>
BIOSHQIP

Elhaida Dani: Ka Ndryshuar Jeta Ime, Por Jo Unë

09-11-2013
Ajo është një nga zërat më të bukur që kanë mundur të zbulojnë kompeticionet muzikore në Shqipëri. pas famës në vendin e vet, Elhaida Dani kërkon t’i tregojë botës talentin dhe punën e saj. Nuk zhvishet teksa performon.

Madje, më skeptikët e kanë komentuar negativisht performancën e saj në Shkodër gjatë një aktiviteti të Medresesë që ndodhet në qytetin e saj të lindjes.

Mirëpo, këtë Elhaida e përcakton si një nga eksperiencat më të bukura që ka përjetuar. Të veshurit si myslimane për të nuk është veçse shfaqja e besimit fetar që ajo ka në shpirt.



E në fakt, ajo nuk ka nevojë të performojë me trup. Elhaida, mjafton vetëm të ngjitet në skenë. Pjesën e mbetur të duartrokitjeve me siguri do ta marë pasi të lëshojë notën e parë muzikore. Në këtë intervistë me “Shekullin”, ajo rrëfen hapat e parë dhe pjesën tjetër të karrierës së saj muzikore, që me siguri do të jetë e shndritur.

Është e vërtetë pjesëmarrja juaj në Sanremo?

Po punoj çdo ditë për të zgjedhur materialin e duhur për të marrë pjesë në Sanremo. Në qoftë se vendos të jem pjesëmarrëse në këtë festival duhet të kem patjetër një këngë që më përfaqëson totalisht. Pa gjetur një material të tillë pranoj edhe të mos jem pjesë e festivalit të Sanremos këtë vit. Pastaj nuk i dihet asnjëherë nëse më pret diçka më e mirë në vijim...



Çfarë projektesh të tjera ka në kokë Elhaida Dani?

Kjo është një periudhë e ngjeshur me projekte për mendjen time. Jam gjithnjë në studio duke studiuar, dëgjuar dhe krijuar. Është një periudhë 'pauze' ku mendohen dhe shqyrtohen planet e së ardhmes, prandaj dua të jem shumë e përqendruar që të bëj zgjedhjet e duhura për të ardhmen time.

Sa ka ndryshuar jeta e Elhaidës pas etiketimit “zëri më i mirë i Italisë”?

Sigurisht që, të shpallesha 'Zëri i Italisë' më ka dhënë shumë benefite, të cilat me përpara nuk i kisha. Që më datën 1 qershor jam në lëvizje, me koncerte e bashkëpunime që më përpara as nuk i mendoja që do të kisha fatin t'i përjetoja ndonjëherë. Ka ndryshuar jeta ime, por unë nuk kam ndryshuar.



Rrugëtimi yt muzikor? Si ka nisur një karrierë si kjo e juaja?

Unë mendoj se karriera ime sapo ka nisur. Në qoftë se ky do të ishte finalizimi i karrierës sime atëherë do të ishte një problem për mua. (qesh) Këndoj që kur isha shumë e vogël. Që në moshën 6-vjeçare studioj piano, gjë që më ka ndihmuar shumë në këngë. Për herë të parë kam kënduar para një jurie kur kisha 14 vjeç në “Ethet e së Premtes”. Pastaj çmimi im i parë erdhi në vitin 2009 në “Star Akademi 4” dhe që atëherë kam pasur fatin të këndoj edhe në skena të tjera jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj.

Skenat më të mira ku je ngjitur?

Është patjetër festivali i këngës në RTSH, Top Fest 9, koncerti që kam dhënë këtë verë në Amfiteatrin në hije të Coloseut në Romë, skena e “The Voice of Italy”, skena e “Festival Show”, Itali, “GIFFONI Film Festival” etj.



Si e pritët rezultatin e zgjedhjeve në Shqipëri? Ju gjatë fushatës keni mbështetur forcën politike që humbi në këto zgjedhje.

Fakti që kam pranuar të takoj Presidentin dhe Kryeministrin e Shqipërisë në një vizite pas fitores sime në “The Voice” bashkë me R. Coccianten, nuk do të thotë që bëja tifo për atë parti në zgjedhje. Ky është një sqarim edhe për të gjithë lexuesit. Të them të drejtën, pas një vere aq të angazhuar që kisha këtë vit nuk kam pasur as mundësinë të votoja për zgjedhjet në Shqipëri. Unë bëj tifo për atë parti që është e gatshme ta çojë Shqipërinë përpara, t'i ofrojë qytetarëve punë për të mbajtur familjet e tyre, të mbështesë të rinjtë në iniciativat e tyre, pasi t rinjtë e kanë në dorë të ardhmen e vendit. Bëj tifo për atë parti që një të nesërme u siguron një pension joqesharak prindërve të mi dhe u siguron fëmijëve të mi një të ardhme të qetë. Kjo është partia, e cila unë mbështes, qofte kjo demokrate, socialiste apo ambientaliste.

Cila është marrëdhënia juaj me fenë? Me besimin fetar?

I përkas besimit mysliman, dhe besoj në Zot.

Ju keni kënduar një sure. A është e vështirë të këndosh një këngë fetare? Çfarë emocionesh përjeton ndryshe teksa këndon një këngë të tillë?



Kam qenë e ftuar në një aktivitet në teatrin Migjeni të realizuar nga Medreseja e Shkodrës. Kur më kontaktuan për të marrë pjesë në këtë aktivitet sigurisht që pranova menjëherë dhe një kusht i këtij aktiviteti ishte të mbulohesha gjatë performancës. Ka qenë një ndër eksperiencat më të bukura që kam përjetuar deri më sot, pasi mendoj që kjo eksperiencë më ka sjellë edhe shumë fat. Pas asaj dite, menjëherë rrugët e karrierës sime filluan të hapeshin. Besimi të mbush qenien me shpresë. Prandaj them gjithmonë, për çdo sukses, ndiej të falënderoj vetëm familjen time dhe Zotin.

Një ditë me Elhaida Danin

Ajo do të pëlqente të vraponte përpara çdo performance

Pasionet, marrëdhënia me librat dhe gatimin. Për të gjitha këto nuk mund të mos e pyesnim Elhaidën. Ajo që na çudit në përgjigjet e saj është pasioni që të vrapuar përpara çdo performanve.



Çfarë nuk i pëlqen Elhaidës kur dëgjon muzikë në kanalet televizive shqiptare?

E vetmja gjë që më vjen keq është fakti që shumë këngëtarë të rinj që dalin mundohen të ngjajnë sa më shumë me ato që janë tashmë të famshëm, kur të rinjtë e kanë në dorë më shumë se askush të jenë të ndryshëm dhe të veçantë dhe të njihen pikërisht për këtë. Një këngëtare e re jam edhe unë, prandaj në hapat e ardhshëm që do të hedh do të mundohem të jem sa më origjinale dhe të mos jem kopja e askujt.

Çfarë do të doje të ndryshoje në tregun muzikor shqiptar?

Do të doja thjesht të zhdukja piraterinë. Për mendimin tim puna e çdo autori këngësh, tekstesh edhe e çdo këngëtari duhet vlerësuar duke blerë këngët e tyre (me çmime qesharake), dhe jo duke i shkarkuar ilegalisht ne internet. Vetëm kështu do të bënim të mundur që edhe niveli i muzikës shqiptare të rritej menjëherë, pasi do të ndiheshim të gjithë të motivuar për të punuar dhe krijuar edhe më tepër. Por jam e sigurt që do të vijë dita që kjo të bëhet realitet dhe talentet e mrekullueshëm shqiptarë nuk do të kërkonin me patjetër fatin dhe suksesin nëpër botë, pasi puna e tyre do të vlerësohet edhe në Shqipëri.



Çfarë marrëdhënieje keni me letërsinë? Lexoni?

Në shkollë ka qenë gjithmonë një ndër lëndët e mia të preferuara: Letërsia. Të lexoj është një ndër pasionet e mia. Kohët e fundit po i dedikohem librave motivues, mbi fizikën kuantike e botime të tjera të kësaj fushe. Janë me të vërtetë libra që më mësojnë shumë dhe më japin shumë pozitivitet. Libri im i preferuar është ai i Mike Dooley, “Hoë to make things happen”.

Çfarë marrëdhënieje keni me ushqimin? Gatuani?

Marrëdhëniet me ushqimin është e mirë kur më duhet të ha, të konsumoj diçka. Por nëse më duhet të gatuaj, marrëdhënia me ushqimin nuk është edhe aq e mirë. (Qesh) Por që kur kam zgjedhur të qëndroj në Itali, kam filluar të gatuaj ato ushqime që më pëlqejnë më tepër. Dhe mendoj se, nëse i dedikohem mund të jem mjaft aftë.

Ju pëlqejnë sportet?

Më pëlqen të vrapoj, sidomos para se të këndoj. Më çliron mendjen dhe trupin nga çdo gjë negative.
(shekulli)

Elhaida Dani: Ka Ndryshuar Jeta Ime, Por Jo Unë