>
BIOSHQIP

Shkurte Fejza I Këndon Bukur Këngës Së Mirëfilltë Prej 40 Vjetësh

27-11-2012
Ka 40 vjet që i këndon bukur këngës së mirëfilltë shqiptare, ka afër 40 albume,e ndërsa në prag të 100- Vjetorit të Shtetit Shqiptar ka sjellë albumin "100 Këngë për 100 vjetor".

Kjo është këngëtarja Shkurte Fejza që rrëfen në këtë numër festiv për gazetën tonë, dashurinë e saj të madhe duke bashkëjetuar me këngën.

E identifikuar me këngën popullore ky si taban ka patriotizmin, këngëtarja e njohur tregon se nuk ka qenë e lehtë të këndosh kështu, sidomos në vitet më parë, ndërsa për këngët të cilat kanë ardhur këtë vit kushtuar 100- Vjetorit nga ana e këngëtarëve të tjerë, ajo thotë se nuk duhet t'i këndohet kësaj festë, vetëm për të bërë diçka dhe se është në modë.

Por a e ka kënduar Shkurta këngën e saj më të mirë, dhe si i ka punët ajo me internetin dhe a është e kënaqur ajo me anën financiare? Ndiqni rrëfimin e sinqertë dhe të bukur të saj.

"Kosova Sot": "100 këngë për 100 vjetor" pse ky titull, Shkurte?

Shkurte Fejza: Këta 100 vjet nuk ishin të lehtë për shqiptarët në përgjithësi. Nuk dua ti numëroj të gjitha ato që i ndodhen shqiptarëve në viset e okupuara por edhe në Shqipërinë londineze.

Sot Shqipëria por edhe shqiptarët në Kosovë dhe viset tjera shqiptare kanë arsye të festojnë sado që ende nuk i kemi realizuar të gjitha synimet tona. Sot ne festojmë 100 vjetorin e shtetit tonë kombëtar dhe uroj por edhe jam e bindur se ky shekull do të jetë shekulli i shqiptarëve.

Gjatë këtij viti për nder të kësaj feste kam realizuar tre kënge dhe videoklipe, "Ëndrra shekullore" ku kam shprehur tërë dashurinë time për Shqipërinë. "Hidhet vallja çame" e cila shpreh dashurinë dhe respektin për Çamërinë, e cila shprehet përmes valles dhe vajzave çame, dhe e treta është "Kuvendi i Junikut", me të cilën dua të paraqes rolin e këtij kuvendi, i cili i ka paraprirë shpalljes së Pavarësisë së shtetit shqiptar. Dhe, si përfundim i krejt kësaj tani sa kam edituar albumin tim "100 këngë për 100 vjet". Është një përmbledhje e këngëve të mia më të bukura patriotike, të cilat i kushtohen ngjarjeve dhe personaliteteve më të shquara të kombit gjatë këtyre 100 vjetëve. Janë këngë të realizuara nga unë për 40 vite me radhë.

"Kosova Sot": Ju jeni këngëtarja e himnin të këngëve kushtuar bashkimit kombëtar?
Shkurte Fejza: Unë që në fillim të karrierës sime kam synuar të krijoj identitetin tim, nuk kam imituar asnjë këngëtare më të vjetër, nuk kam dashur të bëhem si asnjëra (edhe pse kam pasur idhujt e mi), dhe këtë ia kam arritur. Kështu që jam identifikuar me këngën popullore me taban kombëtar. Kjo për t'u arritur ka qenë shumë vështirë, sidomos në kohën e okupimit. Këtë identitet do ta ruaj dhe ashtu edhe do të mbetem gjer në fund të karrierës sime.

"Kosova Sot": Shkurte, trembësh, apo i mirëpret këngëtarët e rinj të cilët kontribuuan edhe ata me këngët e tyre për 100- Vjetor?
Shkurte Fejza: Assesi nuk trembem, sepse kjo vetëm e plotëson mozaikun e nisur nga unë. Por për të kënduar këngë të kësaj natyre duhet përkushtim. Duhet tekst i mirë, melodi e bukur dhe e mirëfilltë shqipe, orkestracion të mirë, pastaj edhe interpretim solid. Të gjitha këto elemente e përbëjnë një këngë të bukur dhe të dinjitetshme që i bën nder kësaj feste. Nuk i këndohet 100- Vjetorit të shtetit kombëtar dosido dhe sa për të bërë diçka, sepse është moda sot për këtë.

"Kosova Sot": Nëse i ke dëgjuar, cila të ka pëlqyer dhe ka qenë një këngë e qëlluar sipas vlerësimit tënd?
Shkurte Fejza: Ka shumë dhe disa më pëlqejnë, ndoshta nuk është mirë për ta veçuar ndonjërën.

"Kosova Sot": Këngëtarët e tjerë që po i këndojnë këngët e tua, janë duke i prishur ato, apo po mundohen që ti këndojnë bukur?

Shkurte Fejza: Mendoj se është kjo e dyta dmth po mundohen që t'i këndojnë bukur, edhe pse nganjëherë po i prishin duke u munduar që ato t'i adaptojnë për treg. Disa po mundohen që t'i paraqesin si këngë të tyre. "Xhamadanin via-via" kur e kam realizuar para 20 viteve nuk ka qenë e lehtë vetëm me shku në Shkodër. Por shyqyr prej Zotit ia ka vlejtur, sepse edhe sot e dy dekada është kënga më e kërkuar, pra një megahit kombëtar.

"Kosova Sot": Ti ke kënduar deri tani këngët tënde më të bukur, apo do të jetë ndonjë këngë tjetër që mund të jetë më e mira e karrierës tënde muzikore?

Shkurte Fejza: Unë kam shumë këngë të bukura, mund ta shihni në albumin 100 këngë…Por ndonjëra ka si të thuash më shumë fat dhe publiku e vendos si psh Xhamadani.

"Kosova Sot": Si i ka punët Shkurta me teknologjinë e internetit, komente, klikimet, facebook si është marrëdhënia me to?

Shkurte Fejza: Nuk kam edhe shumë kohë me u marr me të, por jam e kënaqur. Kam miliona klikime në internet, pastaj ndoshta jam e vetmja këngëtare që komentet për mua në internet janë kryesisht pozitive dhe për këtë u jam mirënjohëse të gjithë adhuruesve të këngës sime, sepse ata më kanë mbajtur gjallë. Mos të ishin ata dhe aq të shumtë si do të vazhdoja për 40 vite me rreth dyzet albume dhe me gjithë ato këngë të realizuara. Relacionin me publikun e kam të shkëlqyeshëm. Edhe njëherë flm shumë.

"Kosova Sot": E kënaqur me financat që sjell muzika, apo jo?
Shkurte Fejza: Po. Absolutisht po.

"Kosova Sot": Ku do të këndojë Shkurta për 28 Nëntor?
Shkurte Fejza: Kam një turne timen për festë. Me 21 isha në Therandë, më 22 në Prishtinë, më 24 dhe 25 në Zvicër, më 26 në Finlandë, më 27 në Prishtinë, me 28 në Vlorë, patjetër, pastaj me 30 në Hanover, me 1 dhjetor në Danimarkë dhe e përfundoj me 2 dhjetor në Hamburg për t'u kthyer në Prishtinë për të pushuar pak.

"Kosova Sot": Të kujtohet dasma më patriotike shqiptare që ti ke marrë pjesë?
Shkurte Fejza: Unë kam me dhjetëra e dhjetëra dasma gjatë vitit. Nëse flasim për më patriotike atëherë kanë qenë disa në Kërçove në vitin 1986. Ndoshta ka qenë koha dhe rrethanat atëherë. Por edhe sot shqiptarët e asaj treve e duan këngën patriotike.
(Maksim GJOKAJ)

Shkurte Fejza I Këndon Bukur Këngës Së Mirëfilltë Prej 40 Vjetësh