>
BIOSHQIP

Elhaida Dani, Albumi I Parë Më 2 Korrik

28-06-2013
Kontrata me “Universal”, çmimi për fituesen e “The Voice”

Një përmbledhje me 7 këngë, krijime të reja dhe interpretimet më të mira në “The Voice”

Nuk mund të kishte asnjë titull tjetër veç emrit të saj. Shqiptarja që fitoi zemrat e miliona italianëve ia doli, jo vetëm të fitonte një talent-shou si “The Voice of Italy”, por edhe të nisë karrierën e saj në vendin e muzikës. Ashtu si edhe premtoi, që në të hyrë të korrikut Elhaida Dani do të nxjerrë albumin e saj të parë. Titullohet “Elhaida Dani”, një prodhim i “Universal Music Italia”, i cili do të hidhet në treg në datën 2 korrik. Siç mësojmë nga vetë “Universal”, albumi përmban 7 këngë, mes të cilave edhe dy krijime të reja, njërën që tashmë e njohim, “When love calls your name” (“Kur dashuria thërret emrin tënd”), me tekst dhe muzikë të Riccardo Cocciantes dhe një tjetër në gjuhën italiane, “Baciami e basta” (“Vetëm më puth”), shkruar nga Francesco Silvestre i grupit “Modà”. Duke filluar që sot, kënga do të fillojë të transmetohet në radiot italiane, ndërkohë që për herë të parë u prezantua në edicionin e 25-të të çmimeve “Marisa Bellisario”, në ekranin e RAi2. Ndryshe nga kënga e Cocciantes, “Baciami e basta” është më ritmike dhe me shumë gjasa do të jetë një nga hitet e kësaj vere. Të tjera këngë janë ato me të cilat ajo arriti të bindë gjithë teleshikuesit që ta votojnë e ta shpallin fituese. Një ndër to është “Mamma knows best”, interpretimi i së cilës në audicionet e fshehta bëri që të ktheheshin të katër partnerët e “The Voice of Italy” dhe “Adagio”, një këngë e Lara Fabian, që ngriti në këmbë e përloti gjithë spektatorët e spektaklit që transmetohej drejtpërdrejtë, çdo të enjte në “Rai2”. Albumi që do të dalë pas pak ditësh është pjesë e kontratës që këngëtarja shqiptare ka lidhur me “Universal”. Kjo kontratë ishte edhe çmimi si fituese e “The Voice of Italy”. Gjatë ditëve në vijim do të organizohen disa takime të Elhaidës me adhuruesit e saj, të cilët do të kenë mundësi të rrëmbejnë një autograf apo të dalin në fotografi me yllin e ri të muzikës italiane, por që vjen nga Shqipëria. Ndërkaq, në të njëjtën ditë priten të dalin edhe albumet e dy finalistëve të tjerë të “The Voice of Italy”: Timothy Cavicchini, i cili doli i dyti në finale me “A fuoco” (“Në zjarr”) dhe Veronica de Simone, finalistja e Rafaela Cara-së, me “Nati liberi” (“Të lindur të lirë”).
Stinë koncertesh
Që pas fitores së “The Voice of Italy”, fjala “pushim” është e panjohur për Elhaida Danin (jo se ajo ka shkuar për pushime në Itali). Pas intervistave në radiot e televizionet italiane, vizitës së shpejtë në Shqipëri bashkë me trajnerin e saj, kantautorin Raccardo Cocciante, ku u prit si heroinë, për Elhaidën filloi puna intensive. Menjëherë pas rikthimit në Itali u mbyll në studiot e regjistrimit, për të sjellë në dritë sa më parë albumin e saj. Ndërkohë kanë filluar ftesat për të marrë pjesë nëpër spektakle televizive, koncerte bamirësie e festivale dhe duket se vera do të jetë shumë e nxehtë për Elhaidën. Kështu, pak ditë më parë ajo ishte e ftuar nderi në projektin e bamirësisë “ProgettoAmore” organizuar nga Paolo Meneguzzi, në Chiasso, Zvicër. Ndërsa nesër do të jetë pjesë e spektaklit “Una voce per Padre Pio”, nën drejtimin e Massimo Giletti-t dhe Maddalena Corvaglia-s. Bashkë me të do të jenë edhe këngëtarët Marco Carta, Raf, Giancarlo Giannini, Lina Sastri, Toto Cutugno, Orietta Berti, Patty Pravo, etj. Sipas mediave italiane, edhe pse pjesëmarrës në koncert do të jenë emra të mëdhenj të muzikës italiane, ata që po priten më së shumti nga publiku janë pikërisht Marco Carta, fitues i talent-shout “Amici” të para disa viteve dhe Elhaida Dani. Koncerti do të jepet direkt nga Raiuno në orën 21:15. Dhe menjëherë pas koncertit të sotshëm do të fillojë turi veror “Festival Show”. Rrugëtimi nis më 30 qershor në Padova për të vijuar në Castelfranco, Belluno, Vicenza, Rosolina, Lignano Sabbiadoro, Jesolo Lido, Mestre. Finalja do të mbahet më 10 shtator në Verona. 20-vjeçarja shqiptare do të këndojë në krah të emrave si Alex Britti, Enrico Ruggeri, Violante Placido, Paola e Chiara, Almamegretta, Paolo Meneguzzi, etj. Një vit me fat ky për Elhaidën…

Takimet me Elhaidën:
E hënë, 2 korrik
Milano, Mondadori ora 18:00
E enjte, 4 korrik
Romë, Discoteca Laziale ora 17:30
E premte, 5 korrik
Marcianise, Mondadori, Qendra Tregtare Campania ora 19:00

Albumi
Titulli: Elhaida Dani (Ep)
Shtëpia diskografike: Universal
CD Audio: Pop e rok italian
Çmimi: 10.20 euro
Disponibël edhe në MP3: 4.90 euro
Në shitje nga 2 korriku 2013

Përmbajtja
“Baciami e basta”
“When love calls your name”
“In the sky for a while”
“Mamma knows best” (Live)
“Adagio” (Live)
“Nessun dolore” (Live)
“When love calls your name” (Live)
(Panorama)

Elhaida Dani, Albumi I Parë Më 2 Korrik