>
BIOSHQIP

Ermal Mamaqi: Ndihem I Lumtur Si Baba Dhe Për Herë Të Parë Po Më Shijon Pagjumësia

05-10-2013
“Dita më e bukur në jetën tonë. Erdhi në jetë djali ynë, Joeli”, ishte ky mesazhi që çifti i njohur, Ami Toska dhe Ermal Mamaqi, u dërguan miqve të tyre, si dhe fansave më 30 shtator, dita kur u bënë prindër për herë të parë. Aktori i njohur i humorit, që së fundi ka qenë më aktiv në muzikë, e ka ndarë me fansat këtë ngjarje të veçantë në jetën e tij, ndërkohë që Ami dhe djali i tyre Joel janë kthyer tashmë në shtëpi dhe gëzojnë shëndet të plotë. I pyetur nga gazeta “Panorama” për ndjesitë e të qenët baba dhe si po i përjeton këto ditë të para me mysafirin e vogël në shtëpi, Ermali pohon se: “Ndihem i lumtur si baba dhe për herë të parë po më shijon pagjumësia”. Ami u shkëput nga ekrani për të pasur një shtatzëni të kontrolluar, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe u kujdes për përgatitjen e dhomës së bebes. Çifti i 31-vjeçarëve e mbajtën sekret emrin e djalit deri ditën e lindjes. Ata kanë vendosur ta quajnë djalin e tyre Joel (Zoti dhe Perëndia), pra me një emër biblik.
Ermal Mamaqi sapo ka nisur prindërimin e tij dhe nuk heziton aspak të bëjë edhe pak humor me veten.
“Kam kap rekord këtë javë. Qëndrimi më i gjatë në shtëpi. Eh... filloi prindërimi... Happy!”, shkroi ai në faqen e tij në Facebook ditën e sotme.
Me anë të kësaj fotoje ai ka treguar edhe dhomën e Joelit, e cila është dekoruar me të bardha dhe me një diell të madh sipër krevatit. Ndërkohë Ermalin e shohim me një arush në dorë dhe siç ai ka thënë vet, tashmë orët që ai do të kalojë në këtë dhomë do të jenë më të gjata.
(Panorama)

Ermal Mamaqi: Ndihem I Lumtur Si Baba Dhe Për Herë Të Parë Po Më Shijon Pagjumësia