>
BIOSHQIP

Redon Makashi: Kujtimet E Këqija I Kam Fshirë Nga Memoria

28-09-2013
Redon Makashi është rikthyer këtë vjeshtë me një klip të ri, i cili deri tani ka pasur një impakt pozitiv tek fanasat. Mbetet përherë në rrymën e vet, klasik i përjetshëm i asaj sesi ai e koncepton muzikën. Në fakt siç Redoni thotë, rëndësi ka vetëm muzika, jo shfaqja, jo “çmenduritë” që ai mund të bëjë në një klip apo eksperimentet me rryma të tjera komerciale. “Ditari” është një këngë, e cila ka një pjesë të jetës së Redonit, po aq sa ka një pjesë të gjithkujt. Këtë herë ai vjen në një bashkëpunim me një artist të ri të talentuar, Vullnet Ibrahimi. Në këtë intervistë ai tregon më shumë për raportet që ka me të shkuarën, me kujtimet dhe me atë sesi e sheh jetën e tij pas kaq viteve karrierë;“një jetë me kthesa të forta po aq sa të qenit një vijë e drejtë”.



Redon, sapo ka dalë klipi yt më i ri “Ditari” me një bashkëpunim interesant me Vullnet Ibrahimin… Në fakt kënga ka dy vjet që është realizuar. Është pjesë e albumit “Në botën time” dhe ka qenë një projekt i lënë prej kohësh në letër për ta sjellë si videoklip. Ishte Vullneti, i cili pati idenë e disa bashkëpuntorëve interesantë për ta sjellë klipin siç duhej, sepse edhe vetë titulli “Ditari” përfshin në të shumë grup mosha… Sa ka nga “ditari” yt në këngë? Është 1 në 100 nga ajo që unë do ta quaja “ditari im”. Ne kemi dashur të tregojmë një film të shkurtër të jetës së njeriut dhe kujtimet kyç të tij. Në këtë këngë çdo njeri gjen një pjesë të vetes së tij. Ti ke mbajtur ndonjëherë ditar? Jo, ndaj e thashë këtë. Ditari është në kokën time, në mendimet, në kujtimet e mia. Ama ke qenë pjesë e një ditari… Tani po flasim për këngën “Ditari”( qesh). Çdo këngë e imja ka një pjesë ditari nga jeta ime. Ndërsa kjo këngë i përket të gjithëve. Në klip shohim kujtimet e dikujt, ti si i ke raportet me kujtimet e tua? Pikërisht janë kujtimet dhe gjëra të tjera të jetës që një artist shpreh në notat e tij.



Kur mendon për jetën tënde deri tani, ka më shumë kujtime të mira apo dilemma? Unë dua të kujtoj gjithmonë gjëra të mira, jo gjëra negative që më kanë lënë shije të keqe. Ato gjithmonë i fshij në një periudhë kohe të shpejtë. Kurse kujtimet e bukura lënë imazh të mirë në mendjen time. Gjithsesi nuk ka njeri pa kujtime, sidoqofshin ato. Raportin me të shkuarën tënde si e ke? Çdo njeri e kthen kokën pas për të parë rrugën në të cilën ka ecur, rrugën në të cilën ka bërë gabime, ka shkelur gabimisht apo ka ecur drejt. Pa kthyer kokën pas nuk mund të ecim përpara… A mund të thuash që deri tani jetën tënde, gjërat e rëndësishme të saj i ke shkruar nëpërmjet muzikës? Sigurisht ka gjëra të rëndësishme nga jeta ime, artistike. Jeta e përditshme e bën një artist më të dashur në sytë e publikut mendoj. Unë kam zgjedhur që në klipet e mia mos të sjell shumë luks, jetë mondane, por thjeshtësinë e emocioneve të përditshme. Ne jetojmë në Shqipëri dhe ndonjëherë në klipe shoh luks të tepruar, thua se ne jetojmë në Angli apo Miami Beach… Të duket e tepruar kjo gjë? Nuk mendoj se publiku e pret aq mirë, besoj se njerëzit në art duan të shohin veten aty. Siç ndodh në një film ku ti përlotesh pasi sheh një histori tënden, këtë ndjesi duhet të përçojë edhe muzika për mua. Shumë artistë bëjnë një jetë të shfrenuar… Unë nuk pi as cigare, as alkool as ndonjë substancë tjetër. Tashmë edhe jeta e natës është shumë e lodhshme për mua. Dikur brezi im ishte i pari në jetën e natës, por tani nuk më pëlqen më pasi dua t’i përkushtohem krijimtarisë, kompozimit dhe jeta e natës të lodh për këtë gjë…



E ke reduktuar muzikën live? Tani e përzgjedh, sepse nuk e gjej më veten aty. E kam kaluar atë moment. Me Sandrin dhe me Tonin si i ke marrëdhëniet? Si dikur. Jemi dhe do mbetemi po aq miq të mirë edhe pse nuk shihemi dhe aq shpesh. Kemi parë shumë artistë të brezit tend, por edhe të tjerë janë bërë pjesë e jurisë në talent shou. Ti e ke parë veten ndonjëherë të ulur në një poltron dhe të trajnosh të rinjtë? Kur kam qenë i ri dhe kam pasur konkurimet e mia dhe kur dikush nuk më ka vlerësuar, ai person ka mbetur një figurë e urryer për mua, i përjetshëm. Nuk dua të bëhem figurë jo e mirë apo e padashur, sepse mund të bëhen edhe gabime. Nuk dua të mbetem në kujtesën e dikujt për keq, siç më ka ndodh mua dhe të jem unë shkaktari. Ti ke pasur persona të veçantë? Po, që edhe pavarësisht se mund të flas, por më kanë mbetur në mendje edhe persona që vërtetë më kanë luftuar në shumë hallaka të jetës sime. Të kanë luftuar si artist? Po nuk kanë dashur që unë të ecja vërtetë në këtë fushë. Dihet që arti është i vështirë, herë pas here ndodhin padrejtësira. Nuk e ndjej veten pjesë të jurive, besoj se kam ende për të dhënë si artist. Ia del një talent në Shqipëri të bëhet i suksesshëm? Nëse bëhen bashkë një grup artistësh ia dalin, po qe vetëm e pëson. Unë e kam shumë përzemër Vullnetin dhe dua ta ndihmoj që të eci mirë. Ka artistë të mirë por mungon mbështetja.



Ndihesh i rrezikuar nga ekzibicioni i këngëtarëve të rinj, që më shumë shfaqen sesa kanë zë ? Kur di të bësh muzikë të mirë nuk ndihesh asnjëherë i kërcënuar besoj unë. Sa orë rri duke bërë muzikë? Pothuajse pjesën më të madhe të ditës. Më tepër rri në piano apo kitarë sesa në kafe. Dikur imazhi yt i një këngëtari romantik tërhiqte shumë vajza. Sot është zvogëluar numri i fanseve, si e ndjen këtë? Unë nuk e vë re këtë. Janë të tjerë që mund ta vërejnë. Dikur ne ecnim në këmbë dhe e ndjenin direkt impaktin që kishim tek njerëzit, na takonin, na kërkonin autografe. Ndërsa tani jemi të gjithë me makinë, shko në punë me makinë, kthehu në shtëpi me makinë. Unë nuk jam shumë i apasionuar pas internetit, ndaj nuk di të them. Po kur shkoj të jap një koncert, gjithmonë e kam pasur sallën plot. Në jetën e një artisti si në jetën e çdo kujt ka momente të vështira apo që të ndryshojnë jetën. Për ty a ka pasur të tilla momente të rëndësishme? Për momente të vështira mund të them se unë nuk e lë të më shpëtojë situata nga dora. Thjesht pres kohën e duhur, a ia vlen të dal në treg tani, si do pritem, a ia vlen muzika që bëj unë. Këto janë ato momente që unë i quaj të vështira por që kanë kaluar mirë. Jeta jote ka qenë një vijë e drejtë apo me kthesa të forta? Besoj se të dyja kanë qenë në jetën time. Por më shumë besoj se ka qenë vijë e drejtë pozitive.
(shqiptarja)

Redon Makashi: Kujtimet E Këqija I Kam Fshirë Nga Memoria