>
BIOSHQIP

Shkurte Fejza: “Për Pushime Zgjedh Bregdetin Shqiptar”

21-08-2014
Është padyshim emri më i dashur i muzikës popullore në trojet tona. Bëhet fjalë për këngëtaren Shkurte Fejza e cila tash e 40 vjet me këngët e saj ka depërtuar në çdo shtëpi shqiptare. Por edhe pse ajo ka arritur kulim e suksesit në skenë, Shkurta tregon se ka ende plane e risi për publikun e vet. Kështu të paktën ka thënë vet ajo në një bisedë për gazetën Tribuna, ku nuk hezituar të shpalosë shumëçka duke filluar nga angazhimet e deri te jeta e familja e saj...

I këndoja kombit atëherë kur rrallë kush guxonte. Është kjo Mjeshtrja e Madhe e skenës sonë Shkurte Fejza, e cila edhe pas dyzet vjet karrierë, ka ende për të dhënë për publikun e vet. E këtë e thotë edhe vetë këngëtarja. E cilat janë planet e saj në karrierë, ku i kalon pushimet, si e kalon ditën e shumë të tjera ekskluzivisht vetë këngëtarja i ka treguar në një bisedë për gazetën Tribuna.

Cilat janë angazhimet tuaja aktuale?

Shkurta: Unë jam e angazhuar rregullisht dhe kjo është puna ime të cilën e bëjë në vazhdimësi gjatë tërë vitit. Hulumtoj tekste që më duhen, bashkëpunoj me kompozitorë dhe bëj këngë, këndoj dhe paraqitem në skenë. Kjo më ka mbajtur në skenë për 40 vite me radhë. Kam realizuar disa këngë dhe një videoklipe. Nuk jam këngëtare sezonale dhe e rastit. Normalisht që unë jam këngëtare e koncerteve dhe skenës, mirëpo siç dihet edhe ju duhet ta dini në Kosovë për dekada të tëra nuk organizohen koncerte dhe mendoj se vetë Prishtina është ndoshta i vetmi vend në Evropë që nuk organizon evenimente të tilla e as sallë koncertesh nuk ka. Disa këngëtarë këndojnë nëpër diskoteka apo lokale të vogla, pak për qejf por më shumë për mbijetesën e tyre. Ndërsa unë këtë e bëj jashtë vendit, në diasporë, por pa lënë anash edhe dasmat, ku gjatë verës jam më tepër e angazhuar në dasma - sidomos gjatë verës.

A mendoni të keni një album të ri për adhuruesit tuaj?

Shkurta: Nuk e di sa jeni të informuar por këngëtareve iu ka pamundësuar që të editojnë album sepse nuk ka kushte për ketë. Për një album duhet të përgatiten së paku 10 këngë që kushtojnë 10 mijë euro. Albumin duhet me ia falë ndonjë të ashtuquajturi produksion muzikor. Po them të ashtuquajtur sepse tek ne nuk ka produksione por janë disa firma të vogla që merren me shitjen e CD-ve dhe ata të shkretit detyrohen me i shit ato CD nga 87 centë nëpër dyqane dhe me çka me ia pagu këngëtarit shpenzimet. Edhe me këtë çmim nuk kanë shitje sepse përmes internetit të gjithë kopjojnë në mënyrë të paautorizuar këngët tona. Këngët tona i shfrytëzojnë: TV, Radiot, lokalet dhe të gjithë njerëzit dhe nuk paguajnë asnjë cent. Nuk kemi arsye ta financojmë dhe editojmë album. Sot këngëtarët financojnë albume vetëm sa për të mbetur në të ashtuquajturin treg apo këngëtarët e rinj për të hyrë në të.

A keni në plan ndonjë bashkëpunim?

Gjatë karrierës sime përpos këngëve të mia, gjithmonë kam pasur bashkëpunime kohë pas kohe edhe pse nuk jam bazuar shumë në ato bashkëpunime sepse karrierën time e kam ndërtuar vetë. Këtë radhë kam realizuar një këngë shumë të bukur, një këngë të mirëfillte popullore së bashku me një këngëtare shumë të mirë shkodrane, me Violeta Zefin. E kemi realizuar edhe me videoklip. Po ashtu e kam realizuar edhe një këngë tjetër me një këngëtar nga Tirana, por realizimin e videoklipit ende nuk e kemi bërë për shkak të angazhimeve të mia gjatë verës nëpër dasma.

Për pushime zgjedh bregdetin shqiptar

Ku keni qenë prezent gjatë këtij sezoni?

Kam qenë shumë e angazhuar nëpër dasma për çdo ditë. Këtë vit nuk ka qenë edhe koha për mbrëmje muzikore edhe pse unë nuk bazohem shumë në mbrëmje, sepse dasmat janë më të sigurta.

A keni pasur kohë për pushime?

Zakonisht para sezonit shkoj pak në pushim sa për t'u çlodhur. Nga 1 shtatori do të shkoj në pushim dhe këtë radhë do të jam në bregdetin shqiptar dhe planifikoj që të shkoj nga disa ditë në relacionin Sarandë-Durrës-Ulqin. Ashtu kam dëshirë që mos të rri në një vend.

Jeni shumë vjet në skenë. Çfarë mendoni për globalizmin kulturor a do ta përfshijë edhe muzikën shqiptare?
Shkurta: Globalizmi kulturor është i pashmangshëm për të gjithë popujt e sidomos popujt e vegjël siç jemi ne. Por tek ne po vjen në variantin më të keq. Me këtë trend si po shkon kënga shqipe e sidomos kënga popullore, nuk e di a e di dikush se ku do të përfundojmë.

Cilin projekt dhe cilin vit e konsideroni si kulmin e suksesit në karrierën tuaj?
Shkurta: Unë kam punuar në vazhdimësi dhe mund të them se për dyzet vjet kam qenë prezentë në skenë dhe e suksesshme. Nëse filloj t'i numëroj vitet e suksesshme dhe këngët hite, thuaja për çdo vit atëherë do të mbushej gazeta. Unë kam arritur rekordin më të madh që mund të arrihet në shitjen e albumeve me “Kosovë - Nana ime”, që më 1990 deri më tani nuk e ka arritur askush në trojet shqiptare. Kënga ime: Xhamadani Vija-Vija është kënga që më së shumti është kënduar nga të gjitha këngët shqipe për këto 22 vite me radhë. Vitin e kaluar jam dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh” i këngës shqipe nga presidenti i Shqipërisë dhe këtë titull ende nuk e ka marrë gjer më sot asnjë artist nga Kosova.

Si plotësohet një ditë e juaja?

Dita ime fillon me punët e shtëpisë si çdo nënë tjetër, puna rreth fëmijëve edhe pse të gjithë janë rritur por përsëri kanë nevojë për mua dhe normalisht për asnjë moment nuk i ndahem këngës.

A jeni simpatizuese e kinematografisë?
Shkurta: Shumë. Pas këngës pasion e kam filmin. Nganjëherë i humbi nëse mund të them disa orë duke ndjekur filma. Kam dëshirë të shkoj edhe në kinema, por nuk po kam kohë.

A mund të na tregoni për fund diçka për familjen dhe jetën private?

Familja ime fillon me Hajrushin sepse është i pari që jam njohur. Është ekonomist i diplomuar që para 30 vitesh me një përvojë të madhe profesionale dhe menaxheriale si për karrierën time, ashtu edhe në administratën shtetërore të shtetit tonë. I dyti është Arbri që ka bërë master në Shkencat Politike për politikat evropiane dhe ligjëron në një kolegj universitar. Është Gresa që ka mbaruar Master në Shkencat Juridike për të drejtat e autorit dhe punon si konsulent e jashtme në Zyrën Ligjore në Kryeministri. Është Besiana që ka mbaruar po ashtu Master Shkencat Ekonomike në një Universitet shumë të njohur anglez dhe mund të them se është një poliglote e gjuhëve të huaja, por që është e papunë edhe pse ajo nuk rri dhe merret me kreacione dhe më ndihmon mua në përgatitjen për skenë. Dhe e vogla është Agnesa që studion në vitin e dytë në farmaci. Kjo është familja ime e ngushtë.
Ju përgëzoj për gazetën tuaj e cila kam përshtypjen se po lexohet shumë sepse po e shoh çdo ditë në shtëpinë time.

(Erdonit Hoxha)

Shkurte Fejza: “Për Pushime Zgjedh Bregdetin Shqiptar”