>
BIOSHQIP

Shkurte Fejza: “Mbetem Ajo Që Kam Qenë Edhe Pas 40 Vjetësh Karrierë”

10-02-2015
Ta kesh në intervistë atë është sikur të kesh në dorë një tufë me lule, të cilat sa më shumë t’u marrësh erë, aq më shumë të shtohet dashuria ndaj tyre. Është kjo bilbili I këngës së pastër shqipe, Shkurte Fejza, e cila na vjen në këtë intervistë pak më ndryshe, për të folur rreth këngës dhe karrierës së saj “të shenjtë”. Teksteshqip: Shkurte, ju me talentin tuaj prej vitesh keni krijuar fole në zemrat e mbarë shqiptarëve. Si mendoni, ato që ju kanë përkrahur, cilës kategori u takojnë? Shkurte Fejza: Karriera ime është shumë specifike dhe dallon rrënjësisht në krahasim me artistët e tjerë, sepse kam qenë nga fshati dhe kuptohet që kushtet s’ishin të përshtatëshme. Pastaj, përmbajtja e këngëve të mija nuk është shikuar me sy të mirë nga pushteti i atëhershëm, të gjitha këto qenë pengesa të mëdha, ndoshta edhe një sfidë e vështirë. Mirëpo, njeriu i arrin të gjitha kur merr një rrugë dhe vendos të arrijë cakun që ia ka vendosur vetes. Gjatë gjithë karrierës sime kam pasur vetëm pengesa nga pushteti. Pas një afirmimi shumë të madh, në vitin 1979/80, përfundon koha e rehatisë sime shpirtërore dhe nis përkrahja nga SH.K.A. ,, Afërdita”, shoqëri kjo që përbëhej nga njerëz të mirë dhe artdashës të mëdhenj, të cilët dhanë bukur shumë për këngën e mirëfilltë shqipe dhe çështjen kombëtare në përgjithësi. Por, edhe kjo u ndërpre nga pushteti i atëhershëm, njëlloj ndodh dhe me mua ngase ma ndaluan këngën në vitin 1981 për disa vite me radhë. Dënimi me burg për mua dhe bashkëshortin tim, në vitin 1986, u bë për shkak se pata kënduar në Tetovë në një dasëm. Nuk ngeli me kaq, na larguan nga puna në vitin 1988, na konfiskuan pasaportat, e kështu me radhë. Të gjitha këto presione kishin për qëllim gjunjëzimin tonë, sikundër e merrnim ne një vullnet tepër të madh, për të vazhduar më tej ngritjen e kulturës sonë kombëtare. Përmes këngës, unë kam shprehur të gjitha emocionet e mia, kam shprehur orientimin dhe përcaktimin tim kombëtar. Unë këngën nuk e kam marrë si argëtim apo hobi, por si një mision serioz, I kam përkushtuar mund të madh dhe kjo mund të vërehet në përpikmërinë e përzgjedhjeve të teksteve dhe jam krenare që edhe pas 40 vjetësh në skenë, nuk kam nevojë të korrigjoj as edhe një fjalë, sepse të gjitha këngët e mia janë aktuale dhe të rezistueshme ndaj çdo periudhe. Janë mbi 400 këngë të realizuara, plus edhe mbi 50-60 këngë kushtuar dëshmorëve të kombit, mbi 40 albume personale dhe shumë albume të përziera me këngëtarë të tjerë, shumë videoprograme e videoklipe. Kam marrë pjesë në mijëra koncerte, në vend dhe nëpër botë, pastaj jane 52 emisione ,, Rrënjët tona “ të realizuara përmes RTK-së. Ndërsa sa u përket koncerteve humanitare, janë me qindra si psh: në vitin 1991 në tërë Kroacinë, për arsimtarët në vitin 1992, nëpër Evropë dhe për studentët, etj.. Pastaj, shumë koncerte dhe manifestime përkujtimore në periudhën e pas luftës. Të gjitha këto nuk kanë mundur të mos vërehen dhe vlerësohen nga artdashësit dhe nga njerëzit e mirë që e duan këngën e bukur shqipe, që e duan kombin e vet dhe që e vlerësojnë të mirën dhe kontributin e atij që e meriton. Unë që në fillim jam përcaktuar të krijoj identitetin tim me këngën dhe këtë ia kam arritur, andaj më ka vlerësuar publiku, me të cilin krenohem përjetë. E them me plot gojë atë se adhuruesit e këngës sime janë njerëzit më patriotë dhe që ia kanë dashur përparimin vendit dhe rrethit.



Teksteshqip: Është e ditur ajo se keni përjetuar shumë momente të vështira në kohën e Jugosllavisë. Cilët faktorë ju kanë nxitur t'i thurrni vargje mëmëdheut? Shkurte Fejza: Sa më tepër që kam pasur presione, aq më tepër kam marrë vullnet dhe jam angazhuar në gjetjen e temave patriotike për të kënduar dhe përditshmëria ka qenë motivim për punën time. Teksteshqip: Shkurte, a mund të veçoni momentin më të vështirë dhe më të dashur gjatë këtyre 40 viteve karrierë? Shkurte Fejza: Kur e prezantoj këngën, jam thellë e zhytur në të dhe harxhoj energji gjatë interpretimit, te unë nuk ka improvizim, andaj dhe jam gjendur në momente të veçanta. Më ka ndodhur në Ferizaj duke kënduar një këngë për një dëshmor, kam filluar të qaj dhe e kam ndërprerë këndimin, sepse sado që ke krenari për veprën e dëshmorit, prapë në anën tjetër më rrëmbeu dhembja në shpirtin tim, si një nënë, por edhe pse në sallë ishin prezent fëmijët e vegjël të po atij dëshmori. Kam pasur raste të ndryshme, sidomos para luftës, kur duke kënduar nëpër koncerte mërgimtarët nga malli për të afërmit, për vendlindjen dhe atdheun, kanë përcjellur këngën time duke qarë. Mirëpo kënga të ofron edhe kënaqësi të shumta. Kur këndoja nëpër koncerte, gjithmonë publiku më priste tepër mirë, ngrihej i tëri në këmbë dhe me brohoriste, brohorisnin emrin tim apo këndonin bashkë me mua. Më bën të ndjehem mirë momenti kur adhuruesit vijnë të fotografohen dhe më japin komplimente e sugjerime. Kam momente shumë interesante, më ka ndodhë me qindra herë të më afrohen vajza dhe të më thonë se e kam emrin Shkurte dhe se prindërit ma kanë vënë këtë emër nga simpatia për ty. Kjo le të kuptosh se të duan të gjitha gjeneratat. A ka më kënaqësi se kjo?! Teksteshqip: A mund të na thoni si jeni përcaktuar në këtë rrymë muzikore, duke ditur se jeni ndër të parat që i qëndruat besnike këngës folklorike dhe asaj heroike? Shkurte Fejza: Kjo është çështje përcaktimi me kohë. Repertoari im jam unë, është programi im kombëtar. Zoti ta jep një dhunti, sikurse mua zërin dhe njeriu ka për detyrë ta përpunojë talentin dhe t’i kushton kohë, aq më tepër këngës, e cila përcjell mesazh të shenjtë kombëtar. Kënga duhet të ketë një mision, një qëllim të caktuar. Personalisht kam pasur këtë qëllim dhe mendoj se ia kam arritur. I kam kënduar të bukurës, të hijshmes, dashurisë, lirisë, herojve që kanë dhënë jetën për këtë vend. U këndoj dëshmorëve pa asnjë përfitim, vetëm duke u bazuar në veprat e tyre sublime me rastin e rënies për atdhe, si diçka shumë fisnike. Normalisht që kënga ime u shërben si fllad shpirtëror familjarëve të tyre dhe atyre që din ta çmojnë veprën e tyre. Unë këndoj për pjesën më patriotike të kombit.



Teksteshqip: Keni pasur bashkëpunime me shumë kolegë, sidomos me bashkëvendaset nga Mushtishti. Sa i çmoni bashkëpunimet? Shkurte Fejza: Bashkëpunimi rrjedh natyrshëm, kur njerëzit i lidh diçka. Në këto raste me bashkëvendaset e mia na lidhin shumë gjëra, duke u nisur nga afërsia vendore, nga cilësia e këndimit të tyre, por edhe nga preokupimet e njëjta. Unë kam pasur disa bashëkpunime me to dhe kam qenë e kënaqur nga realizimet e përbashkëta, kemi realizuar shumë këngë të mira dhe sigurisht se do të bashkëpunoj edhe në të ardhmen kur të na mundësohet ndonjë këngë e mirë. Normalisht se unë kam kritere pak më të forta në zgjedhjen e repertoarit dhe me vështirësi lëshoj pe në zgjedhjen e teksteve, por edhe në ruajtjen e vlerave tona muzikore. E kërkoj më të mirën dhe më përmbajtësoren, si nga vetja, poashtu edhe nga të tjerët që bashkëpunoj. Kohëve të fundit kam bërë bashkëpunime me Ilir Shaqirin, Bujar Qamilin, apo Violeta Zefin, por edhe me të tjerë që do të editohen në të ardhmen. Gjithmonë, kur dua që të realizoj një këngë në bashkëpunim, te unë luan rol të madh kënga, d.m.th. teksti, muzika në përmbajtje, e jo emri se me kë e bëj. Kam synuar që emri im, kënga ime t’i përket të gjithë kombit shqiptar, e jo vetëm fshatit tim, rrethit tim apo vetëm Kosovës. Teksteshqip: Ju si Shkurte Fejza, së bashku me bashkëshortin, Hajrushin, keni dhënë mjaft bukur për Mushtishtin. Sa ka dhënë rrethi juaj për ju? Shkurte Fejza: Ne jemi munduar që prindët tanë, familjet tona, por edhe fshati ynë të krenohet me ne, të jemi një shembull i mirë dhe kësaj në një formë apo tjetrën ia kemi arritur dhe e ndjejmë veten mirë. Asnjëherë nuk kemi menduar që të kërkojmë diçka nga vendi ynë. Mjafton që na duan dhe na respektojnë në çdo aspekt. Dashuria dhe respekti është çmimi dhe dhurata më e mirë që mund të ta jep dikush. Teksteshqip: Si e shihni muzikën e ditëve të sotme? Shkurte Fejza: Është ndezur drita e kuqe që moti për muzikën shqipe dhe për vlerat tona muzikore, tradicionale dhe këtë duhet ta shohin ata që janë kompetent për këtë punë. Kënga popullore shqipe jo që nuk po përkrahet, por përkundrazi po luftohet në mënyrën më të vrazhdë. Ne dikur kishim orkestrinën e kompletuar popullore të Radio Prishtinës, tani nuk kemi fare, sepse e kanë zëvendësuar me një “bend” të çoroditur që nuk dihet për çka shërben, (për të marrë rroga dhe me siguri dikush për të shpërlarë para). Kishim festivalin “Akordet e Kosovës” për të trija zhanret, sikundër tani që nuk kemi festival fare dhe bëhen dofarë eventesh. Dikur kompozitorët kompononin këngë për radio apo për festivale, ndërsa tani heshtin apo kanë gjetur forma tjera për të përfituar. Sot sajojnë këngë shumë amatorë apo matrapazë që kopjojnë nga gjuhët sllave, turke apo gjuhët tjera orientale, pse jo edhe nga romët. Sa për do të quajtur “këngëtarë”, as që dua të harxhoj kohë, disa prej të cilëve patën nisur mirë karrierën, e tani po e bastardojnë muzikën e pastër. Krejt ky degradim po ndodh para syve të institucineve që janë të thirrura për t’i ruajtur vlerat tona kulturore dhe në fund të fundit paguhen nga taksat e qytetarëve dhe mbajnë përgjegjësi. Vetëm të shikosh se çka po transmetojnë televizionet tona, është për të ardhur keq ku na e kanë hudhë kulturën e traditën. Me pak fjalë, muzika popullore është në krizë të thellë. Teksteshqip: Vajza e juaj Gresa po ndjek profesionin e juaj me përpikmëri. Talentët e rinj, sipas jush, si duhen trajtuar? Shkurte Fejza: Të rinjtë duhen përkrahur, por edhe duhen këshilluar për të mirë, çka është fisnike dhe çka i ofron arti në staza të gjata, e jo në rezultate afatshkurtëra. Mesazhi më i mirë është puna dhe veprimtaria ime, karriera ime që e kam krijuar me shumë mund, me shumë sakrificë, por edhe më është shpërblyer në radhë të parë nga adhuruesit e shumtë që më kanë mbështetur, pa të cilët nuk do isha kjo që jam sot. Do të thotë, këshilla më e mirë është shembulli personal. Nuk mundesh të jesh edukatore e mirë nëse vet nuk ke bërë punë të mira. Të rinjtë duhet ta dinë se kënga dëgjohet e nuk shikohet dhe nëse dëgjohet dhe pëlqehet, ajo ka jetë të gjatë. Teksteshqip: Populli jonë e do këngën e Shkurtes sa të jetë jeta. A keni menduar ndonjëherë për t'u thënë "stop" angazhimeve muzikore? Shkurte Fejza: Për këtë nuk vendosi unë, vendosin përkrahësit e këngës sime, sepse sikur mos të kisha adhurues dhe përkrahës, moti do isha përshëndetur me këngën. Kënga realizohet dhe këndohet për ata që të dëgjojnë. Sigurisht, shumë njerëz para meje dhe pas meje kanë kënduar por dihet që sukses do korrë ai që e vlerëson publiku. Edhe mosha e bën të vetën dhe njeriu duhet të jetë I pregaditur për të gjitha sfidat e jetës. Unë vitin e kaluar shënova 40 vjetorin e karrierës me një koncert të kënduar drejtpërdrejt dhe mendoj se doli diçka e bukur. Kam dëshirë edhe 50 vjetorin ta shënoj me një koncert të ngjajshëm, ku do të këndoja live dhe ndoshta aty edhe do të përshëndetesha me publikun tim nga angazhimi aktiv me këngën. Të shohim... Teskteshqip: Shkurte, ishtë nder i veçantë që vendosët të realizojmë këtë intervistë, me të cilën ne krenohemi si portal. Fansat që e lexojnë këtë shkrim, si do i kishit përshëndetur? Shkurte Fejza: Kultivimi dhe ruajtja e muzikës popullore, por edhe e vlerave tradicionale në përgjithësi, sot është patriotizëm. E them me plot bindje se vendi gjithmonë ka nevojë për patriotizëm dhe patriot quhet ai që punon me nder dhe përgjegjësi në profesionin e vet. Mesazhi më i mirë është puna dhe veprimtaria e paraardhësve, në këtë rast ju si portal që ndiqni punën tonë, duke krijuar një arkiv të mbushur vetëm me vlera, sigurisht falë punës fisnike që bëni. Portali juaj, teksteshqip.com është shumë i veçantë, ju përgëzoj për angazhimin dhe i ftoj lexuesit që të lexojnë punën tuaj, duke u shtuar kështu numri i artdashësve, element të cilin nuk mund ta gjesh nëpër portalet e tjera. Ju falenderoj dhe shumë respekt për lexuesit tuaj të nderuar.
(Arsim Kolari/Teksteshqip.com)

Shkurte Fejza: “Mbetem Ajo Që Kam Qenë Edhe Pas 40 Vjetësh Karrierë”