TEKSTESHQIP
Festivali I 46-te Shkoder
Shkodër - Ka përfunduar në Shkodër në Teatrin “Migjeni”, Festivali i 46-të Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë duke kurorëzuar dhe fituesit. Në natën finale janë dhënë si çmimet për interpretuesit, të votuar nga vetë këngëtarët pjesëmarrës dhe çmimet e dhëna nga juria. Fituesja e madhe ishte kënga “Do të bëhem superstar”, kompozuar e orkestruar nga Klodian Qafoku, me tekst të Elona Hysenit dhe e interpretuar nga Enxhi Nasufi nga Tirana. Me çmime të dyta janë vlerësuar këngët “Lule Zemra jam unë” dhe “E thotë kënga çfarë ka zemra” të interpretuara nga këngëtarë të vegjël nga Shkodra e Vlora; me çmime të treta janë vlerësuar këngët “Tri Kalatë”, “Një ëndërr “dhe “Flutura e trëndafili”. Çmimin e interpretuesit më të mirë e ka marrë Enxhi Nasufi, ndërsa çmimin “Inva Mula” e ka marrë Dea Demalia. Sipas drejtorit të festivalit, Kujtim Alija, në këtë edicion ka zbritur dukshëm mosha e pjesëmarrësve, duke dominuar mosha e fëmijëve të ciklit të ulët shkollor. “Kjo ka ndikuar dhe tek 30 këngët e reja për fëmijë që u paraqiten në këtë edicion të cilat janë këngë që iu drejtohen këtyre moshave.” Sipas Aliajt, duke u zhvilluar festivali në teatër, ka ndryshuar dhe koncepti i tij, pasi skena u zhvendos në publik dhe për herë të parë ishin edhe dy personazhe të reja, Enki dhe Ponki, figura kukullash të cilat kanë prezantuar këngët dhe historinë e festivalit në vite. Kanë qenë rreth 200 fëmijë pjesëmarrës në edicionin e sivjetshëm të festivalit mbarëkombëtar, të ardhur nga qytete brenda kufijve shtetërorë po dhe nga trevat shqipfolëse. Kështu përveç këngëve e interpretuesve nga Shkodra e Tirana, Durrësi, Korça, Elbasani, Vlora, Gjirokastra etj, erdhën fëmijë edhe nga Shkupi, Prishtina, Gjakova, Gjilani, Ulqini e diaspora. Sipas drejtorit Alija, edicioni i sivjetshëm nuk ka patur asnjë sponsor dhe është realizuar nga Bashkia e Shkodrës, nën kujdesin e kryetares së parlamentit Jozefina Topalli, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Arsimit. Mungesa e sponsorëve për ngjarjen më të madhe muzikore të këngës për fëmijë, sipas drejtorit Alija, lidhet me transmetimin e pakët të këtij aktiviteti gjatë vitit. Kjo ka bërë që për festivalin flitet vetëm gjatë ditëve të organizimit dhe më pas të harrohet krejt.
Festivali I 46-te Shkoder (2008)
  • Festivali I 46-te Shkoder
  • Viti: 2008