>
BIOSHQIP

Korab Shaqiri: “Muzika Është Kthyer Në Biznes”

25-02-2015
Korab Shaqiri, këngëtar tashmë i njohur për të gjithë me këngë dhe video klipe të shumta. Kënga e tij e parë është “Banesa e vogël“, ku që nga ajo kohë ai vazhdimisht na sjellë këngë të cilat i dëgjojmë dhe i duam të gjithë e sidomos të rinjtë. Në këtë intervistë Korabi tregon dëshirën, pasionin dhe punën e tij në muzikë. Këngët e tij të një pas njëshme reflektojnë ritëm dhe janë hit-e të cilat, mjafton vetëm ti dëgjojmë...

1. Mund të na thuash si po e kalon këtë periudhë kohore e cila besoj nuk është shumë e ngarkuar me koncerte si ajo e stinës së verës?

Në çdo kohë organizohen koncerte por, kuptohet jo aq shumë sa në stinën e verës. Ne e shfrytëzojmë këtë kohë duke punuar në studio si për vete ashtu edhe për këngëtaret e tjerë. Në këtë kohë janë festat e ndryshme ku ne jemi prezent me koncertet tona nëpër të gjitha trojet Shqiptare.



2. Përveç pasionit dhe dëshirës, njerëzit mendojnë se muzika është biznes fitimprurës. Si mendoni Ju, është e vërtetë kjo?

Çdo gjë në ditët e sotme po kthehet në biznes, gjithashtu edhe muzika ka qenë por edhe është kthyer akoma më shumë në një biznes. Sa ka fitimet e saj gjithashtu ka edhe shpenzimet e mëdha sepse kuptohet që çdo krijim i ri kërkon edhe shpenzimet e saj. Pastaj varet shume se çfarë zhanrit të muzikës krijon dhe sa dëshiron ti brenda krijimit tënd te shpenzosh.

3. Vetëm pak ditë më parë është lansuar kënga juaj e re “ Nisu e shko “. Sa je i kënaqur me këtë projekt?

Unë jam i kënaqur me projektin në përgjithësi. Jam i kënaqur me realizimin e këngës dhe gjithashtu me realizimin e video klipit të kësaj kënge. Rralle herë jam i kënaqur me atë se çka krijoj ose edhe interpretoj mirëpo me këtë projekt them se kam arritur diku tek më e mira. Kuptohet që çdo projekt i ri duhet të jetë diçka edhe qoftë ajo një sfidë për mua si këngëtarë por edhe si kompozitor. Shpresoj që çdo projekt i ri të arrijë edhe ta tejkaloj projektin e kaluar dhe e shoh që çdo ditë po piqemi në krijimet tona dhe gjithashtu në konceptin tonë mbi krijimin dhe interpretimin.



4. Me kënd keni bashkëpunuar për këtë këngë?

Kam bashkëpunuar me kolegun tim Yll Limanin ku jemi edhe bashkautor në muzikë dhe gjithashtu në tekst jemi bashkautor dhe na është bashkangjitur edhe Ilir Shaqiri. Në studion time punojmë gjithsej shtatë persona ku të gjithë kanë produktivitetin dhe hapësirën e tyre. Gjithsej jemi tre kompozitor, dy beatmaker-ra dhe dy tekst shkrues. E gjithë puna jonë realizohet në grup dhe secili nga këta persona kryen detyrën e tij. Gjithçka që keni dëgjuar dhe do te dëgjoni do të jetë prodhim i Barok Sound Studio.

5. Brenda një afati të shkurtër kohorë kënga në you tube ka arritur klikime të shumta. Do të bëhet edhe kjo hit i radhës?

Besoj se po! Edhe pse unë nuk e kam matur asnjëherë suksesin e këngëve te mija me klikimet në YouTube, gjithmonë jam kujdesur që kur të këndoj para publikut kënga ime të jetë e kënduar për publikun tim. Thashë edhe njëherë shpresoj që çdo këngë e re të arrijë edhe pse jo ta tejkaloj të kaluarën sepse çdo ditë punojmë për këtë.



6. Pas kësaj kënge, aktualisht, po mendoni ndonjë projekt tjetër?

Po në muajin Mars do të jetë projekti i ri ku besoj shumë që do të jetë një duet me një këngëtare të njohur dhe e cila këngë po besojmë shumë që do të jetë shumë e pëlqyer nga publiku. Këngëtaren e cila do të jetë pjesë e këtij dueti do ta zbulojmë në të ardhmen në intervistat e rrallës. Nuk besoj që do të jetë e fundit apo jo? Hehehe...

7. Si mendoni, cilat zhanre i mungojnë muzikës shqiptare në ditët e sotme?

Muzika Shqiptare çdo ditë e më shumë po pasurohet me zhanre të ndryshme duke u munduar ta kopjoj botën. E vetmja gjë që nuk po krijohet ose të punohet në të është ndërthurja e motiveve tona Shqiptare me zhanret e reja. Kjo mendoj se po i mungon muzikës Shqiptare dhe ka për ti munguar edhe për një kohë të gjatë. Te kënga ime “ritakimi” jam munduar ta kombinoj motivin e bukur Shqiptar dhe gjithashtu këndimin karakteristik të vajzave të zonës së Drenicës e të cilat këndojnë me gisht ne fyt dhe mund te them lirisht që është një nder krijimet më të bukura dhe më të dashura për mua. Kënaqem kur arrijë të krijoj diçka mbi muzikën tonë të bukur Shqipe.



8. Në këtë pikë të karrierës, çfarë do të dëshiroje më shumë?

Edhe një këngë të bukur!

9. Planet tuaja më të afërta sa i përket muzikës?

Planet janë të shumta. Unë me grupin tim të Barok Sound Studios po punojmë çdo ditë që të sjellim akoma më shumë këngë në skenën Shqiptare dhe besojmë shumë që do të jemi akoma më afër publikut në vitin 2015 me punën tonë dhe me projektet tona që tashme pothuaj se janë gati. Juve ju uroj suksese në punën tuaj. Gjithashtu të gjithë vëllezërve dhe motrave në trojet shqipfolëse ju uroj vit sa më të mbarë me shëndet e suksese. Zoti e bekoftë popullin Shqiptar.
(Dijana Gj. Dukaj/teksteshqip.com)

Korab Shaqiri: “Muzika Është Kthyer Në Biznes”