>
BIOSHQIP

Samanta Karavello: Njerezit E Thjeshte Ma Fitojne Zemren

07-05-2012
Dikur të gjithë e njihnin si vajza e vogël që dëshironte të bëhej këngëtare. Ajo e realizoi këtë dëshirë dhe tani njihet si një këngëtare e suksesshme, femër e bukur dhe sexy. Së fundmi emri i saj është përmendur shpesh në shtypin rozë për shkak të përfundimit të historisë së dashurisë, të cilën Samanta e ka jetuar duke u përpjekur ta mbajë për vete. Të njëjtën gjë ajo po bën edhe tani… Nuk preferon të flasë por njëkohësisht nuk e mohon ndarjen. Kjo është e vetmja pjesë për të cilën Samanta tregohet e rezervuar. Ajo në këtë intervistë na tregon për veten, punën, shkollën, jetën dhe të ardhmen… Samanta me se po merresh për momentin? Po punon për ndonjë këngë të re? Momentalisht po punoj për projektin e verës. Jam akoma në fillim dhe nuk mund të flas për diçka konkrete. Shpresoj që kënga të kthehet në një hit. Unë do përkushtohem maksimalisht në realizimin e këngës, videos ashtu edhe për look-un, që besoj se do të bazohet tek më e mira ime dhe jo tek ndryshimet. Me kë po bashkëpunon në muzikë sepse dimë që je bëre pjesë e studios së Flori Mumajesit, apo jo? "Threedots Production" është padyshim një nga studiot që po sjell këngët më të mira që qarkullojnë në tregun muzikor shqiptar. Është mirë të punosh me profesionistë dhe të realizosh atë që tregu do. Ndaj kam bindjen se projektet e radhës do të jenë të suksesshme. Po me Big Bastën si janë tani marrëdhëniet? Çfarë ndodhi në të vërtetë midis jush sepse është përfolur shumë? Nuk më pëlqen t'i kthehem bisedave të së kaluarës. Bashkëpunimet jo gjithmonë zgjasin dhe funksionojnë ashtu siç ndodh edhe në shumë aspekte të tjera të jetës. Nuk më ngelet gjë për të shtuar dhe për të thënë. Je tërhequr së fundmi nga kompeticionet muzikore. Pse ky vendim? Ke në plan të rikthehesh në festivale? Absolutisht! Përpara pak muajve isha pjesë e "Festivalit në RTSH" ku pata një vlerësim të kënaqshëm. Momentalisht preferoj që lançimi im të behët nëpërmjet videove që nuk humbasin kurrë dhe janë më profesionale për një artist. Në kompeticionet e ardhshme do të shfaqem kur të kem një projekt të përshtatshëm. Po tek "Kënga Magjike" do këndosh sërish, duke kujtuar këtu deklaratën e fortë që t'i ke dhënë për këtë festival? Vazhdon të mendosh që çmimet shiten? Nëse do të vazhdoj të mendoj kështu do të thotë që të mos jem pjesë e asnjë kompeticioni muzikor (qesh). Çdo kompeticion ka veçantinë dhe rëndësinë e vet ashtu sikurse dhe "Kënga Magjike". Nuk mund të them që s'do të jem më pjesë e saj, por është shpejt për të përcaktuar momentin. Jemi afër stinës së nxehtë. Duhet të presim videoklip 'hot' nga Samanta? Varet nga kënga që do të sjell. Nuk është domosdoshmërisht e nevojshme që të jetë "hot" për t'u pëlqyer, mjafton të ketë një ide jashtë të zakonshmes dhe të përshtatet me fabulën e këngës. Unë do kujdesem që edhe look-u edhe performanca të jenë në nivelin e duhur dhe të kenë një impakt sa më pozitiv për publikun. Është disi herët për të të pyetur por ne po e provojmë… Ku dhe me kë do e kalosh verën? Destinacioni im për këtë verë është Spanja. Besoj se ka shumë për të parë dhe shijuar. Pse u ndave nga i dashuri? Nuk besoj se hyn në interesat e njerëzve kjo pjesë… Po tani si e mendon, çfarë duhet të ketë një mashkull që të tërheqë vëmendjen tënde? Po që të të fitojë zemrën? Të ketë mbiemrin Hilton (qesh). Njerëzit e thjeshtë ma fitojnë zemrën. Po ti vetë si je në një lidhje? Je xheloze? Je posesive, apo je e ëmbël? Xhelozi e padëmshme, ëmbëlsia më karakterizon gjithmonë. A beson në dashuri? Sigurisht! Tani na trego pak si është dita jote? Dita ime nis në fitness, më pas një pjesë të konsiderueshme të ditës time e kaloj me motrën dhe shoqërinë time. Një pjesë të rëndësishme të ditës ja kushtoj studimeve dhe shkollës (në degën marrëdhënie me publikun) si dhe aktivitete brenda dhe jashtë Shqipërisë. Sa orë në ditë i kushton përkujdesjes për veten? Si çdo femër më pëlqen që një pjesë të kohës t'ia kushtoj vetes. Pavarësisht se më merr shumë kohë, më jep kënaqësi dhe më bën të ndihem komode. Kohët e fundit shumë kolege të tuat po bëjnë ndërhyrje kirurgjikale për t'u dukur më bukur. Ti ke bërë të tilla? Pse? Deri tani nuk e kam parë të nevojshme. Fatmirësisht ndihem mirë me pamjen time. Ke studiuar për spanjisht. Pse kjo zgjedhje? Do merresh me përkthime? Gjithmonë më kanë pëlqyer gjuhët e huaja, por spanjishtja në veçanti. Ndoshta lidhet edhe me preferencën time për Spanjën. Nuk besoj se do merrem ndonjëherë me përkthim pasi tani kam bërë një zgjedhje të dytë që është "Marrëdhënie me Publikun" që më tërheq si degë dhe më ndihmon dhe ne profesion (qesh). Po të ardhmen tënde si e parashikon? Si e imagjinon veten pas 10 vjetësh? Zakonisht eci me plane afatshkurtra, me projekte të realizueshme. Dhjetë vite janë shumë larg, por shpresoj që deri atëherë objektivat e mia të jenë realizuar.
(Bluetooth)

Samanta Karavello: Njerezit E Thjeshte Ma Fitojne Zemren