>
LETERSISHQIP

Djemte E Gusmarit

Shtatë yj’ ka plejada
në mitologji,
shtatë djem balada
që po thur tani.

Shtatë bij të rënë
fshati im Gusmar,
në shtatë zemra nëne
të shtatë kanë një varr.

Të shtatë plejadat,
yje plot ndriçim,
u tregojnë detarëve
udhën në lundrim.

Ashtu dhe të shtatë
djemtë në Gusmar,
si te kjo baladë
ndritin si pishtar.

Në shtatë burime
zbret sorkadhja pi,
në shtatë ligjërime
një bilbil mban zi.

Ç’ëndërr sheh Tafili,
ç’gjumë bën Samiu?
Një bisk trëndafili
mes dy kurmesh mbiu.

Dhe mban gjyshja plakë
dy foto në gji,
dy djem, dy zambakë
në një elegji.

Kur nis e çel molla
shoh Çobon jetim,
vjen e pyet te shkolla:
Ku është emri im?

Ç’i sëmbon në zemër,
vallë ç’brengë e ha?
Shkollës i dhashë emër
nxënës pse nuk ka?

Vrarë në Tiranë
ngjallur në Gusmar:
Varrin tim me vete
si një djep e marr.

Pranë i vjen Ziguri,
jetim edhe ky,
flet me fjalë burri:
Hajd’, mësojmë të dy!

E thërras Muratin
mbi kala, atje...
Mbushur plumba shtatin
vjen Gusmarin sheh.

Hënën hedh mbi supe
plagën lan te kroi,
pas një zilke mushke
erdh’ Et’hemi e shkoi.

Jelek të qëndisur
sahat me flori,
me shark të kastisur
del nga vdekja e tij.

Iu tret dhëndëria
nëpër vargje kënge,
thinjet nusëria
si një brengë nëne.

Shkoi dhe erdhi e ndali
mes shokëve të tij,
sikur zbret nga kali
Konstandini i ri.

Dhe u mblodhë’ të shtatë
djemtë në Gusmar,
si te kjo baladë
thurur varr më varr.

Shtatë varre njom vesa,
shtatë fate gremis,
shtatë shamizeza
në shtatë udhë i nis.

Shtatë qyqe vajtojnë,
shtatë djemtë varr më varr,
shtatë kroje shterojnë
rrotull në Gusmar.

Samiu dhe Tafili,
Çobo dhe Murat,
nën rrënjë trëndafili
zgjohen, hedhin shtat.

Pasho lis me fletë,
Et’hem dhe Zigur,
të shtatëve përjetë
varri u digjet nur.

Nga ky nur balada
merr kuptim të ri,
si në shtatë plejada
në mitologji.