>
BIOSHQIP

Eli Fara, Nga “Qeraxhiu” Te Kënga Cigane

15-10-2012
E mbani mend Qeraxhiun? Po po, atë të Grebenesë? E kush nuk e ka dëgjuar të paktën njëherë atë këngë të Eli Farës. Sot, në këtë fundjavë me "Shekullin" do të flasim për këngëtaren që me zërin e saj ka bërë për vetë të rinjtë e para viteve 90' por edhe të sotmit. Pëlqimi që ka publiku për të nuk ka moshë, ashtu siç edhe vetë Eli Fara. Duket sikur vitet nuk kanë kaluar.

Pjesëmarrja e saj në festivalin "Kënga Magjike" do të linte më gojë hapur adhuruesit e muzikës së saj. Eli nuk është frekuentuese e festivaleve, por në një bisedë me ne na pohon se ndoshta ishte momenti i pjesëmarrjes në këtë konkurrim.

"Është një këngë cigane, i këndohet lirisë së romëve dhe harmonisë që ata kanë me jetën". Sipas Elit, ideja dhe realizimi i këngës ishte i Adi Hilës, po ashtu edhe për bashkëpunimin me grupin korçar rom, një ide pohon Eli, që u përqafua menjëherë nga ajo. "Doja një këngë me ritme ballkanike. Në të ndërthuren shumë bukur violina, zëri, muzika…". Komentet që ka marrë nga njerëzit kanë qenë si asnjëherë tjetër.

E para është fjala

Edhe pse ajo i ka kënduar përherë dashurisë, asnjëherë nuk kemi mundur të hyjmë në jetën e saj private. Eli pohon se teksti është një nga pikat e dobëta kur ajo merr një këngë për të kënduar. "Jam maniake në përzgjedhjen e tekstit", rrëfen këngëtarja duke shtuar se, "nëse fjalët nuk janë të bukura, nuk mund ta këndoj një këngë". Brenda këngës ajo synon t'i këtë të gjitha, poezinë, provokimin, flirtimin, dashurinë dhe rebelimin.

"Nën kurorën e ullirit"

Pakkush e di se si ka nisur rruygëtimi i Elit drejtë muzikës. E kemi pyetur për fillimet e saj dhe na ka rrëfyer se, ka kënduar gjithmonë për veten kur ishte e vogël dhe më pas në korin e shkollës. Për herë të parë në skenë ka dalë në klasën katërt fillore dhe kjo ka qenë një ndër daljet e saja me emocionuese. Me kalimin e kohës Eli tregon se konkurroji për kanto, ku ishte prezantuar me këngën "Nën kurorën e Ullirit" dhe me një këngë popullore. Shumë gjera i kanë ardhur vetë, madje shpesh i kanë thënë të tjerët: "bëje se ke një gjë që duhet ta bësh"!

Shkëlqimi në 1983

Ajo vazhdonte liceun në qytetin e lindjes, në Korçë, dhe ishte "Vip" në atë qytet. Në shkollën e muzikës të gjithë këndonin, pasi për atë kishin shkuar aty, të merrnin mësime në kanto. Eli na rrëfen se shkëlqimin e ka pasur në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, në vitin 1983, ku me sinqeritet tregon se ka ndjerë privilegjet e një personi që ka diçka të veçantë. "Isha vetëm 15 vjeç" – tregon – "dhe shokët e shoqet e klasës më kishin zili që unë ndiqja në mënyrë intensive provat e festivalit".

Çmimi i parë

Eli do të ndjente që ishte bërë e famshme në fund të viteve 80. Kjo famë kishte të bënte pikërisht me pjesëmarrjen e radhës në Festivalin e Gjirokastrës në vitin 1989. Aty ajo fitoi Çmimin e Parë dhe mori vulën e këtij çmimi mes gjithë atij tempulli këngëtarësh që kishin vite eksperiencë. Për Elin këto ishin hapat vendimtare drejt famës aq sa ajo tregon se: "Ishte një arritje e madhe, edhe pse unë deri në fund isha si e çuditur, "bën vaki?!" (qesh). Para këtij çmimi ajo kujtohej për këngën "Qeraxhiu" e vitit 1988.

Vajza rebele

Ajo nuk e ka vazhduar shkollën e lartë direkt pas përfundimit të liceut, por disa kohë më pas. Ka ndjekur Pedagogjiken, pasi dashuria "ia mori" mendjen shpejt. Këngëtarja na tregon se: "Unë u martova pa mbaruar vitin e katërt. U bëra vajzë rebele. Nuk munda që të shkoja në shkollën e lartë, të vazhdoja për kanto, por atëherë ekzistonte mundësia që me Liceun Artistik të hyje direkt mësuese në ciklin e ulët dhe unë në fund të vitit të katërt isha shtatzënë dhe fillova punë direkt mësuese në ciklin e ulët në një fshat, shumë larg nga Korça. Megjithatë e kujtoj si një periudhë që ka ndikuar tek mendimet dhe formimi im për punën dhe sakrificën. Mësova që çdo gjë që të vjen ta bësh, duhet ta bësh. Tre vjet kam punuar në atë fshat, ishte goxha larg, një orë e gjysmë në këmbë" – rrëfen ajo ndërsa humbet në kujtime.

Sakrificat e një nënë…

"Të rrisësh një fëmijë në një kohë që je përherë në udhëtim, të dalësh nga një vend i mbyllur me mentalitet tjetër dhe të fillosh të këndosh në vende të reja, ka qenë një periudhë eksperimentale, shumë e panjohur për ne". Kështu shprehet Eli kur e pyesim se si është ndjerë dhe si e ka përballuar të qënit nënë. Ndërsa me kalimin e viteve gjerat për të kanë ndryshuar. "Me Marinën e kam thënë shpesh herë që shkoj për mrekulli. Ajo ka qenë një fëmijë shumë i qetë, nuk më lodhte, nuk qante. Ishte një bionde e lezetshme me flokët e bardha të drejta, sytë i ka pak jeshil dhe të bënte përshtypje direkt. Më dëgjonte për çdo gjë që i thoja, domethënë kam qenë e mbushur, edhe jam".

Jeta në Tiranë

Për shumë vite Eli Fara ka jetuar në Amerikë. Ndërsa kujton atë kohë, ajo pohon se: "Vitet e Amerikës i kujtoj si më të mirat. Edhe për mënyrën e jetesës edhe në fushën e artit. Ishin më të mirat sepse jetoja shumë afër atij vendit ku këndoja, që ishte super-luks. Puna ime ishte vetëm të këndoja dhe e kisha të sigurt çdo të premte e të shtunë. Të dielën lëviznim me koncerte në shtete të tjera, por ishte punë e qetë, me një shkëlqim të paparë, qarkullonin lloj-lloj artistësh, kishte balerina etj. U bë si qendër e shqiptarëve, si Pallat Kulture. Pastaj javën e kisha të lirë për të lyer thonjtë, për të bërë pazaret, për t'u bërë gati për fundjavën tjetër. Mësova trenat, lëvizja vetë gjatë gjithë ditës. Atmosfera në Nju Jork të jep ndjesinë sikur ke lindur atje, sikur ke qenë atje, sikur ke jetuar atje. Vendet e tjera nuk është se ta japin këtë ndjesi" . Sot ajo jeton në kryeqytet dhe këtu nuk i mungojnë aktivitetet. Së fundmi ato për 100-vjetorin e Pavarësisë.

E bukura Eli…

Mosha dhe pamja e saj është diskutuar aq shumë, sa në çdo program televizivë ku bëhet fjalë për plakjen dhe parandalimin e saj, një nga personazhet që merret shembull është këngëtarja Fara.

Janë të shumtë ata që kur e shohin në televizor thonë: Si nuk është plakur kjo femër?! Mund të themi pa frikë që është një ikonë bukurie. Nuk mbahet mend që kur i ka kënduar 25 gërshetave dhe sot floku i saj ruan të njëjtin shëndet dhe shkëlqim. Po ashtu pamja e saj të bën kurioz dhe gjithmonë e më shumë dëshiron ta pyesësh; na trego edhe ne, çfarë përdor? Mos u merakosni, e kemi bërë ne për ju. Kemi folur me të dhe na ka treguar sekretin e të qenit gjithmonë me një lëkurë të bukur e të freskët. Eli tregon se e pastron fytyrën çdo ditë me xhelin që ajo ka zgjedhur të aplikojë dhe nuk ka mbajtur një linjë kremrash gjatë këtyre viteve. Njëherë në gjashtë muaj ndërron kremrat që përdor për fytyrën dhe këto janë të ndryshëm. Njëherë në javë aplikon maska në fytyrë, jo vetëm ato të blerat në kozmetikë, por edhe natyralet. Disa nga ato janë, kosi, mjalti… Një tjetër sekret: ushqimi. "Edhe unë abuzoj" – tregon këngëtarja "por në më të shumtën e kohës mundohem të jem e kujdesshme, konsumoj shumë fruta dhe ujë".

Njeriu nuk rresht së dashuruari

Dy dashuritë e mëdha të sajat që kanë dal në pah janë, vajza dhe muzika, për të tjerat ajo nuk ka folur asnjëherë. Edhe sot, shprehet se: "Puna nuk të tradhton dhe sigurisht dashuria për fëmijën mbetet dashuria më e madhe për një njeri. Dashuri të tjera, nuk është që nuk kam dashuruar, si çdo femër. Unë nuk e quaj normale që të them që s'kam dashuruar apo nuk dashuroj. S'ka kuptim, nuk është njerëzore. Ato gjëra që ndiej në atë pjesë, janë pjesa ime. Nuk dua ta ndaj me të tjerët, është privatësia ime. Mendoj se njeriu nuk rresht së dashuruari"- përfundon Eli.

Eli si shofere

"Kam qenë nga të parat që kam pasur makinë. Makinën e kam marrë në '93. Kisha një Benz dhe bëja vetë rrugën nga Korça në Tiranë. Atëherë, siç e thashë, nuk kishte shumë makina dhe në Tiranë bije në sy. Pastaj e lashë makinën për një kohë, tani e kam prapë. Gjithsesi më pëlqen që në rrugë të gjata, të jem pasagjere, të jem në atë botën time, të shijoj udhëtimin".
(Entela Resuli Gazeta Shekulli)

Eli Fara, Nga “Qeraxhiu” Te Kënga Cigane