>
BIOSHQIP

Lul Susuri, Gjithmonë Me Diçka Të Re

20-11-2016
Emri i tij i vërtetë është Flurim, por në skenë identifikohet me shkurtesën “Lul”. Muzikën e ka traditë familjare, e që në të parë dallohet se është i veçantë në skenën tonë në disa tipare. Ne së bashku kemi realizuar këtë intervistë, të cilën ju ftojmë ta lexoni e të njiheni me një artist të vërtetë... Teksteshqip: Lul, na e përshkruani me pak fjalë fëmijërinë dhe adoleshencën tuaj! Lul Susuri: Karrierën time muzikore e kam nisur që në moshën 8 vjeçare me programe për fëmijë, koncerte e gara të ndryshme, ku performoja me instrumente të ndryshme. Gjatë shkollës së mesme të muzikës, organizoja mbrëmje dhe koncerte bashkë me disa shokë dhe të ardhurat nga këto mbrëmje shkonin për shokët me nevojë financiare. Pas shkollës së mesme e hapa studion time muzikore në Prizren, pastaj duke i ndjekur studimet në Prishtinë punova së bashku për 3 vjet me rokerin e njohur Menan Kiseri, në studio produksionin e tij. Teksteshqip: Talentin tuaj për muzikë, kush e zbuloi? Lul Susuri: Po, talentin për këndim ma zbuloi babai im. Ai si profesionist në degën e muzikës, e pa talentin tim shumë herët dhe më inkurajonte për të vazhduar përpara.



Teksteshqip: Kur e inçizuat këngën e parë dhe si titullohej? Lul Susuri: Kënga e parë ka qenë një këngë e dëgjuar edhe më përpara, por që unë e bëra remix, titullohej ”Kur ta kujtosh Prizrenin” dhe kështu i bëmë edhe disa këngë tjera dhe nxorrëm një album me këngë të përpunuara në vitin 2004. Teksteshqip: Keni bashkëpunuar vetëm me vëllain, apo edhe me artistë të tjerë? Lul Susuri: Unë deri sot kam bashkëpunuar pothuajse me të gjithë estradën tonë dhe kam ftesa për mbrëmje të ndryshme, si dhe për bashkëpunime në këngë të reja. Por kjo nuk do të thotë se unë jam ndarë me vëllaun përgjithnjë. Neve na ka ndarë puna që unë tash jam në Prishtinë dhe ai jeton ne Holand, por ne ende kemi mbrëmje së bashku, sidomos në sezonën e verës. Videoklipet i bëj vetë për shkak se dua të investoj solo në këtë fushë dhe të jem aktiv në tregun muzikor. Teksteshqip: Cili bashkëpunim është më i pëlqyer për ju dhe te cilat këngë e gjeni më tepër veten? Lul Susuri: Bashkëpunimet më të mira kanë qenë me vëllain, sepse së bashku kemi pasur shumë suksese. Veten e gjej në balada, por edhe në këngët popullore e patriotike.



Teksteshqip: Ku keni zakonisht mbrëmje dhe sa i pëlqen rinia këngët e mirëfillta? Lul Susuri: Sa u përket dasmave e ahengjeve familjare, i kam kryesisht në Prizren me rrethinë, ndërsa mbrëmjet e ndryshme, jashtë dasmave, në Gjilan e Ferizaj. Kjo nuk do të thotë se në vende të tjera nuk jam , por këtu më thërrasin më shpeshë. Teksteshqip: Me ç’projekte keni menduar t’i befasoni fansat në ndërkohë? Lul Susuri: Projekti i radhës është një këngë e bukur ritmike që e kam pregatitur për programe të Vitit të Ri, pastaj vjen një baladë interesante në bashkëpunim me një kolege shumë të njohur të cilën për momentin dua ta mbaj sekret! Teksteshqip: Luli, faleminderit shumë që ishit pjesë e këtij bashkëbisedimi. Ju urojmë sa më shumë arritje! Lul Susuri: Gjithashtu ju falenderoj e ju uroj më të mirat!
(Arsim Kolari - TeksteShqip.com)

Lul Susuri, Gjithmonë Me Diçka Të Re