>
BIOSHQIP

Estrada Uron 28 Nëntorin

28-11-2016
Kombi ynë nëpër shekuj të përgjakur ka shënuar historinë e lavdinë, duke ngritur lartë vyrtytet njerëzore. Si kurorë e gjithë arritjeve konsiderohet shpallja e pavarësisë, më 28 nëntor 1912. Për nder të kësaj feste, kemi intervistuar disa prej artistëve më në zë me pyetjen: Si e përjetoni këtë festë dhe mesazhi juaj për mbarë kombin?



Merita Halili: "Gëzuar 28 nëntori të gjithë shqiptarëve kudo që janë!".



Genc Prelvukaj: "Ne ishim njerëz që thyem shpata ndër beteja. Bëmë e humbëm kështjella. Shumë herë pa tokë e det, shtëpi e fis. Lidhëm besë me malet kur humbëm fushat.
Na vranë e i vramë. Hapëm ditën në gjak e mbyllëm natën në vaj I uruam plagët njëri-tjetrit. Për çdo vdekje kishim këngë, për çdo lindje kishim pushkë. Me besë nën prag dhe ndere nën këmishë, kishim dashuri për lirinë. Shpesh ruanim edhe një plumb për veten. Por, mbi çdo zjarr e mort, ne ishim ata njerëz që kurrë nuk u thyem. Ne ishim dhe jemi shqiptarë. Unë me kokën lart, pjesë e këtij populli. - Urime festa më e madhe e shqiptarëve: 28 Nanduer!".



Shkurte Fejza: "28 Nëntori është festa më e madhe kombëtare, sepse kjo festë nuk është vetëm festa e Flamurit kombëtar, e as vetëm festë e Republikës së Shqipërisë. Në këtë ditë është vendosur fati i të gjithë shqiptarëve të jemi apo mos të jemi si komb. Sikur mos të ishte 28 nëntori i 1912-ës, nuk do të ishte Shqipëria e as shqiptaria në pëgjithësi.
28 nëntori është guri themeltar i shqiptarizmit dhe çdo ditë pas kësaj date ka mundur të shfrytëzohet për ndërtimin e kalasë shqiptare dhe kalave tjera, duke u bazuar në themelet e kësaj dite. Andaj: Gëzuar shqiptarë, kudo që jeni!".



Shyhrete Behluli: “Unë si qytetare e këtij vendi e përjetoj me mjaft krenari dhe dashuri festën e Flamurit, ndërsa mesazhi im për popullin është: "Ta duam me të vërtetë vendin tonë dhe të mbretërojë dashuria dhe paqja mes nesh, se jemi një komb...".



Afrim Muçiqi: “28 Nëntori na bën më të bashkuar se kurrë. Urime për gjithë kombin shqiptar, me dëshirën më të madhe që festat e ardhëshme t'i festojmë me bashkimin e të gjitha trojeve tona. Urime!”.



Shaqir Cërvadiku: “Festa e 28 Nëntorit është festa më e madhe e gjithë shqiptarëve, ku në një ditë ndodhën ngjarje të mëdha historike, shpallja e pavarësisë, ditëlindja e komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe dalja e UÇK-së në skenë. Në këtë ditë ndihemi më shumë shqiptar, veshja kuq e zi na bashkon kudo që jemi. Dhashtë që ardhmëria e shqiptarëve të jetë e ndritur”.



Gili: “Urime festa më e madhe e gjithë shqiptarëve, 28 Nëntori! Të punojmë gjithmonë rreth bashkimit tonë e t'i hapim zemrat për më shumë dashuri mes nesh. Urime shqipe!”.



Enkelejda Arifi: “Nëntori është gjithmonë kuq e zi, i mbushur me festa, me ndjenja atdhedashurie. Është muaji i "shqiptarizmës", ndaj unë si të gjithë shqiptarët ndjehem më shqiptare se kurrë. Ta duam, ta rujamë, ta ngremë më lartë emrin tonë në opinionin botëror”.



Valbona Mema: “28 Nëntorin gjithmonë e kam pritur me emocion të veçantë. Uroj shpirtërisht: gëzuar pavarësinë Shqipëria ime!”.



Visar Rexhepi: “Secili nëntor në vete sjell emocione të reja, sjell kujtime që na kthejnë në të kaluarën tonë qindra vjeçare, thjesht thënë, është kënaqësi që nuk përshkruhet. Uroj që së bashku të kremtojnë edhe shumë festa të tjera, të cilat shënojnë të arriturat tona historike. Urime dhe shumë suksese”.
(Arsim Kolari - teksteshqip.com)

Estrada Uron 28 Nëntorin