>
BIOSHQIP

Elhaida Dani: “The Voice Of Italy” Ndryshoi Jetën Time

23-09-2013
Ajo është një këngëtare mjaft e talentuar dhe një fituese e lindur. Ka studiuar piano që në moshën 6-vjeçare në shkollën “Prenk Jakova” në Shkodër. Ka marrë pjesë në talent–shoun “Star Academy”, ku është shpallur fituese në vitin 2009. Më pas ka marrë pjesë në festivale ndërkombëtare si në Rumani, Bullgari etj. dhe në të gjitha është shpallur fituese e çmimit të madh.

Në vitin 2009 ka regjistruar këngën e saj të parë “Si asnjëherë”, por konkurrimi i saj në festivale fillon në Kënga Magjike 2008 ku këndoi "Fjala e Fundit" dhe më pas në vitin 2011, në festivalin e këngës në RTSH. Ajo këndoi “Mijëra Vjet” dhe u nderua me çmimin “Melodia më e mirë”. Në vitin 2013, Elhaida Dani merr pjesë në ”The Voice of Italy” dhe këngëtarja me zërin e saj magjepsës bëri një audicion të jashtëzakonshëm duke çuar në këmbë publikun dhe 4 trajnerët: Riccardo Cocciante, Raffaella Carrà, Piero Pelù dhe Noemi.

Ajo kishte zgjedhur këngën “Mama Knows Best” të këngëtares Jessie J. Kënga kërkonte një zë të fortë dhe interpretimi i Elhaidës mori komplimente nga të gjithë trajnerët. Piero Pelù e pyeti nëse emri i saj ishte “uragan”, por këngëtarja u përgjigj: “Quhem Elhaida dhe vij nga Shqipëria”. Ajo u zgjodh fituese e “The Voice of Italy” dhe bëri krenar çdo shqiptarë që e ka ndjekur këtë talent-shou. Elhaida dha një intervistë ekskluzive për gazetën “Zëri” dhe tregoi se cila rrugë e solli deri tek realizimi i ëndrrës së saj.

(nga biografia e Elhaidës në teksteshqip.com)

- Elhaida çfarë kujtoni nga fillimet e juaja të para në rrugën e këngës?
- Mbaj mend dëshirën time të madhe për të kënduar, por sidomos dëshirën për t’ia bërë të ditur këtë çdo njeriu. Ëndërroja shumë, gjëra që për mua atëherë tingëllonin të pamundura por asgjë s’më ndalonte të ëndërroja dhe të besoja që një ditë do i bëja këto ëndrra realitet, dhe kështu ndodhi.

- Cili ishte personi që ju ka shtyrë të merreni me muzikën?
- Personi që më ka shtyrë të merrem me muzikë që në fillim ka qenë mami, pasi ajo arriti të kuptojë e para talentin tim, pastaj e gjithë familja më ka qëndruar pranë gjithmonë duke më mbështetur pavarësisht çdo rrethane.

- Në cilat festivale keni marrë pjesë deri më tani?
- Në Shqipëri kam marrë pjesë në vitin 2009 në “Star Academy 4”, në Festivalin e RTSH-së, në Top Fest 9. Pastaj në dy festivale Rumani, një në Mal të Zi, katër në Bullgari dhe së fundmi tek “The Voice of Italy”.

- Keni pasur sukses në Top Fest, në Rumani dhe në “The Voice of Italy” si do ta shpjegonit ndjenjën kur fitoni?
- Çdo fitore apo edhe pjesëmarrje më jep emocione të veçanta, çdo fitore më kujton disa momente specifike të jetës sime. Dhe çdo pjesëmarrje e përjetoj në një mënyrë të ndryshme pasi çdo herë jam edhe më e rritur.

- Çfarë eksperience ishte për juve “The Voice of Italy”?
- Ishte një eksperiencë që më ka ndryshuar jetën në kuptimin e vërtetë të fjalës, por pa më ndryshuar mua. Kam punuar me njerëz që unë nuk mendoja se mund t’i njihja ndonjëherë, dhe pikërisht këta njerëz dhe eksperienca më kanë bërë të kuptoj shumë gjëra dhe t’i jem mirënjohëse Zotit dhe familjes sime për gjithçka që kam.

- Si ka ndryshuar jeta juaj që nga “The Voice of Italy”?
- Për momentin do jem më e fokusuar në Itali ndoshta edhe më gjerë, por sigurisht pa iu ndarë asnjëherë edhe publikut shqiptar.

- Cili do të jetë mesazhi i juaj për artistët e rinj të cilët nuk besojnë tek ëndrra e tyre, apo njerëzit të cilët kanë talent por jo guxim për të ndjekur ëndrrën?
- Do i këshilloja atë çfarë bëra unë. Jam një person që matem para se të veproj por kur më ofruan të merrja pjesë në “The Voice...” nuk e mendova dy herë, edhe pse nuk e dija se ku do jetoja, edhe pse nuk e flisja mirë gjuhën italiane, edhe pse isha vetëm 19 vjeç dhe do shpërngulesha e vetme të jetoja në Itali. Dhe mund të them që ishte ndër gjërat më të mira që kam bërë deri më tani.

- Ku po jetoni për momentin?
- Për momentin unë po jetoj në Itali.

- Çfarë do të presim nga ju në të ardhmen, cilat janë planet e juaja?
- Tani pas një vere të mbushur me koncerte është momenti i duhur për të marrë një pauzë dhe për t’u mbyllur në studio për të dëgjuar sugjerimet e krijimeve të reja, dhe kështu për të planifikuar projektet e reja.
(Medaura Grezda (Zeri))

Elhaida Dani: “The Voice Of Italy” Ndryshoi Jetën Time