>
BIOSHQIP

Rrefehet Ertemiona: Devisi Eshte Shume Xheloz

09-04-2012
Në një rrëfim të saj këtë radhë në ''Panorama plus'' vjen një nga bukuroshet e spektaklit ''Miss Albania'', e cila tashmë përveç suksesit po shijon edhe një lidhje dashurie me këngëtarin e njohur, Devis Xherahu. Ertemiona Mejdani në intervistën e saj të sinqertë tregon eksperiencën gjatë spektaklit, si dhe planet për të ardhmen. ''Nuk jam tip i aventurave dhe nuk mund të jem me dikë nëse nuk do ndiej për të. Në momentin që kemi dashuri të dyanshme, gjithçka është e mundur'', thekson bukuroshja Mejdani.

Ishit 18-vjeçare kur fituar kurorën e ''Miss Albania'', si e kujton atë kohë?
Nuk kanë kaluar shumë kohë nga dita e kurorëzimit, dhe mund të them që ka qenë një ndër eksperiencat më të bukura për mua. U bë akoma më e paharrueshme për vetë faktin që u finalizua me një kurorë. Emocionet nuk mund t'i përshkruaj dot me fjalë, pasi do të ishte shumë pak. Nuk e mohoj dhe e them me mirënjohje të madhe që për gjithçka kisha mbështetje të plotë të familjes sime.
Sipas teje, kishte vajza dhe më të bukura dhe a kishit frikë nga konkurrenca?
Në çdo kompeticion serioz bukurie rreziqet janë të shumta për sa i përket bukurisë dhe konkurrencës. Pa dyshim, konkurrenca ka qenë shumë e fortë, por në fund vetëm njëra do të dilte. E theksoj, në "Miss Shqipëria" krahas bukurisë duhet të jesh inteligjente, pra është si një paketë me një sërë faktorësh që vihen re nga juria, e cila është e zgjedhur me shumë kujdes. Në këto raste, përderisa e merr iniciativën për të konkurruar do të marrësh parasysh të dyja anët e medaljes. Por në rastin konkret mua më ka shoqëruar gjithmonë besimi te vetja, gjë që nuk më ka lejuar kurrë të rrëzohem.
Po sot, sikur të të jepet rasti, do ishte futur në konkurrim në ndonjë spektakël bukurie?
Edhe sot ofertat për të vazhduar në botën e spektakleve të bukurisë janë të shumta, por mund të them se kam arritur mjaft në këtë fushë, është po njësoj sikur të kesh mbaruar universitetin dhe të rikthehesh sërish në fillore. Nëse do të bëhej fjalë për kompeticione të një shkalle më të lartë se të atyre që unë kam qenë pjesë, pa dyshim që do të pranoja.
Pasi fitove kurorën, ku përfaqësove vendin, mund të na zbulosh ndonjë sukses tëndin deri më sot?
Menjëherë pas kurorëzimit, krahas vendit tim, peshën e kurorës më është dashur ta tregoj edhe nëpër botë me shumë krenari. Si fillim kam përfaqësuar Shqipërinë në një nga pasarelat më të mëdha italiane "The look of the year", aktivitet ky i mbajtur në Sicili me pjesëmarrje shumë të madhe, midis të cilëve ishte edhe Kledi Kadiu, një shembull i mjaftueshëm për mua për të përfaqësuar vendin me krenari. Krahas sfilatave me veshje nga stilistë me famë të madhe botërore, kam pasur fatin të fitoja një ndër çmimet e rëndësishme, "Perfect line". Kthehem në Shqipëri pasi më priste një tjetër kompeticion i rëndësishëm, siç ishte dhe përfaqësimi në "Miss Globe", ku pas një konkurrence shumë të madhe, u rendita në 10 femrat më të bukura të Globit dhe fitova çmimin "Formoline'' (Forma të përsosura pa ndërhyrje kirurgjikale). Një tjetër përfaqësim ishte në Kinë, në "Miss Bikini International", ku u rendita e dyta mes 129 shtetesh, si dhe mora çmimin "Miss Fotozhenia". Eksperienca të paharruara! Një peshë shumë e rëndë e kurorës, por që e finalizova me shumë trofe dhe ndihem krenare.
Është mallkim apo përparësi të jesh e bukur?
Mallkim? Aspak, përkundrazi, bukurinë e admiron gjithkush, por vlen të theksohet që duhet të jetë e shoqëruar gjithmonë me inteligjencën që të ketë rëndësinë e plotë të fjalës bukuri…
Çfarë të ka mundësuar bukuria, të ka hapur dyer të cilat ke menduar se mund të jenë të mbyllura gjithmonë?
Krahas përfaqësimeve, patjetër më ka hapur shumë dyer, më ka kthyer në një person publik dhe vazhdon të më japë mundësi pa fund.
Me çfarë merret Ertemiona për momentin?
Për momentin krahas studimeve, vazhdoj të jem imazh i disa kompanive që prej kurorëzimit. Planet dhe projektet janë të shumta, por ende nuk mund të flas konkretisht. Mund të them që do ketë të reja…
Keni deklaruar një lidhje dashurie me këngëtarin Devis Xherahu, si po ecën dashuria?
Lidhja jonë e dashurisë është shumë e bukur, nuk mund të gjej fjalë për ta përshkruar në momentin që bëhet fjalë për ndjenja të thella. Jemi duke shijuar dashurinë tonë në të gjitha format e mundshme, dhe jemi shumë të lumtur për këtë.
Sa kohë keni që njiheni dhe cili ka qenë iniciatori i kësaj romance?
Me Devin kemi qenë miq të hershëm, por nuk thuhet kot që dashuria nga miqësia ndahet nga një fije peri. Iniciatori patjetër ka qenë vetë Devisi, i cili arriti të më bënte për vete me këmbënguljen e tij.
Çfarë tipi është Devisi, xhelozon shumë? Na e përshkruaj me pak fjalë
Ah, pika e tij e dobët! Nuk mund ta mohoj që Devi është tip xheloz, por jo deri në ekstrem. Nuk më bezdis kjo gjë, përkundrazi… pasi tek kjo pjesë gjej edhe veten time. Devi është një mashkull që di të respektojë femrën që ka në krah. Është njeri me një personalitet dhe karakter të fortë, por dhe shumë i ndjeshëm njëkohësisht. Krahas përkujdesjes ndaj meje, mund të them që po më llaston më shumë nga ç'duhet.
Shumë femra të njohura pasi kanë ngelur shtatzënë, kanë deklaruar lidhjet e dashurisë, tek ju ka ndodhur ndryshe! Do kishe dashur të bëheshe nënë në një të ardhme të afërt?
Ende nuk e shoh veten në pozicionin e nënës. Është përgjegjësi shumë e madhe, dhe nuk mendoj se jam gati, por pa dyshim në një të ardhme! Tani kam plane të tjera…
Çfarë plane keni me Devisin, do e kurorëzoni lidhjen me fejesë apo martesë?
Unë deri më sot gjithmonë kam finalizuar me sukses (qesh), pse jo, dhe në rastin konkret. Nuk jam tip i aventurave dhe nuk mund të jem me dikë nëse nuk do ndiej për të. Në momentin që kemi dashurinë të dyanshme, gjithçka është e mundur.
Po në muzikë e keni ndërmend të aktivizoheni, sepse shumë bukuroshe nga pasarelat kanë kaluar në muzikë?
Epo është njëri nga ne që merret me muzikë, dy sikur nuk shkon apo jo? (Qesh). Vërtet, nuk e di, por s'e shoh veten në këtë pikë, më pëlqen bota e spektaklit, por nëse do të shkëlqesh, duhet të jesh i bindur për çka po bën.
(BLERAND REXHEPI)

Rrefehet Ertemiona: Devisi Eshte Shume Xheloz