>
BIOSHQIP

Gili: Shumë E Lumtur Që Dueti Me Astritin Po Pëlqehet

23-05-2013
Videoprojekti i ri i quajtur “Shpejt Festove” i këngëtares Gili po thyen rekorde duke u prirë toplistave në radiotelevizionet në vend. Mbase kënga duet e sjellë bashkë me Astrit Mulajn po mirëpritet në publik dhe Gili po ndjehet mjaftë e lumtur që kënga po bëhet një hit veror.

“Shpejt Festove” sipas Gilit trajton një tematikë dashurie, ku Ilir Berani në mënyrën e vet ka thurur një tekst të jashtëzakonshëm që i përshtatet çdo vesh dëgjuesi. “Jam shumë e lumtur që dueti me Astritin po pëlqehet në publik. Tekstin dhe komponimin e ka realizuar Iliri, ndërsa orkestrimi është nga Florent Boshnjaku. Kemi bërë një punë mjaftë të madhe në këtë projekt, por mendoj se po i’a vlen mundi sepse me të vërtetë kënga po del të jetë shumë e suksesshme. Falënderoj të gjithë bashkëpuntorët dhe adhuruesit e këngës sime”, ka thënë ajo për “Zëri”.

Gili vazhdon të realizoj projekte të reja, edhe përkundër faktit se vitet dhe mosha e saj po shkojnë tutje. Ajo më 21 maj festoi edhe ditëlindjen e saj, por përkundër të 40 –tave që po kalon, ajo ndjehet si një vajzë e re, me një stil joshës. Ditëlindjen thotë se e festoi me familjen e saj të ngushtë, dhe me stafinë e studios “Prishtina” të cilët i bënë befasi me dhurata të ndryshme.

“Të them të drejtën dhuratat tashmë nuk janë edhe aq të rëndësishme për mua pas kësaj moshe, mirëpo edhe Iliri po ashtu edhe djemtë dhe stafi i studios sime më kanë befasuar me dhurata simbolike dhe organizimin që kishin përgatitur për mua”, thekson ajo. Gili përveç angazhimeve muzikore, ajo vazhdon edhe biznesin e saj privat në parukerinë “Prishtina” të cilën e ka hapur tani e disa javë.
(Express)

Gili: Shumë E Lumtur Që Dueti Me Astritin Po Pëlqehet