>
BIOSHQIP

Samanta Karavello: Çmimi I Parë Fshiu çdo Zhgënjim Në Karrierën Time

15-06-2013
E ka nisur karrierën me balada dhe pikërisht një baladë dashurie i dha asaj një çmim të shumëpritur e të merituar pas 10 viteve karrierë si këngëtare. Përherë e ëmbël, me një pamje sa të brishtë dhe melankolike ndonjëherë, Samanta gjithmonë u ka dhënë këngëve nga shpirti i saj. Shpesh e rezervuar në eksperimente muzikore, suksesi e gjeti kur ajo e priste më pak, piëkrisht në 10 vjetorin e Top-Fest, ku artistë të njohur e të rinj kanë rrëmbyer trofeun e fitores. Një fitore që për disa artistë ka hapur dyert e një karriere të sigurt. Ndërsa Samanta pohon se tashmë si fituese ka më shumë përgjegjësi në gjërat e reja që do të sjell. “Janë shtuar përgjegjësitë ndaj meje dhe jam duke punuar shumë për projektet e radhës. E kisha menduar si një vit intensiv dhe shumë projekte i kisha tashmë të nisura. Do të ketë shumë bashkëpunime në vazhdim, ndërkohë që aktualisht po punoj për një video të re”, pohon Samanta, e cila është ende nën ethet e të qenit fituese e njërit prej festivaleve më prestigjoz të muzikës moderne në Shqipëri.



E prisje çmimin e madh në Top-Fest, se do ishte ti fituesja?

Ajo që më kënaqte në momentin që Top-Fest filloi ishte imapkti pozitiv që ishte nga audienca ndaj këngës time. Që në momentet e para kënga po komentohej si një këngë fituese. Kjo më gëzonte po në të njëjtën kohë nuk doja të krijoja iluzione që mund të isha fituese. Mendova vetëm një gjë; jep maksimumin, sepse asnjëherë nuk i dihet. Kjo ka qenë dhe fjala që më ka thënë edhe ime motër, që përpiqu të japësh maksimumin, sidomos në natën finale. Nuk ka rëndësi kush e fiton. Publiku është emocionuar atë natë dhe më ka bërë një pritje të mrekullueshme. Që në momentin që kam nisur këngën është duartrokitur dhe më kanë dhënë shumë zemër. Kam pasur shumë emocione dhe u përpoqa t’i jepja sa më shumë forcë vetes që të mos gaboja.

Duket se gjithmonë ke dhënë më të mirën tënde me baladat?

Për një kohë në publik jam shfaqur me këngë më ritmike. Në fillimet e mia janë identifikuar me baladat direkt pas Etheve. Mendova që mënyra më e mirë këtë vit ishte që të përfaqësohesha me atë që unë di ta bëj më mirë, pikërisht baladat.

Në këtë pikë të karrierës ku je, çfarë të ka dhuruar ky çmim?

Për mua është një kulminacion në karrierë. Më shton përgjegjësitë, sepse tani menaxhimi që duhet t’i bëj vetes duhet të jetë më shumë i menduar sesa më parë.



Ke pasur shpesh shumë histori me Top-Fest..

Për Top-Fest nuk kam shprehur pakënaqësi në pjesën e promovimit. Normalisht çdo këngëtar dëshiron të jetë pjesë e finales, aq më tepër kur ndjen mbështetjen e publikut. Kam pasur edhe unë ato ndjesitë dhe zhgënimet e vogla që tani nuk më duken fare me këtë të fundit. Më ka pëlqyer promovimi dhe ndaj kam menduar ta zgjedh gjithmonë si festival. E falenderoj shumë Top-median dhe mendoj se gjithçka në karrierën time ka ndryshuar.

Kanë qenë dy balada në fakt, jotja dhe e Albëries më të komentuara si pretendente për të fituar. Di që Albëria të ka përgëzuar për fitoren..

Albëria më ka uruar, këngët tona kanë qenë më të folurat si pretendente për çmimin e parë. Albëria ka ngelur e kënaqur, në sensin që është koshiente që unë jam më e re në karrierë dhe më nevojitej më shumë një shtysë. E falenderoj për të gjitha fjalët pozitive që më ka thënë.

Kjo baladë dashurie a ka ndonjë dedikim?

Kënga nuk ka asnjë dedikim personal nga ana ime. Kur kënga ka qenë e papërfunduar kemi vendosur bashkë me Kledi Bahitin që tekstin t’ia besonim Olti Currit dhe nuk kisha dyshim që do të ishte një tekst perfekt. E kam uruar shumë Oltin, sepse ka bërë një punë të mrekullueshme.

Veç Top-Fest a je angazhuar me fushatën këto kohë?

Unë kam qenë pjesë e partive të ndryshme. Kam kënduar kur më kanë propozuar, por nuk jam identifikuar me një parti fikse. Kur më është bërë një ftesë kam qenë pjesë.



Ç’mendim ke për identifikimin që bëjnë këngëtarët me forca të ndryshme politike?

Unë asnjëherë nuk jam përfshirë në politikë. S’më ka pëlqyer kurrë të politizohem dhe nuk kam shumë informacione rreth politikës. Jam fokusuar tërëisht tek muzika, por gjithkush ka synimet e veta, ndaj nuk kam asnjë lloj paragjykimi për askënd.

Jeta jote si është këto kohë?

Ka qenë periudhë shumë intensive. Shumë punë. Tani pas Top-fest shumë e angazhuar me koncerte, telefoni nuk pushon thuajse.

Ofertat të janë shtuar?

Po. Por janë shtuar përgjegjësitë ndaj meje dhe jam duke punuar shumë për projektet e radhës. E kisha menduar si një vit intensiv dhe shumë projekte i kisha tashmë të nisura. Do të ketë shumë bashkëpunime në vazhdim. Po punoj për një video të re.

Në kërkim të kujt është Samanta, suksesit, parasë, dashurisë?

Në kërkim të suksesit.
(shqiptarja)

Samanta Karavello: Çmimi I Parë Fshiu çdo Zhgënjim Në Karrierën Time