>
BIOSHQIP
Biografia
Fatmir Bajra, është një emër i ri në muzikën rapsodike shqiptare, i cili është afirmuar po kështu pas luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i kënduar trimave e trimëreshave, që dhanë gjakun e tyre të pastër për liri, pa e anashkaluar traditën e begatshme muzikore të Drenicës dhe muzikës rapsodike shqiptare, në përgjithësi. Fatmir Bajra ka sjellë në muzikën rapsodike shqiptare elementin unifikues duke tejkaluar shumë lehtë krahinarizmin, që është karakteristikë e pa anashkalueshme e këndimit dhe duke krijuar një stil po ashtu origjinal, të mrekullueshëm. Edhe pse i ri në moshë, i frymëzuar dhe i edukuar nga muzika tradicionale popullore e folklorike, ka arritur ta pasurojë dhe ta begatojë muzikën rapsodike, duke ruajtur elementet tipike të këngëtarëve të njohur si Rizah Bllaca, Tahir Drenica, Salih e Feriz Krasniqi e të tjerë.

Këngëtari, Fatmir Bajra po kështu këndon solo, duet dhe në grup me vëllezërit e këngëtarët e tjerë, gjithnjë duke i ofruar dëgjuesit një sintezë origjinale të këndimit, duke mbarështuar një seriozitet të lakmueshëm gjatë këndimit me një paraqitje antike, impozante, tipike shqiptare, paraqitje e krenarisë së ligjshme kombëtare jo vetëm në ikonografi. Është kjo një traditë tipike e cila ka mbijetuar nga shekulli në shekull, si pretendim për t’i ruajtur me fanatizëm karakteristikat e racës.

Këngëtari, Fatmir Bajra shquhet për një seriozitet të theksuar gjatë këndimit, që është për çdo lakmi dhe i cili jo vetëm po i përballon kohës, por edhe po e manifeston një traditë në rritje e në zgjerim të kohën e konkurrencës dhe laraminisë së të gjitha formave të këndimit, për biznes dhe argëtim. Kënga rapsodëve në përgjithësi ka hapur horizonte të reja të afirmimit në Kosovë e më gjerë, të tilla sikur kanë qenë afirmuar në mënyrë institucionale në Shqipëri gjatë regjimit komunist kur edhe janë krijuar dhe janë afirmuar rapsodët më të njohur dhe më meritorë të kombit, si Aziz Ndreu, Tomë Nikolla, Frrok Haxhia, Fatime Sokoli, Dervish Shaqa, Sali Mani e shumë të tjerë.

Në vitin 2011, Fatmir Bajra publikon albumin "Destan Begu".