rastin e saj beqaria nuk ishte problem. Diçka më e madhe e pengonte të ëndërronte më shumë: Devisi kishte pas vetes një martesë disa vjeçare dhe kjo nënkuptonte se ishte mollë e ndaluar për të. Ndjenjat duhet t'i mbante të shtypura dhe nuk nxorri gjë, as atëherë, as shumë më vonë. Madje për shumë kohë i shmangu me sa mundi takimet me të. Edhe kur nuk kishte nga t'ia mbante, duhej të ishte patjetër e shoqëruar me shoqet e veta.

"Megjithatë, atë natë i fola për klipin që doja të realizoja. I propozova të ishte pjesë e tij. Duhej patjetër, si korçare, si përfaqësuese e këtij qyteti dhe serenatave". Nga ana e saj Ertemiona, më shumë se tek klipet, ishte e përqëndruar tek kurora e bukurisë: Do të përfaqësonte Shqipërinë në "Miss Globe", të udhëtonte në Kinë e vende të tjera, në konkurse ndërkombëtare bukurie. "Por Devisi nuk hoqi dorë. Më mori në telefon shumë kohë para fillimit të xhirimeve, ndaj dhe pranova".

Nuk pati ndonjë rol qëndror, aq sa të provokonte thashetheme, por jo shumë muaj më vonë, kur Devisi ishte vendosur në Tiranë dhe shoqëria e tyre ishte bërë pothuaj e përnatshme, koha e klipit u risoll në kujtesë. "Në atë kohë unë vija çdo javë në Tiranë", vazhdon ai. "Kisha kontratë me Venue Club dhe Ertemiona nuk mungonte në asnjë nga koncertet e mia", thotë ndërsa ajo plotëson arsyen: "Shkonim grup vajzash. Ishim aty si korçare dhe sepse në fillim mendova se Devisi kishte nevojë për mbështetje, për publik. Sigurisht e kuptova, që në natën e parë se ai nuk e kishte fare këtë nevojë, sepse salla ishte e mbushur plot e përplot, por ne nuk munguam asnjëherë". Këngëtarit ndërkaq ia kishte ënda miqësinë me të. E ftonte për takime edhe jashtë Venue-s dhe orëve të vona, por gjithësej fitoi vetëm dy tre mbasdite, gjithnjë në shoqërinë e saj dhe mikeshave që nuk ndaheshin. Ertemiona i qëndronte vendimit të saj për ta mbajtur larg, ndërsa Devisi projektit që karrierën ta transferonte në Tiranë. Por jo vetëm sepse këtu jetonte ajo!

"Prania ime artistike në Shqipëri, për hir të së vërtetës, është meritë e Dritan Hoxhës", kthehet shumë vite pas në kohë Devisi. "Ai më ka parë për herë të parë duke kënduar në Greqi dhe me ftoi në Top Channel. Shumë vite më parë u bënë disa emisione që flisnin për karrierën time atje". Nuk kishte shumë muaj që shqiptari kishte konkuruar në "Fame Story", mbi skenën e së cilës pat kënduar dhe folur shqip. Buja e deklaratave të tij, e cila shkaktoi shumë miq e armiq ndër shqiptarë, mbërriti edhe këndej, por jo me të njëjtën jehonë siç shkaktoi dueti me këngëtarin Lefteri Pantazis. Greku i njohur, njësoj edhe në Shqipëri, jo vetëm që kishte pranuar një bashkëpunim me shqiptarin, por këndoi edhe vetë disa vargje në gjuhën shqipe. Klipi i realizuar në studion e regjistrimit u transmetua këndej e andej kufirit, ndërsa në youtube klikohej, në fillim, me çudi. Ende pa u mbyllur komentet për këtë Devis Xherahu, me ndihmën e Pandi Laços u shfaq në Tiranë, në duet me Eranda Libohovën. Një prej këngëve të albumit të publikuar në Greqi, "Parandjenja", Laço e përshtati në gjuhën shqipe dhe e mundësoi të këndohet në spektaklet e tij, në televizionin Klan. "E kisha ndarë mendjen të vija në Shqipëri", shton ai, ndërsa ka numëruar me të shpejtë një sërë koncertesh dhe skenash ku ka kënduar në Greqi. Do të kthehej me plane të menduara mirë: në fillim në Korçë, një klip ("Kompleksi fukara"), kontrata me Venue Club, një klip tjetër për të mbërritur tek Kënga Magjike.

Pastaj ishte edhe Ertemiona, e cila megjithë këmbënguljen e tij vazhdonte t'i shmangej. "Por unë bëja timen, nuk hoqa dorë". Mendonte edhe për karrierën ndërsa promovoi albumin e parë në shqip, "Në errësirën e natës", duke respektuar edhe kontratat që shoqja e tij lidhte me kompani të ndryshme për të qënë imazh i tyre. Deri kur i erdhi radha klipit të dytë me vajzat e spektaklit "Miss Shqipëria", e bashkë me të edhe thashethemet për historinë e dashurisë me Ertemionën. Paralel me të gjitha këto, kur Devisi planifikonte pjesëmarrjen në "Kënga Magjike" me një këngë të shkruar nga Jorgo Papingji dhe kompozuar nga Paola Kondakçi, një tërmet po aq i fortë po trondiste jetën personale të tij. Andej kufirit kishte vendosur t'u jepte fund problemeve me bashkëshorten për ta mbyllur një herë e mirë atë kapitull të jetës dhe këmbëngul se asnjë prej tyre nuk ka lidhje me Ertemionën. Sipas tij, ajo ishte një martesë e destinuar të përfundonte. "Vetëm kur gjërat morën fund ligjërisht u ktheva në Tiranë dhe i telefonova Ertemionës". Kësaj here kërkesa ishte shkoqur: një kafe vetëm për vetëm. "U takuam dhe mbaj mend që vetëm fola, fola, fola. I thashë që kisha vendosur të kthehesha". Thënë shkoqur asnjë pengese nuk ekzistonte më për të ëndërruar më shumë se një miqësi. Dëshira e tij për të qenë beqar ishte plotësuar, ndërsa për Ertemionën këngëtari nuk ishte më mollë endaluar. "I fola për projektet e mia dhe dëshirën për të bërë gjëra të tjera përveçse konkurimit në festivalin "Kënga Magjike". Ishte ajo që më futi në mendje një tjetër duet të rëndësishëm të karrierën time: bashkëpunimin me Andrea Del Principe". Muajt korrespondonin me organizimin e "Miss Globe", nëntorin e vitit të kaluar, dhe Principe nuk e kishte për herë të parë ftesën nga Petri Bozo. "Përgjigja e tij ishte fantastike. Pasi i mora leje Gjebreas, këngën konkuruese "Akoma nuk e besoj", ia dërgova në Itali për ta dëgjuar. Ai jo vetëm që pranoi, por ishte i gatshëm edhe të këndonte në gjuhën shqipe".

Meqë kjo nuk ishte hera e parë, Xherahu i kërkoi Bozos edhe një kamera që ta shoqëronte gjatë regjistrimit: projektonte një klip. Punë e kryer tashmë, për më tepër që në këtë realizim të radhës Ertemiona mund të ishte jo vetëm pjesëmarrëse, por edhe protagoniste në atë klip të prezantuar kohë më vonë. Kënga i përshtatej pamjeve romantike të një çifti, çka vulosi një herë e mirë thashethemet rreth tyre, të cilat u shndërruan tashmë në lajme që i zinin vendin njëri-tjetrit. Mjaftonte fakti që ata ishin shfaqur së bashku në ekran, shoqërinë nuk e fshihnin më dhe që nga Greqia erdhi lajmi i divorcit, për të zyrtarizuar, pavarësisht mungesës së deklaratave të tyre, se gjithçka ishte e vërtetë. "Unë nuk jam kundër lajmeve që flasin për jetën personale, vetëm kërkoj që të mos abuzohet me to", shton Devisi. "Kanë thënë që kam lënë edhe një djalë gjashtë muajsh pas, por kjo nuk është e vërtetë. Unë nuk kam fëmijë".

"Nuk i kam shpëtuar edhe unë lajmeve të shtatzanisë", plotëson Ertemiona, e cila së fundi ka lexuar diku se është katër muajshe shtatzanë. "E thashë sipas mënyrës time se edhe kjo nuk është e vërtetë, por vazhdojnë të flasin dhe të shkruajnë". Ndërsa ata të lexojnë ato çka thuhen dhe të mendohen për çastin e volitshëm kur ti rrëfejnë të gjitha, siç po bëjnë tani. Ertemiona nga ana tjetër ka peripecitë e veta përgjatë këtyre muajve. Një qytet i vëmendshëm si Korça nuk i ka kaluar edhe aq në heshtje lajmet e mbërritura nga Tirana, por ish-missi tregon se i ka pritur me qetësi. Prindërit i ka sqaruar duke iu thënë të vërtetën çdo herë që mendonte se thashethemet e kishin kaluar cakun, deri kur edhe ata filluan të dëgjonin për shtatzaninë e vajzës së tyre e pranuan se jo gjithçka thuhej ishte e vërtetë. "Tani kuptohet gjërat janë qetësuar, si për ata, ashtu edhe për ne". Familjet e tyre njihen, meqë kanë jetuar gjithmonë në të njëjtin qytet, dhe meqë Devisi tanimë është i lirë, askush nuk është dëgjuar të flasë kundra. Ndërsa çifti më në fund mund të shijojë më vete kafetë e mbasdites, të thurrë plane për klipe apo bashkëpunime të mëvonshme dhe të projektojë të ardhmen së bashku.
(Alida Cenaj)

Devis Xherahu, Lidhja Me Ertemiona Meidanin