>
BIOSHQIP

Ermal Fejzullahu: Muzika Sot, Mes Vlerës Dhe Biznesit...

10-10-2014
Pas një sezoni të ngarkuar me mbrëmje dhe koncerte të ndryshme, këngëtari Ermal Fejzullahu nuk ka ndërmend të ndalojë as në stinën e vjeshtës. Ai në një intervistë për gazetën Tribuna, ka treguar se është duke punuar në disa këngë të reja që do të dalin shumë shpejt. Ndër të tjera, ka folur edhe për vlerën e muzikës dhe shumëçka tjetër.

Talentin që e posedon për muzikën e ka të zbuluar qysh në moshën 6-vjeçare. Karrierën e filloi me një këngë që e kishte në bashkëpunim me motrën e tij, Bulzën, këngë kjo që quhej ‘Trashe’. Vite më vonë duke u rritur në moshë, ai filloi të gëzojë edhe popullaritet. Është ky këngëtari Ermal Fejzullahu, tashmë njihet si njëri ndër emrat më të kërkuar të skenës sonë.

E kërkueshmëria e këngëve të tij ka bërë që Ermali edhe pas sezonit veror mos të ndalet duke punuar në këngë të re. Ai në një bisedë për gazetën Tribuna ka treguar se tani për tani është duke punuar në dy këngë, njëra prej të cilave do të jetë në bashkëpunim me Sabri Fejzullahun. “Jam duke punuar në dy këngë të reja, njëra do të jetë solo kurse tjetra është në bashkëpunim më babin tim Sabri Fejzullahun.

Që të dy këngët janë punuar nga Virusi dhe shumë shpejt do të lansohen njëkohësisht”, ka thënë Ermali në fillim të bisedës. Gjithashtu, këngëtari ka treguar se kënga që është në duet do të realizohet edhe me videoklip. “Kënga që është me babin do të realizohet edhe me videoklip, edhe pse, ende nuk kam vendosur se me kë do e punojmë por besoj që do të jetë me produksionin muzikor ‘EMF Creative’. Kënga do të ketë një përmbajtje interesante dhe tematika e saj është një histori dashurie”, ka shtuar ai.

Përfitimet nga vera, të kënaqshme

I pyetur se a do të ketë ndonjë bashkëpunim tjetër për këtë vit, Ermali ka treguar se pas disa muajve do të krijojë edhe një këngë në bashkëpunim me reperin Lumi B, por nuk ka dashur të japë më shumë detaje. Ndërsa sa i përket albumit, Ermali ka thënë se tani për tani nuk do të ketë album të tillë mirëpo albumin do të dal në verën e vitit të ardhshëm. “Album nuk do të ketë tani mirëpo sigurisht që gjatë stinës së verës të vitit tjerë do të dal edhe albumi im i radhës”, ka shtuar këngëtari.

Ermali gjatë kësaj vere ishte shumë i angazhuar edhe me mbrëmje të ndryshme muzikore dhe ka treguar se ka qenë i pranishëm kudo në trojet shqiptare. “Po edhe këtë vit sikurse herët e tjera kam qenë i angazhuar me mbrëmje të ndryshme muzikore dhe gjithmonë kam kaluar mirë aty ku më kanë ftuar”, ka thënë Ermali. E gjithë këto mbrëmje shpërblehen me përfitime me të cilat këngëtari është ndarë shumë i kënaqur. “Jam i kënaqur me përfitime, ato janë shpërblim i punës që ne e bëjmë edhe pse nuk janë shumë të mëdha por mjaftojnë sa për të jetuar”, ka nënvizuar Fejzullahu.

Nga gjithë përfitimet materiale që i kanë, muzika ka filluar që të qëndrojë në mes të biznesit dhe vlerës artistike. Ky është së paku mendimi i këngëtarit. Ai ka thënë se muzika është botë në vete por edhe që shpërblehet. “Muzika i takon një bote të veçantë por që normalisht edhe paguhet. Unë i paguaj tatimet ndaj shtetit dhe muzikën e bëj për qejf, kështu që muzika qëndron edhe si biznes por edhe si vlerë”, ka theksuar këngëtari.
I pyetur në fund të bisedës se a do ta rrisë numrin e anëtarëve të familjes, Ermali ka thënë se për momentin nuk është duke menduar për një gjë të tillë. “Unë jam baba i tre fëmijëve dhe falënderoj Zotin që janë të shëndoshë dhe urojë që të kenë jetë të lumtur, ndërsa se a do të kem edhe një tjetër fëmijë apo jo, thënë të drejtën nuk kam menduar për një gjë të tillë deri me tani” ishin fjalët e këngëtarit./Tribuna/
(Indeksonline)

Ermal Fejzullahu: Muzika Sot, Mes Vlerës Dhe Biznesit...