>
BIOSHQIP

Gerta Mahmutaj: “Së Bashku Me Klejtin Në Një Duet Magjik”

24-11-2015
Gerta Mahmutaj, këngëtarja e njohur nga Tirana vjen në këtë intervistë ekskluzive për teksteshqip.com për të na folur rreth projekteve të saj të reja në muzikë. Një duet magjik është cilësuar ai me të cilin Gerta & Klejti janë paraqitur në festivalin Kënga magjike me këngën "Eja tek unë. Klejti është vëllau i Gertës me të cilin ajo është paraqitur edhe më herët në këtë festival. Në pyetjet e intervistës sonë Gerta na flet më shumë rreth pritshmërive të saj për kët1% festival.

TeksteShqip: Gerta, keni publikuar së fundmi këngën tuaj më të re "Eja tek Unë" në duet me vëllaun tuaj Klejtin? Na flisni pak më shumë rreth këngës?

Gerta: Ideja për këtë duet të dytë erdhi pas suksesit të parë të këngës: "Në ditar një dashuri". Klejti tashmë është rritur dhe dëshira e tij për të qenë përsëri në skeneë na bashkoi sërish. Kënga ka temë dashurie, secili prej nesh rrëfen historinë e tij edhe pse mesazhi është i përbashkët. Kompozitori i këngës është Adi Hila kurse tekstshkruajtës Pandi Laço. Kënga është ende në konkurim dhe ne jemi në pritje të netëve finale. Deri tani feedback-u i publikut është shumë pozitiv.

TeksteShqip: Riktheheni pas 5 vitesh në këtë duet magjik, pasi në vitin 2010 u paraqitët me këngën "Në ditar një dashuri" e cila në atë kohë u pëlqye shumë dhe rrëmbeu Çmimin "Çesk Zadeja". Sa mendon se do ketë sukses kënga e re, dhe a mendon se "Eja tek Unë" është më e mirë, ose cila sipas juve ju pëlqen më shumë?

Gerta: Po është e vërtetë, une jam mësuar ta shoh duetin tim të parë si magjik. Ai më prezantoi mua dhe vëllain tim në një skenë magjike e cila na uroi mirëseardhjen me një çmim. Unë besoj tek krijimtaria që bëhet me shpirt dhe ashtu si dueti i parë edhe ky i dyti buron që andej. Për këtë arsye nuk kam se si ti ndaj të dy këngët. Unë i dua të dyja dhe besoj tek të dyja.



TeksteShqip: Klejti është rritur dhe tashmë me gjatësi të ka lënë smile emoticon . Na tregoni pak për relacionin që keni me njëri tjetrin motër-vëlla, dhe kush iu shtyu drejt muzikës?

Gerta: Klejti është rritur edhe pse për mua do të mbetet vëllai im i vogël. Marrëdhënia ka ndryshuar sigurisht, unë e di që mund të mbështetem tek ai edhe më shumë. Ne të dy jemi rritur me muzikë dhe mendoj se pasioni për të na ka shtyrë deri më sot. Për ne kjo është e përbashkëta kryesore pas faktit që jemi vëlla e motër që na e bën më të fortë relacionin.

TeksteShqip: Konkurenca në këtë vit të Këngës Magjike është mjaft e fortë. Mendon se do të arrini në finale?

Gerta: "Kënga Magjike" është një kompeticion serioz që gjithmonë prezanton këngë dhe këngëtarë të mirënjohur të muzikës shqiptare. E kemi marrë parasysh garën e fortë, besojmë tek talenti dhe kënga jonë.



TeksteShqip: Më thuaj disa nga këngët e tjera të këtij edicioni që të pëlqejnë më shumë dhe që në natën finale do i vlerësoje me pikë.

Gerta: Siç e lartpërmenda spektakli gjithmonë prezanton këngë dinjitoze. Meqenëse gara nuk ka mbaruar, kam ende për të pritur.

TeksteShqip: Gerta, keni plane tjera pas kësaj kënge, nëse po mund të na i zbulosh pak?

Gerta: Sigurisht që kam plane për të cilat po punoj fort. Më pëlqejnë ti prezantoj në kohën e duhur prandaj zgjedh të mos flas ende për to.

TeksteShqip: A angazhoheni me koncerte dhe nëse po, në cilat vende më shumë?

Gerta: Gjithmonë jam e angazhuar me muzikën, aktualisht këndoj në një nga clubet më të njohura në Shqipëri, në "Crazy Calvin" përkrah artistëve të mëdhenj të muzikës shqiptare si: Arurela Gaçe dhe Vëllezërit Endri dhe Stefi Prifti.



TeksteShqip: Na fol pak për jetën tënde private?

Gerta: Jetën time personale zakonisht e mbaj larg jetës sime profesionale dhe zgjedh të mos i ngatërroj me njëra-tjetrën.

TeksteShqip: Gerta ka kohë që nuk ju kemi parë në ndonjë videoklip? Pse nuk e preferoni shumë daljen e këngëve me videoklipe?

Gerta: Nuk kam thënë që nuk i preferoj videoklipet. Deri më tani kam zgjedhur mënyra të tjera promovimi por kjo nuk do të thotë që videoklipet nuk janë në planet e mija të ardhshme.



TeksteShqip: Me cilët autorë bashkpunoni më shumë?

Gerta: Që nga daljet e mija të para i kam besuar kompozitorit të mirënjohur Adi Hila. E gjej shumë vetën në artin e tij prandaj ai është kompozitori im i zemrës. Sigurisht që planet e reja më kanë sjellë mundësi të reja me kompozitorë të rinj dhe mjaft të talentuar.

TeksteShqip: Gerta, faleminderit shumë që ishe me ne në këtë intervistë. Shumë suksese në "Kënga Magjike" ty & Kjetit, shpresojmë finalen. Për fund dëshiron të shtosh diçka? Ndonjë përshëndetje për adhuruesit.

Gerta: Së pari ju falenderoj juve për ftesën për të qenë pjesë e kësaj interviste. Dua të falenderoj nga zemra ata që më mbështesin çdo ditë. Dhe dua t'ju uroj juve suksese në punën tuaj.
(B.A/Teksteshqip.Com)

Gerta Mahmutaj: “Së Bashku Me Klejtin Në Një Duet Magjik”