>
BIOSHQIP

Eli Fara: Nuk Kam Partner Në Krah

07-07-2012
Mbi supe mban vite dhe kujtime. Prej kohësh i duhet të rendë pas koncerteve e prej tyre në shtëpi, ku e bija e pret me mall e dashuri. Ajo është gëzimi i jetës së saj, një jetë e ndarë në copëza. Marina, me sa kuptohet, është qetësia në familje dhe vetë familja. Kanë ndërtuar së bashku një marrëdhënie të veçantë sepse kanë qenë vetëm ato. Edhe pse duke "vrapuar" për t'i bërë të gjitha, Eli Fara si pakkush ia ka dalë mbanë të bëjë mirë të dy rolet. Është një nënë e mirë dhe një këngëtare e kërkuar. Sekretet e jetës së artistes së mirënjohur, duke fi lluar nga fëmijëria, tek shkolla e muzikës, në konkursin e së cilës shkoi me rroba borxh.

Ngacmimet e djemve dhe martesa, e cila zgjati shumë pak. Arsyet e 'divorcit' dhe marrëdhënia që ka sot me ish-bashkëshortin. Suksesi më i madh dhe momenti më i sikletshëm në skenë. Pushimet dhe makina. Dalja e parë jashtë Shqipërisë dhe Amerika, prej së cilës ka marrë vetëm kujtime të bukura. Këto dhe të tjera detaje nga vitet e ikonës së muzikës, sot në faqet e verës.

Si ka qenë Eli fëmijë?
Një çupkë e vogël, me fl okë të shkurtra fare, që këndonte nëpër shtëpi dhe që rrinte me veshin vetëm tek radio, se televizor nuk kishte në atë kohë. Çdo mëngjes shkoja me furçën e dhëmbëve në dorë tek çezma e fshatit për të larë dhëmbët. Të tjerët shkonin me kana dhe prisnin për të mbushur ujë, unë qëndroja në radhë për të larë dhëmbët.
Cilat kanë qenë lojërat e preferuara të fëmijërisë?
Loja me peta dhe lojaluftash (topadjegësi). Pas fëmijërisë dhe lojërave me peta në lagje vjen shkolla. Ndonjë episod të veçantë nga kjo periudhë. Që në vitet e para të shkollës rashë në sy si këngëtare. U bëra soliste e korit të shkollës, kur isha në klasën e katërt fi llore. Vazhdova për disa vite si soliste dhe sa herë që bëheshin festa me rastin e ditëve të veçanta, unë këndoja dy këngë solo. Gjatë kësaj kohe në shkollë vinin shumë profesorë, kompozitorë, muzikantë, që asistonin në këto koncerte. Ata pikasën talentin tim dhe u thanë mësuesve, që kjo vajza duhet të vazhdojë shkollën e muzikës sepse është e talentuar. Kështu, ma mbushën mendjen që të konkurroja për kanto në liceun artistik "Tefta Tashko"….
Mbaj mend që kur kam shkuar në konkurs, kam marrë borxh një bluzë të zezë dhe një fund bezhë të gjatë terital tek një komshia ime. Asaj i kishin ardhur peshqesh nga Amerika këto rroba dhe kur i vesha, më ra një nur i paparë. Sapo hyra në sallën ku ndodheshin profesorët, të cilët përbënin komisionin, dallova shikimin e tyre të çuditur, e vura re që u bëri përshtypje paraqitja ime. E ndjeva që dukesha mirë. Fitova konkursin dhe hyra në shkollë për kanto. Në vit të tretë të shkollës së mesme, bëhej Festivali i Gjirokastrës dhe na morën ne vajzave të kantos për një provë. Kompozitori Pavlo Sholla së bashku me Josif Mingën, na thanë këndoni nga një varg. Në kohën kur po këndoja unë, profesori tha: 'Ua rri pak këtu, ju të tjerat ikni'. Shkoi gjeti me vrap një kasetofon të vogël, vuri një kasetë dhe më tha këndoje prapë, ishte i bindur që e kish gjetur atë që kërkonte dhe donte ta regjistronte këngën time. 'Në orën 8 në mbrëmje duhet të vish këtu, të fillojmë provat për festivalin e Gjirokastrës', – më tha. Vajta në prova dhe atje u njoha me muzikantët më të mirë të Korçës, që nuk ishin të pakët, me instrumentistë virtuozë të muzikës popullore që kanë lënë materiale brilante në këtë fushë. Unë isha fare e vogël atëherë, mirëpo ajo eksperiencë më formoi, më ndryshoi jetën, më dha një drejtim. Ky ka qenë viti në të cilin u përcaktua, që unë do të isha këngëtare. Pata sukses në Festivalin e Gjirokastrës, kam kënduar një këngë kurbeti, ndonëse e vogël në moshë. "Nënockë s'të vjen keq" ishte një këngë dramatike e paparë. Sot kur e shoh atë filmim, çuditem që një fytyrë bebeje të këndojë një këngë kurbeti aq dramatike. Por ngjyra e zërit, që është melankolik dhe mbart pak element dramatik bëri që ata të guxonin e të më jepnin këngë kurbeti.

Më pas shkollimi juaj si vazhdoi?
Unë vazhdova shkollën, isha mexosoprano, mirëpo profesori im Josif Minga i thoshte vazhdimisht mësueses sime: "Mos u mundo shumë që të arrish ndonjë gjë me Elin, se kjo është këtu, është e lindur për këtë gjë, për këngën folk, këngën tradicionale".
A e ndoqët shkollën e lartë?
Jo, sepse unë u martova pa mbaruar vitin e katërt. U bëra vajzë rebele. Nuk munda që të shkoja në shkollën e lartë, të vazhdoja për kanto, por atëherë ekzistonte mundësia që me Liceun Artistik të hyje direkt mësuese në ciklin e ulët dhe unë në fund të vitit të katërt isha edhe shtatzënë dhe fillova punë direkt mësuese në ciklin e ulët në një fshat, shumë larg nga Korça. Megjithatë e kujtoj si një periudhë që ka ndikuar tek mendimet dhe formimi im, qoftë për punën, për sakrificën, mësova që çdo gjë që vjen do ta bësh, duhet ta bësh. Tre vjet kam punuar në atë fshat, ishte goxha larg, një orë e gjysmë në këmbë.
E bënit përditë?
Po, po, çdo ditë.
Në çfarë orë zgjoheshit?
Në 5:45, vonohesha shumë sa bëhesha gati dhe kisha një zakon atëherë, prej të cilit edhe sëmuresha shpesh pastaj, sepse nuk dilja nga shtëpia pa larë kokën, doja të më ndrisnin flokët dhe kisha onde goxha të mëdha. Thonjtë i mbaja të gjatë që në atë kohë, madje disa nxënës më thërrisnin mësuesja me thonj të gjatë.
Paskeni sjellë tendencë?
Po, për atë kohë ishte goxha tendencë, thonj të gjatë, pantallona kadife të ngushta fare. Mbaj mend që vishja një xhup lëkure që kishte një imitacion shkëlqimi në të. Kështu puna ime, pastaj vazhdova edhe në një fshat tjetër, por ndërkohë fillova edhe ciklin e ulët me korrespondencë në Elbasan. Kështu që kam bërë shumë gjëra.
Filluat të lartën?
Po, meqë po jepja mësim në ciklin e ulët fillova Pedagogjiken.
Në periudhën e gjimnazit ju ngacmonin djemtë?
Isha e vogël, 17 vjeçe. Sigurisht që të gjithë çunat shikonin, por kjo ishte para martesës. Pastaj nuk guxonte më njeri (qesh).
Si e kujtoni periudhën e martesës, lindjen e vajzës? Duhet të ketë qenë me shumë sakrifica, se ishit shumë e vogël dhe ju është dashur të ndaheni nga familja.
Sigurisht që ka qenë e vështirë. Periudhën e martesës nuk është se e kam të paqartë në kujtimet e mia, po ishte diçka që e bëja si në ëndërr. Ndoshta prej moshës, nuk e di.
Ishte zgjedhje e juaja apo e familjes?
Ishte një vendim që e mora unë. Familja ishte kundër. E vetmja gjë që kujtoj më së miri është lindja e vajzës. E kam përjetuar mirë shtatëzaninë. Nëntë muaj kam punuar shumë me shtiza dhe grep. Nuk kam lënë çarçafë pa qëndisur e pa i sajuar modele. Bëja triko të bukura, ato kuvertat që hidhnim në atë kohë. Kam punuar shumë, sikur do bëja pajën (qesh).
Ke ruajtur ndonjë prej këtyre punimeve?
Ngaqë isha e vogël, nuk ua dija rëndësinë. Unë i bëja dhe kënaqesha, po nuk arrija të mendoja që duheshin ruajtur. Vonë u kujtova për këtë pjesë dhe fillova të mendoj sa bukur është që t'i kesh. Disa kostume të Marinës arrita t'i ruaj dhe i kam edhe sot.
Dasmë keni bërë atëherë?
Jo. Nuk bëmë dasmë.
A ndikoi martesa në ndërprerjen e aktivitetit tuaj artistik?
Jo, nuk ndikoi. Shoqëria atëherë kishte një mentalitet tjetër. Gjërat ishin të përcaktuara. Nuk e ndërpreva aktivitetin tim artistik. Një vit e gjysëm pas lindjes u riktheva.
Kur ndodhi ndarja nga bashkëshorti?
Në moshën 20 – vjeçare unë isha e ndarë dhe vetëm me vajzën.
Si ishte përballja e vetme me jetën?
Tani që e mendoj mund të them që ka qenë e vështirë, por gjithashtu mund të them se nuk ka gjë të vështirë kur je i ri. Kur je i ri shemb edhe male. Të gjitha realizohen. Më vonë pastaj, kur formohesh dhe i kupton gjërat më mirë bën seleksionimin sepse nuk është mirë të harxhosh energji për diçka që nuk vlen.
Pse erdhi ndarja?
Arsyeja kryesore ishte arrestimi i tij. Ndodhi një sherr i madh midis grupeve, siç ndodh nëpër qytete të vogla. Gjatë sherrit pati dhe një vrasje, pati disa të dënuar dhe gjyqi vazhdoi për disa vite. Gjatë atyre viteve unë isha në qendër të bisedave që njerëzit bënin mbi këtë histori, por nuk më kanë vënë kurrë në siklet, asnjëherë nuk jam ndjerë keq. E kam përballuar me kokën lart. Gjërat ndodhin dhe unë jam një njeri që i marr vendimet shpejt e nuk e kthej kokën mbrapa të qaj për ato që ikën. Çfarë iku, iku.
A ruani kontakte me ish – bashkëshortin?
Jo. Kur përballemi me njëri – tjetrin përshëndetemi, themi një "mirëdita".
Po vajza komunikon me të atin?
Edhe Marina njësoj.

Cilin do të cilësonit si kulmin e karrierës suaj?
Vitin 1988 me këngën "Qeraxhiu". Një këngë që është legjendë dhe histori më vete. Pastaj viti '89 ku u bë "Mbrëmja e Këngës Popullore" ku unë shpërtheva dhe mora çmimin e parë.
Pastaj në "12 në Hollivud"…
Kjo pastaj ishte pas viteve '90, kur gjërat ishin shumë më ndryshe. Nuk merrnim më rroba borxh se na i sillnin nga jashtë, ishim më të zbukuruara, më të kuruara, më të formuara (qesh).
Si ishte dalja juaj e parë jashtë Shqipërisë?
Udhëtimin tim të parë jashtë unë e kam bërë me Ansamblin "Skënderbeu" në Turqi. Kjo u arrit me vështirësi pasi nuk po jepej miratimi i sigurimit të shtetit në atë kohë. Më pas me luftën e madhe të profesorëve të mi arriti të realizohej ai udhëtim. Rruga ishte për në Turqi dhe mbaj mend që kemi shkuar me makina të vogla. Ishim katër këngëtarë, Zeliha Sina, Afërdita Zonja, Arif Vladi dhe unë. Pjesa tjetër ishin valltarë dhe instrumentistë.
Si ju pritën atje?
Pasi kaluam kufirin, vendi i parë që ndaluam ishte Struga. Ngaqë ne atëherë nuk kishim drita, as sot nuk kemi në fakt (qesh), mua më dukej si përrallë, sikur shkëlqente çdo gjë. Edhe aty ndoshta nuk ka qenë ai ndriçim që duhej, por në krahasim me ne, ishin mrekulli. Më bënë përshtypje dritat. Një ëndërr, tamam si jashtë shtetit. Megjithatë unë nuk bëja zë. Ok, u kënaqa, po shëtisnim, me muzikantë, kishte atmosferë, por nuk po flisja, ndaj dhe kur po afroheshim pranë Stambollit një mikesha ime që është edhe sot një nga më të ngushtat që kam, ajo ka pagëzuar edhe vajzën time, më thotë: 'Moj, kemi dy ditë që udhëtojmë dhe ti nuk ke thënë asnjë fjalë. S'të bëri përshtypje asgjë?!'. Ajo kish dalë më përpara, dhe çuditej që unë nuk reagova. Që nga ajo kohë ma mban histori këtë. Por, përgjithësisht unë nuk jam nga ato që shprehem.
Pastaj koncertet atje, duke filluar edhe nga ushqimi, nga pijet, ishin diçka komplet ndryshe, ishin përjetime të këndshme. Ato pak lekë që na i jepnin si dieta i kursenim, që të blinim ndonjë gjë, sepse shqiptarët atëherë nuk ishin shumë të lidhur me botën dhe kur kalonin kufirin, bënin si të çmendur.
Çfarë bletë?
Çfarë s'kam blerë. Mbaj mend që bleva një kostum bojëqielli (pantallona dhe bluze). Kam blerë goxha gjëra, por edhe na dhuronin. Një komplet xhinse, fund me jelek që ma dhuruan atje bëri shumë bujë kur e vesha.
Ndonjë moment të pakëndshëm keni pasur në skenë?
Ka qenë në fakt një moment, në një eveniment në Amerikë ku kam kënduar me Aurelën. Duhej të këndonim bashkë himnin dhe gjatë gjithë kohës unë këndoja me gjithë forcë e shpirt dhe kur zbres nga skena më thonë ti e kishe të mbyllur mikrofonin. Dëgjohej vetëm zëri i Aurelës në mikrofon. Kur këndova këngën e dytë, mora mikrofonin dhe provova zërin në fillim, më zuri frika.
Si i kujtoni vitet në Amerikë?
Si më të mirat. Edhe për mënyrën e jetesës edhe në fushën e artit. Ishin më të mirat sepse jetoja shumë afër atij vendit ku këndoja, që ishte superluks.
Ju vetëm këndonit atje, nuk bënit ndonjë punë tjetër?
Po, vetëm këndoja dhe e kisha të sigurt çdo të premte e të shtunë. Të dielën lëviznim me koncerte në shtete të tjera, por ishte punë e qetë, me një shkëlqim të paparë, qarkullonin lloj lloj artistësh, kishte balerina. U bë si qendër e shqiptarëve, si pallat kulture. Pastaj javën e kisha të lirë për të lyer thonjtë, për bërë pazaret, për t'u bërë gati për weekend-in tjetër. Mësova trenat, lëvizja vetë gjatë gjithë ditës. Atmosfera në New York të jep ndjesinë sikur ke lindur atje, sikur ke qenë atje, sikur ke jetuar atje. Në vende të tjera nuk është se ta japin këtë ndjesi.
Na tregoni pak si është Eli si zonjë shtëpie?
Si karakter unë hyj në njerëzit tradicional. Gatuaj vetë, kujdesem që shtëpia të jetë e rregullt, po nuk jam ekstremiste.
Na flisni pak tani për marrëdhënien që keni krijuar me Marinën… Pavarësisht se ajo është vajza juaj, mund ta kishe edhe motër.
(qesh) Me Marinën e kam thënë shpesh herë që shkoj për mrekulli. Marina ka qenë një fëmijë shumë i qetë, nuk më lodhte, nuk qante. Ishte një bionde e lezetshme me flokët e bardha të drejta, sytë i ka pak jeshilë Marina dhe binin gjithmonë në sy. Më dëgjonte për çdo gjë që i thoja, d.m.th kam qenë e mbushur, edhe jam. Kam Marinën që më mbush gjithçka. Pastaj kur fëmija rritet, sigurisht që kërkon edhe pa vetëdije, një liri të vetën sepse rritet dhe do që të jetë dikushi, të krijojë atë personalitetin e vet dhe kjo shpesh herë nënave nuk i pëlqen. Për mua Marina është ende ajo vajza e vogël, s'ka rëndësi sa është rritur dhe që mund të krijojë jetën e saj nesër.
Jeni shoqe, i besoni sekrete njëra – tjetrës?
Jemi shoqe, por unë jam prapë në atë rolin nënës, me kërkesa të pafundme. Duhet që të jetë çdo gjë perfekte dhe Marina nuk duhet të bëjë asnjë lloj gabimi (qesh).
Flasim pak për muzikën. Çfarë projekti keni në dorë?
Duke qenë se këngën popullore e kam timen, nuk kam më çfarë sjell të re në muzikën popullore, duhet të bëj këngë të reja natyrisht, por atë e kam në xhep si gjini, mendoj të sjell diçka të re tek balada. Balada më çmend si gjini, më emocionon dhe e ndjej që e kam pasur dikur, por nuk e dija. Meqenëse ato që kam provuar deri tani kanë qenë të suksesshme, që nga 'Sonata', 'Vjeshta', 'Po të pres', 'Dielli i ëndrrave të mia', etj, mendoj të mbetem këtu. Janë këngë, që unë kur jam në një koncert që ia vlen të paraqitesh si artiste, jam krenare kur filloj t'i këndoj. Ndihem vërtet shumë mirë dhe shoh edhe reagimin e publikut që është i njëjtë. Kënga e fundit, "Vetëm Sonte" ishte në një farë mënyrë surprizë, më mbushi mjaft dhe e gjeta veten plotësisht aty. Gjithsesi nuk do ta lë pas dore as muzikën popullore.
Kë doni më shumë nga këto dy gjini?
Të dyja i dua shumë. Duhet të kem personalitet të dyfishtë siç duket (qesh).
Si i kujtoni pushimet e para?
Ne korçarët kishim Pogradecin afër dhe në Pogradec i kam bërë pushimet e para. Unë kisha hallën atje dhe shkoja verës shpesh. Pastaj edhe me vajzën, çdo verë. Nuk vinim këtej, ndoshta ngaqë s'kemi pasur të afërm këtej nga bregu. Pastaj kam shkuar në Greqi, nëpër ishujt e Greqisë. Kam vëllezërit në një ishull shumë të bukur me të cilin jam dashuruar, megjithëse kur shkova herën e parë thashë këtu qenka shumë larg, nuk vij unë kaq larg, por pastaj më pëlqeu jashtëzakonisht atmosfera, uji. Përpara Greqisë kam shkuar edhe në Antalia një vit, bashkë me gocën dhe atje e kam mësuar notin. Kam qenë 25 – 26 vjeçe. Nuk dija deri atëherë, se kur shkoja në liqen futesha në ujë, por nuk dija not. Ndoshta deti më mbajti mbi vete. Thonë që është e vështirë ta mësosh notin në moshë të rritur, por unë ia dola. Kam qenë edhe në Spanjë për pushime. Edhe atje ishte shumë bukur, por uji ishte shumë i ftohtë. Doja patjetër të shkoja në Spanjë, ngaqë unë e dashuroj botën latine.
Po këtë vit keni bërë plane?
Sivjet nuk kam ndonjë plan, ngaqë rri më shumë në Durrës dhe kur e ke detin përditë aty, thua ku do të shkoj.
Domethënë verën e kaloni në Durrës?
Po, gjatë verës qëndroj shumë aty. Sot erdha në Tiranë për intervistën. Qëndrimi në një vend është i lidhur ngushtë me angazhimet.
Eli a ka një partner në krah?
(qesh) Kam shumë kërkesa, po asnjë partner në krah. Unë kam shumë gjëra që më mbushin.
Dimë që jeni shofere shumë e mirë. Kur e keni marrë makinën?
Kam qenë nga të parat që kam pasur makinë. Makinën e kam marrë në '93, kur pak ishin parë makinat. Kisha një benz dhe bëja vetë rrugën nga Korça në Tiranë. Atëherë, siç e thashë nuk kishte shumë makina dhe në Tiranë bije në sy, wow një këngëtare me makinë. Pastaj e lashë makinën për një kohë, tani e kam prapë. Gjithsesi më pëlqen që në rrugë të gjata, të jem pasagjere, të jem në atë botën time, të shijoj udhëtimin.
Si ia bën Eli që të jetë po kaq e bukur edhe sot, pasi di që nuk keni asnjë ndërhyrje?
Duket besoj. Nuk jam kundra ndërhyrjeve, por nuk e kam ndjerë veten keq, aq sa për të ndërhyrë. Po të mos ndihesha rehat do të kisha bërë edhe unë ndonjë gjë. Më duket mëse normale edhe hija e ndonjë rrudhe, madje edhe shenja që kam në ballë.
Ç'është kjo shenjë?
E kam peshqesh nga një aksident që kam bërë me makinë në vitin 1995.
Keni menduar për ndonjë ndryshim në look këto kohë?
Ndryshime të vogla, por brenda karakterit tim. D.m.th nëse ka vite që i mbaj flokët e drejta dhe njerëzit kanë harruar që unë vetë jam kaçurrelse, me ondet e fundit që kam përdorur në videon "Vetëm sonte", më ka pëlqyer vetja, ndaj kam menduar t'i alternoj të dyja modelet. Edhe të zezën e famshme që unë kam goxha kohë që e mbaj, këtë vit e kam zbutur dhe po kaloj në këto ngjyrat e ngrohta.
Sa shpenzoni për veten, për kurimin e imazhit?
Shpenzoj aq sa e kam takatin (qesh). Sa më shumë të kesh, aq më shumë shpenzon.
Jeni e fiksuar pas modës?
Më pëlqen ta ndjek modën. Mënyrën e të grimuarit, provoj që ta ndryshoj, qerpikët më pëlqejnë, i përdor nëpër koncerte, nëpër mbrëmje. Për veshjet sigurisht jam tepër e dhënë, nuk lë revistë mode pa blerë, e pa parë se ç'bëhet. Por nuk është se dua patjetër koleksionin e fundit, mjafton që të më pëlqejë mua dhe unë të ndihem mirë. Ndodh p.sh. që të shoh veshje në dyqan dhe të them kjo është Eli, gjej veten në to. Vendi që dashuroj të bëj shopping është New York-u.
Me koleget ç'raport keni krijuar?
Me të gjitha këngëtaret shkoj shumë mirë.
Edhe me këngëtaret e reja?
Po, edhe me ato sepse njeriu kur është komod me veten është me të gjithë. Kjo ka ndikuar që unë të jem mike me të gjitha. Sigurisht që ka nga ato që i kam më të afërta, ndoshta disa që na ka lidhur më shumë puna siç është Aurela, Merita Halili, Gëzim Nika, Ermira Babaliu, etj. Kemi hapur edhe barkun me njëra – tjetrën, edhe flasim dhe takohemi më shpesh. Përgjithësisht pozitiviteti mes të gjithë njerëzve të artit ekziston.
A janë të pasur artistët Eli?
Nuk besoj se ka shumë vlerë pasuria monetare, për mua vlen ai njeri që ka diçka brenda vetes. Nuk ka rëndësi sa shtëpi ke, rëndësi ka sa i lumtur.
Një mesazh për fansat që po lexojnë këtë intervistë.
Të bëjnë qejf këtë verë. Të jetojnë jetën për sot. Një thënie më ka pëlqyer shumë, ma ka thënë dikur një zotëri nga Prishtina: Më shumë se dje, më pak se nesër. E kam pasur si moto për një kohë të gjatë.
(Eraldo Rexho Gazeta Shqiptare)

Eli Fara: Nuk Kam Partner Në Krah