>
LETERSISHQIP

Bukuria

Në momentin kur Afërdita
zotëroi edhe qiellin e Katërt,
rrethet më të larta të shoqërisë
arritën në përfundimin se kishte ardhur koha
që ajo të shpallej Grua e Famshme.


Kishte ardhur pra,
momenti fatlum për Reklamën
që trupi i saj
i lakmueshëm si sekretet e Perëndive
të publikohej në sfondin e Universit
ose të shtypeshin me dhunë pasionet e Natyrës
me qëllim që ajo të zotronte
deri edhe qiellin e Nëntë...


Ose thjesht...për të ndikuar
që udhëtimi i Diellit nga lindja në Perëndim
të kryhej jo vetëm pa asnjë ndërhyrje të Natës..
por edhe në atë hark kohor
që do t'ju pëlqente gjigandëve të Parasë.


Dhe akoma pa u kthyer tek burri i saj
Afërdita vuri re se Detet që e lindën
filluan të varrosnin kaltërsinë në baltë
dhe në kurorën që sapo kish fituar
po binin pluhurat e parë,
sepse ishulli i Qipros u mbush me gazetarë..
me manaxherë..
dhe me njerzit më të degjeneruar të botës.


Hefesti,
sa i mori vesh të gjitha këto
u mbyll në shtëpi
për të ushtruar profesionin e armëpunuesit
sepse ai do ta humbiste
gruan e tij të bukur
tani që ajo po dilte
përpara syve të botës ..

DËRGOI: