>
BIOSHQIP

Remzie Osmani, Në Fundjavë Klipi I Ri “Edhe Një Natë Pa Ty”

22-04-2014
Ka nisur punën rreth realizimit të një balade, të cilën beson se do ta lansojë në fund të këtij muaji. Por, këngëtarja Remzie Osmani për Tribuna ka njoftuar se planet e saj artistike nuk mbarojnë këtu. Veç një dueti që planifikon ta sjellë në treg, pas këngës solo, këngëtarja ka njoftuar se do të vijë me më shumë ritëm gjatë verës...

Këngëtarja e njohur e muzikës popullore Remzie Osmani, ka bërë të ditur për gazetën Tribuna se është në përgatitje të këngëve të reja. E mes tjerash këngëtarja do të sjell edhe një bashkëpunim.

“Jam duke realizuar një këngë të re. Këngën edhe videoklipin tash sa i kom përfunduar. Kënga ka me qenë baladë. Titulli i këngës është ‘Edhe një natë pa ty’. Kam bashkëpunuar me Arsim Bunjakun i cili e ka shkruar tekstin dhe ka bërë melodinë. Virusi e ka bërë arnazhmanin ndërsa videoklipin e kam punuar me ‘Maxproduction’. Kënga shpresoj të dalë mbas pak ditëve në treg, ose në fillim të muajit maj”, ka thënë këngëtarja, duke treguar që në planet e saj është edhe një bashkëpunim i cili pritet të realizohet gjatë verës.

“Po mendoj ta realizoj një bashkëpunim me një këngëtare të re, të cilës dua t’i jap hapësirë. Këngëtarja është Lumnije Kukaj, kompania ‘Prominent’ është kompania që i merr të gjitha të drejtat e këngës time”, ka shtuar më tej Remzija.

Nuk ka album këtë vit

Në planet e këngëtares për këtë vit nuk është albumi. Mirëpo ajo ka nënvizuar se për këtë verë do ta sjellë edhe një këngë tjetër, e cila do të jetë më ritmike. “Album nuk do të ketë. Po mendoj ta realizoj edhe një këngë tjetër, këngë popullore më ritmike, e jo siç jeni mësuar të dëgjoni nga unë më shumë balada. Kjo këngë pritet të dalë në treg në verë në muajt qershor ose korrik”.

Por, planet për këngë të njëpasnjëshme, nuk janë angazhimet e vetme për këngëtaren.

“Përgjatë gjithë verës jam e angazhuar nëpër dasma e mbrëmje muzikore. Qysh tash kam filluar të merrem me datat që i kanë rezervuar për dasma. Thuajse çdo vikend jam e zënë nëpër mbrëmje të ndryshme në Evropë. Në dasma e mbrëmje nëpër Kosovë jam e pranishme së bashku me Nexhatin dhe grupin tim ‘Avdem’ me të cilët bashkëpunoj qe pesë vjet”, ka nënvizuar për fund këngëtarja.
(Majlinda Llapashtica)

Remzie Osmani, Në Fundjavë Klipi I Ri “Edhe Një Natë Pa Ty”