>
BIOSHQIP

Ermal Mamaqi Risjell Në Jetë Komedinë Shqiptare

25-11-2013
Sallat e mbushura plot me të rinj, që qeshin edhe kur aktori s’ka nxjerrë asnjë fjalë nga goja.

Posteri i filmit “Femrat”
Me gjasë, sallat e kinemasë kishin kohë që nuk shihnin aq shumë njerëz. Sidomos në oraret e drekës, kur mbaron mësimi për gjimnazistët dhe bileta është më e lirë.
Në fakt, nuk po shfaqet ndonjë fitues apo kandidat “Oskarësh”, me ndonjë kast aktorësh stelar… Bëhet fjalë për një film shqiptar. Është “Femrat”, një komedi me regji nga Rudina Vojvoda dhe skenar nga Koloreto Cukali, që jo vetëm po mbush sallat e kinemave në Tiranë, po ku publiku hyn e del duke mbajtur brinjët me dorë nga të qeshurit. Ende pa dalë bilancet e dyjavëshit që filmi do të qëndrojë në kinema, është e dukshme që ai po thyen rekordin e shikueshmërisë të çdo filmi tjetër shqiptar të shfaqur në kinema. Zakonisht filmat shqiptarë rezultojnë më pak të ndjekur se çdo film tjetër i huaj, në kinema, madje ndonjë syresh është hequr nga kinemaja, për shkak të shikueshmërisë së ulët. Dhe bëhet fjalë për filma të regjisorëve më të mirë shqiptarë, interpretuar nga aktorë shumë të mirë dhe me buxhete të mëdha nga pas. “Femrat” nuk hyn te “peshat” e rënda, megjithatë më i shikuari…

Enxhi Cuku dhe Ermal Mamaqi në filmin “Femrat”
Filmi
Për ata që nuk e kanë idenë se për çfarë flet filmi “Femrat”, me dy fjalë: Një 30-vjeçar, që ende nuk mendon se i ka ardhur koha për martesë, vendoset përpara presionit të së ëmës, e cila do me çdo kusht ta “rregullojë”, duke i gjetur lloj-lloj “rastesh”… Kush më shumë e kush më pak e ka në shtëpi një mama të tillë, që mezi pret ta shohë djalin ose vajzën të martuar e me fëmijë, pavarësisht konceptit që fëmijët kanë për jetën e, në rastin konkret, për martesën. Personazhi kryesor Riku është një avokat divorcesh, që puna e përball me një rast të vështirë, ku një grua do të ndahet me çdo kusht nga i shoqi, që vuan dënimin në burg. Gjatë peripecive të Rikut, i cili nga njëra anë përndiqet nga e ëma dhe, nga ana tjetër, nga rasti i vështirë i divorcit që po ndjek, ndeshet me një vajzë, me të cilën dashurohet, por do ca kohë ta kuptojë… Ajo çka po tërheq publikun te “Femrat”, me shumë gjasë nuk është tema aktuale, pasi pjesa më e madhe e shikuesve janë nxënës shkollash, çka nuk i bën ata njësh me personazhin. Nuk është niveli artistik i realizimit të filmit, i cili më shumë është një telekomedi me një buxhet modest…

Ermal Mamaqi dhe Robert Aliaj në filmin “Femrat”
Sekreti është… Mamaqi
Pa lënë mënjanë lojën e aktorëve të tjerë, që ishin secili shumë mirë në personazhin që u ishte besuar, duke filluar që nga Zamira Kita në rolin e mamasë, Olta Dakut, në rolin e dy binjakeve kandidate për nuse, te Salsano Rrapi, një taksist pak i frustruar nga e shoqja, madje dhe Robert Aliajt i shkonte roli i një të burgosuri… “Sekreti” i këtij prodhimi shqiptar, është Ermal Mamaqi. Kjo mund të verifikohet shumë lehtë. Publiku qesh sapo sheh në titra emrin e Mamaqit, qesh sapo sheh portretin e tij, ende pa hapur gojën. Publiku qesh me Ermal Mamaqin me çdo batutë, edhe kur ajo nuk është për të qeshur… Kjo lloj simpatie e ndjek artistin Ermal Mamaqi, që në kohët kur ai ishte pjesë e spektaklit “Portokalli”, për të vijuar më tej tek “Apartamenti 2XL”. Madje edhe kur këndon, Mamaqi vlerësohet më shumë për batutat pas interpretimit të këngës… Kështu që regjisorja jo pa qëllim ka zgjedhur Ermalin… Me shumë gjasë, filmi nuk do të kishte atë sukses që po njeh tashmë, duke u kthyer madje në një fenomen, nëse Riku nuk do të luhej nga Ermal Mamaqi. Shkurt, publiku do Ermal Mamaqin.

Skeda e filmit
Titulli: Femrat
Gjinia: Komedi
Aktorë: Ermal Mamaqi, Salsano Rapi, Zamira Kita, Olta Daku, Eriona Kakeli, Enxhi Cuku, Robert Aliaj, Andia Xhunga, Besmir Bitraku, Besart Kallaku, Marko Bitraku etj.
Regjia: Rudina Vojvoda
Skenari: Koloreto Cukali
Prodhoi: Adam Pray, Koloreto Cukali
Kompania me qendër në New York, Rucksack Productions

Suksesi i komedive
Përfundimisht publiku është më i prirë drejt komedive. Këtë po e dëshmon filmi “Femrat”, i cili nisi të shfaqet në kinematë e Tiranës në “Millenium” dhe “Imperial” më datë 14 nëntor. Jo pak herë ka ndodhur që filma fitues të shumë çmimeve “Oskar”, me aktorë të jashtëzakonshëm, kanë rezultuar më pak të ndjekur se çdo komedi e zakonshme. Këtë e kanë kuptuar disa regjisorë shqiptarë, të cilët kanë nisur të realizojë seriale komikë nëpër ekrane televizive. Por dyshja Rudina Vojvoda-Koloreto Cukali guxuan ta nxjerrin këtë zhanër nga ekrani i vogël tek ai i madh dhe rezultuan të suksesshëm…
(Alma Mile/Panorama)

Ermal Mamaqi Risjell Në Jetë Komedinë Shqiptare