>
BIOSHQIP

Maya Aliçkaj: “Krahas Këngës, Tani Dhe Në Teatër”

25-10-2015
Ajo ngriti peshë zemrat e publikut në pak kohë, ndaj të tillë si e kemi, të ëmbël, të dashur e zëartë, ashtu na reflektohet dhe në bisedën që ju ftojmë ta lexoni e kuptoni shumëçka nga ajo…

Teksteshqip: Maja, a e kujtoni dot daljen e parë në skenë?

Maya: Dalja ime e parë në skenë është qysh në fëmijërinë time, por unë do të konsideroj daljen e parë në skenë, menjëherë pas lançimit të albumit tim të parë të titulluar "Lege lege" dhe klipeve të mija të para "Lege lege" dhe "Fustan verdha". Kishte vetëm një muaj që kishin dalë klipet dhe albumi, kur në dhjetor të 2006-ës, në mbrëmjen e madhe të Vitit të Ri në Athinë, duke pritur 2007-ën. Më ka lënë shumë mbresa ai concert. Pritja që më bëri publiku, në një sallë të paktën me 1.000 veta, ishte spektakolare. Ata thirrën njëherëshi, MAYA , para se prezantuesja e koncertit të më ftonte në skenë. Ishte sukses shumë i madh, duke patur parasysh që isha vetëm 1 muaj në ekran…nuk e harroj kurrë.



Teksteshqip: Çka ju lidh juve me këngën e pastër shqipe?

Maya: Me këngën e pastër shqipe kam dy lidhje të forta.E para: Origjinialiteti im si krijuese, si interpretuese dhe si karakter, si njeri dhe e dyta: Dashuria dhe vlerësimi që kam për folkun tonë, është një nga pasuritë kulturore kombëtare, më të bukura që kemi. Është i shumëllojshëm, i shumëngjyrshëm, d.m.th. i përsosur. Dhe natyrisht, këtë pasuri duhet ta ruajmë, dhe ta përsosim më tej.

Teksteshqip: A është kënga “Motrat” më e dashura për ju, kur shohim që e këndoni me një ndjesi të dalluar?!

Maya: Kënga "Motrat" është një nga prurjet e mija të kohëve të fundit, fatmirësisht shumë e sukseshme. E veçanta në këtë këngë, është që i këndoj dashurisë për motrat, dhe e këndoj pikërisht me motrat e mija. Kjo ndoshta e bën më të ndier si këngë.



Teksteshqip: Kush janë bashkëpunëtorët tuaj?

Maya: Bashkëpunëtorët e mi jane, kompozitori mjaft i njohur Adi Hila, poeti gjithashtu shumë i njour Arben Duka, Max Produksion dhe Muzik Al në klipe. Elrodi Music si shtëpi Diskografie. Gjithashtu unë pjesën më të madhe të repertuarit tim, e kam shkruar vetë.

Teksteshqip: Nga kush përbëhet familja juaj?

Maya: Unë rrethohem fatmirësisht nga shumë familjarë të dashur. Kam një familje të vogël, unë dhe bashkëshorti im, dhe një familje të madhe me prindërit, 2 nëna, ajo biologjike në Vlorë dhe ajo adoptive në Ëuppertal, Gjermani. Kam një vëlla dhe 4 motra, shumë nipër, mbesa, stërnipër, që të gjithë i dua dhe më duan. Faleminderit Zotit!



Teksteshqip: Çka keni të veçantë nga njerëzit që ju rrethojnë?

Maya: Për atë se çfarë kam unë të veçantë nga njerëzit që më rrethojnë, duhet t’i pyesni më mirë ata.

Teksteshqip: Do I befasoni fansat me ndonjë projekt të ri së shpejti?

Maya: Projekti më i ri dhe surpriza që kam për fansat e mi, është dalja ime në skenën e Teatrit kombëtar si aktore, por edhe aty krahas aktrimit, do të këndoj dhe një këngë, e cila do të jetë kolona zanore e shfaqjes. Pjesa teatrale që vemë në skenë, me regji të Spiro Dunit, quhet "Spiuni i Ballkanit" dhe premiera do të jetë në 13 Nëntor.

Teksteshqip: Maja, qe nder për ne t’ju kishim në intervistë. Ne ju urojmë sa më shumë shëndet e suksese! Fjala juaj!...

Maya: Edhe unë ju falenderoj, gjithashtu suksese.
(Arsim Kolari - teksteshqip.com)

Maya Aliçkaj: “Krahas Këngës, Tani Dhe Në Teatër”