A B C D E F G H I J K L M N O P Q R S T U V W X Y Z #
Biografia



Tags: Shkurte Fejza, Shkurtja, Shkurta
  • Rrjetet Sociale:
  • Official Facebook Profile


Zgjidhni me sa yje do votoni
  Mesatarja:  5 / Votuan:  262


Shkurte Fejza

Vendlindja: Mushtisht (Therandë)  
Jeton dhe vepron në  
Mosha: 55 Vjeç
Ditëlindja: 18 Nentor 1961
Shenja e Horoskopit: Akrepi
Këndon kryesisht: Popullore Folklorike
Rryma të tjera: Popullore Dasmash Popullore Kosovare Popullore Qytetare

Shkurte Fejza është një këngëtare dhe autore këngësh shumë e njohur. Mësimet e fillores i ka marrë në Mushtisht, ato të së mesmes në Therandë, kurse të lartat në Prizren dhe Prishtinë.
Paraqitjet e para në skenë i ka pasur qysh si fëmijë në programet e shkollës, ku u vërejt për herë të parë talenti i saj. "Isha vetëm tuj mendu" titullohej kënga e parë e kënduar nga ajo. Në maj të vitit 1975 merr pjesë në festivalin “Takimet e Majit” në Prizren dhe shpërblehet me Çmimin “Debutantja më e suksesshme”.
Shkrimin e parë për Shkurte Fejzën e ka bërë atdhetari ynë i madh Jusuf Gërvalla, në gazetën e vetme të asaj kohe “Rilindja” në vitin 1975.
Në këtë vit themelohet Shoqëria Kulturo-Artistike “Afërdita” në Mushtisht, në të cilën shoqëri, Shkurte Fejza ishte anëtare prej ditës së parë. Shumë shpejt kjo shoqëri u bë e njohur në të gjitha anët e botës shqiptare.
Viti 1978, është vit që bëri kthesë në jetën muzikore në Kosovë. Në këtë vit mbahet Festivali i Gjirokastrës. Në këtë kohë, sidomos në qytete të Kosovës dëgjohej me të madhe muzika serbe.
Festivali i Gjirokastrës nxorri disa këngë të bukura. Për Shkurten kjo ishte një mundësi e mirë, por më vonë do të vërtetohet se kjo ishte një e mirë për tërë Kosovën.
Këngët “Këngë për Mic Sokolin”, “Moj syzeza”, “Erdha nga qyteti”, etj., të cilat dëgjoheshin thuajse ilegalisht, u kënduan në këtë festival. Në pranverën e vitit 1979 bëhen xhirime nga Televizioni i Prishtinës (TVP). Dy emisione nga gjysëm ore u emetuan, ndërsa dy të tjerat kurrë nuk u panë nga publiku.
Veprimtaria e Sh.K.A. “Afërdita” shkonte furishëm dhe për një kohë shumë të shkurtër u bë qendër e reflektimit të muzikës së mirëfilltë shqiptare dhe e patriotizmit në Kosovë. Shkurtja ishte emblema e saj. Gjer më 17 janar 1981 paraqitet në qindra koncerte nëpër të gjitha qendrat e Kosovës por edhe nëpër shumicën e fshatrave. Një pjesë e koncerteve, janë mbajtur:
Në korrik të 1979-ës në Shtëpinë Edukuese, Lipjan. Në Prishtinë mbahet i dyti.
Me 4-6 dhjetor 1979 pjesëmarrja në RFBK në Drenas (Diplomë). Në dhjetor të vitit 1979 në Therandë (IGK “Ballkan”).
Pas një pauze, vazhdojnë:
Me 20 qershor 1980 në Therandë.
Me 25 qershor 1980 në fshatin Keqekollë të Malësisë së Gollakut. Interesimi ishte shumë i madh, kishin ardhur burra, gra e fëmijë. Detyrohen t’i mbajmë dy koncerte. Shkurta e këndon këngën “Moj ushtria popullore”, këngë për Ushtrinë Popullore të Shqipërisë. Një polic insiston duke u lutur që ta përsërisë, e Shkurtja ia kthen: “Po si jo, pasi ka edhe policë që e duan ushtrinë tonë! Me gjithë qejf”.
Me 26 qershor 1980 dha koncert në vendlindje - Mushtisht. Salla ishte e vogël për gjithë ata të interesuar.
Me 1 korrik 1980 në Besianë. Populli i Llapit e kishte mbushur sheshin para Shtëpisë së Kulturës. U mbajtën dy koncerte.
Me 7 korrik 1980 në Bllacë të Therandës.
Po ashtu me 7 korrik 1980 në Ferizaj, mbahen dy koncerte. Arsyet dihen...
Në këtë kohë krijohet idhull Shkurte Fejza.
Me 14 korrik koncert në palestrën e sporteve në Gjilan.
Me 21 korrik 1980 në Rogoçicë të Dardanës.
Me 25 korrik 1980 dy koncerte në Artanë (Novobërdë).
Me 26 korrik në Gjakovë, në palestrën e sporteve në qytetin ku me shekuj kultivohej kënga popullore. Një pritje madhështore u ishte organizuar nga gjakovarët.
Pastaj, sërish koncerte në Kishnicë. Me 6 shtator 1980 në Dragash dhe Brodosanë, me 8 shtator 1980 në Prizren, me 15 shtator 1980 dhe Kastriot (Obiliq) me 21 tetor 1980.
Me 11 tetor 1980 në kryeqytet, në qytetin e studentëve, aty ku ishte grumbulluar e gjithë energjia e rinisë në një kundërshtim të një sistemi. Një atmosferë e tillë nuk mbahej mend se ishte krijuar ndonjëherë. Me mijëra e mijëra njerëz, ku vetëm ata që kanë qenë aty mund ta përshkruajnë si ka qenë. U krijuan aso rrethanash sa që, me intervenimin e policisë, u desht të ndërpritet koncerti pak para përfundimit.
Me 5 dhjetor 1980 koncert për bashkatdhetarët në Therandë.
Me 10 dhjetor 1980 në Klinë.
Me kërkesën e një grupi studentësh të Fakultetit të Bujqësisë, për herë të parë do të këndojë në një program, tip restoranti. Ishte kjo brucoshiada e këtij fakulteti. Këta studentë (Riza Demaj etj.), do ta nisin demonstratën e 11 marsit të vitit 1981.
Koncertet e fundit me Sh.K.A. “Afërdita”, Shkurtja do t’i mbajë me 17 dhe 19 janar 1981 në qytetin e minatorëve, në Mitrovicë.
Gjatë viteve 1981-1983 Shkurte Fejza detyrohet të bëjë pauzë sepse, kënga e saj ishte e ndaluar.
Në vitin 1984, pas shumë peripecive, bën regjistrimin e katër këngëve me censurë. Ishin këto këngët “Çohuni djema shaloni atin”, “Valizake”, “O ky vend i bukur me lule plotë”, “Maji i kuq” etj.
Gjatë këtij viti, kënga “O ky vend i bukur me lule plotë” bëhet hit në valët e Radio Prishtinës, programi i dytë. Me votat e dëgjuesve, e fiton mikrofonin e artë. Bëhet edhe shpallja e fituesit publikisht, caktohet manifestimi i marrjes së shpërblimit. Thirret Shkurta për ta marrë shpërblimin, por dora e UDB-së ishte shumë e fortë dhe përmes stafit menaxhues të Radio Prishtinës ndalohet dhënia e këtij shpërblimi që ia kishin dhuruar simpatizuesit e këngës shqipe. Vlen të ceket se gazetari i Radio Prishtinës, z.Fatmir Podrimaj, i dëshpëruar nga një padrejtësi aq e hapur, propozoi ta padisim Radio Prishtinën në gjykatë. Por, në atë kohë edhe kjo do të ishte punë e kotë. Dorës së “fortë” edhe kjo iu duk pak dhe për t’i humbur gjurmët e kishin shlyer më vonë edhe vetë këngën fituese.
Duke ju falënderuar Qamilit të Vogël, edhe atë përmes “Jugotonit” në Zagreb, Shkurta regjistron disa këngë në albumet e tij: “Bukuroshja” dhe “Pranvera”, në vitin 1984.

Viti 1985 do të jetë më i bujshëm për Shkurten. Në Ferizaj themelohet një shoqatë e estradës muzikore e quajtur “Melodia”, e cila organizonte koncerte. Gjatë vitit 1985-1986, Shkurta do të mbajë koncerte solistike me mysafirët e saj në të gjitha qytetet në Kosovë dhe Maqedoninë Perëndimore. Madhështorë qenë dy koncertet e mbajtur në Dibër, '85-ën dhe '86'ën.
Në koncertin e Shkupit (Salla e sporteve - Kale) para mijëra pjesëmarrësve ngjitet në skenë një plak me mjekër dhe flokë të thinjura (Çulea Milea diçka i këtillë me emër) dhe në mikrofon thotë: “Jam nga Rijeka, jetoj në Shkup si avokat. Jam adhurues i Shkurte Fejzës, i këtij zëri të artë dhe ma kujton një të vetmin zë - si ai që e kam dëgjuar para 50 viteve si student në Romë”.
Në verën e vitit 1986 disa dashamirë të këngës nga Kërçova, në krye me Sylejman Elezin vijnë në Mushtisht dhe kërkojnë që Shkurta të këndojë në dasmën e tyre. Në atë kohë Shkurta nuk e praktikonte një gjë të tillë, por fjalët e z.Ukshin Hotit (që e kishin angazhuar të intervenonte) ishin më bindëse kur tha se, “kënga jote duhet të dëgjohet në Zajazin e Mufailit të vogël”. Gjatë asaj vere e gjithë krahina e Zajazit dhe Tuhinës buçiste nga kënga e Shkurtes. Në një dasmë në Zajaz, udhëtarët e detyrojnë të ndalet treni derisa të përfundojë kënga. Pastaj filloi Tetova me rrethinë, e kështu me radhë. Për pushtetin e atëhershëm kjo ishte e papranueshme dhe ndërmori masa.
Me 13 shtator 1986 në dasmën e njohur në fshatin Stremnicë të Tetovës, ishin tubuar disa mijëra njerëz nga e tërë rrethina e Tetovës. Vijnë policia maqedonase që të intervenojnë, por pasi turma ishte shumë e madhe, vetëm i marrin shënimet e grupit muzikor. Pas disa ditëve Gjykata Komunale në Tetovë lëshon aktvendimet për Shkurten dhe 10 anëtarët e grupit muzikor me dënime prej 60 ditësh. Dënimet ekzekutohen në Kosovë.
Në këtë kohë, Radio Televizioni i Prishtinës e hap Produksionin e kasetave në Prishtinë. Në TVP kishte kohë që këngët e Shkurtes nuk emetoheshin, por duke e ditur se albumet shiten mirë e ndoshta edhe me vullnetin e mirë të disave, Shkurta bën regjistrimin e albumit, “Ç’ke Kosovë që po lëshon za” (1987), pastaj edhe “Gurrë e shkrepa” (1988).
Në vitin 1988, Shkurtja largohet nga procesi edukativo-arsimor si arsimtare në shkollën në Mushtisht. I sekuestrohet pasaporta dhe i pamundësohet edhe udhëtimi eventual jashtë vendit.
Fundi i vitit 1989 dhe fillimi i vitit 1990, sjell në dritë albumin me titull “Oj Kosovë, oj nana ime”. Kjo këngë do të bëhet mega-hit i të gjitha kohërave. Albumin e editon Produksioni Muzikor Kosovafonia (firmë private).
Këtë vit Shkurta paraqitet në dy manifestimet më të rendesishme që do të mbahen në Lubjanë, organizuar nga Shoqata “Migjeni”, dhe në Zagreb të organizuar nga Shoqata “Nëna Terezë”.
Në vjeshtën e vitit 1990, Shkurta bashkëpunon me një firmë tjetër private të re, por shumë profesionale dhe prestigjioze “Mega Medium”. Fryt i këtij bashkëpunimi del në dritë albumi tjetër “Mbahu nëno mos ke frikë” dhe prapë hiti i madhë me të njëjtin emër. Pastaj edhe video programi i parë “Këngë e lot”.
Viti 1991 në bashkëpunim me kompozitorin e njohur nga Tropoja, Kolë Susaj sjell edhe një album “Për mëmëdhenë”, ndërsa kasetat detyrohen t’i shumëzojmë në Sarajevë, sepse fabrikën e kasetave të RTP-së e kishin uzurpuar sërbët. Gjatë rrugës prej Sarajevës, policia serbe i konfiskon 30.000 audio kaseta. Edhe origjinali ishte konfiskuar, andaj detyrohen që edhe një herë të përgadisin tërë materialin me orkestër dhe regjistrimin e programit e bëjmë në Dyseldorf të Gjermanisë në pranverë të vitit 1991.
Këtë vit, pra më 1991, një grup studentësh organizojnë një turne nëpër Kroaci për qëllime humanitare dhe, si zakonisht, Shkurta u bashkangjitet dhe e tërë turneja shkon nëpër tërë Kroacinë, pa asnjë kompenzim. Zoti e di se a janë destinuar ato mjete për atë qëllim që ishte organizuar. Ishte turne e gjatë prej Osijekut, Zagrebit, Pulës, Rijekës, Zarës e deri në Split.
Në vitin 1992, në bashkëpunim me shqiparët në Gjermani, organizon koncerte nëpër Evropë dhe nga të hyrat e koncerteve iu ndanë arsimtarëve përmes LASH-it në Kosovë 41.500 DM.
Në vitin 1992, Shkurta shkon për herë të parë në Shqipëri. Këtu regjistron këngën mbi rrugëtimin e parë në Shqipëri...

Kam një lot m’pikon si ar
Se ndër shekuj jam shqiptar
E kur malet m'i mbuloi bora
Për atdhe këngës ia mora
M’rreh si zemër çiftelia
Është Kosova është Shqipëria
Është një qiell që na bashkon
E një djep që na burrnon
Është një gjuhë që flasim tanë
E një tokë që e thrrasim nanë...

Rrugëtimin e përshkruan kështu...

Rrugës sime për Shqipni
M’ka përcjellë ai Drin i Zi
Dhe u nisa për me ardhë
Por si vala e Drinit të Bardhë.

Në bashkëpunim me të ndjerin Pjetër Gaci dhe Zef Çobën, e realizon edhe albumin me titull “Kam një lot m’pikon si ar”.

Në korrik të vitit 1994, me Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve të Shqipërisë, merr pjesë në Festivalin Botëror të Folklorit në Karolinën Veriore në SHBA dhe shpërblehet me Çmim Special.

Në vitin 1995 e regjistron këngën kushtuar mërgimtarit “Çka ka zogu që po qan” por në vazhdim e bën këngën “Mekje s’ka” dhe albumin e titullon “Vdekje s’ka”, sepse sa do që ligështohemi, nuk duhet pranuar vdekjen dhe nënshtrimin.
Në vitin 1996, me Shyhrete Behlulin e bëjnë albumin e përbashkët “20 vjet për ju”.
Viti 1997 sjell albumin “E kam emrin Kosovar”.
Në vitin 1998 e editon albumin “Bashkojmë krushqit për Kosovën”. Po në këtë vit vjen edhe albumi tjetër me Shyhreten “Këngë e lot”.
Lufta e gjen në Mushtisht dhe kjo është histori më vete.
Viti 1999 sjell albumin "Këngë nga zemra".
Në vitin 2000 albumi “Jo nuk ndahet Mitrovica” bën bujë të madhe, por edhe albumi i dytë në po të njëjtin vit "Fluturoi shqiponja n'Kumanovë", kushtuar vëllezërve nga mbarë malësia e Karadakut.
Në vitin 2001 në festivalin e organizuar në Shtutgard, me pjesëmarrjen e këngëtarëve më të mirë nga Kosova, juria profesionale në përbërje: Fahri Beqiri, Engjëll Berisha dhe Andrea Gajda ia ndajnë vendin e parë Shkurtes. Më në fund një juri vendos e lirë pa presione!
Në vitin 2002 sjell albumin “Të dua Kosovë”.
Gjatë viteve 2000-2005 së bashku me Shyhrete Behlulin, Remzije Osmanin, Naxhije Fejzën, Motrat Mustafa, Mahmut Feratin, Nikollë Nikprelajn, editon shumë albume të përbashkëta me këngë të përpunuar si dhe disa video programe.
Viti 2004 sjell një album tepër të mrekullueshëm me këngë popullore, të titulluar “E bardha verë”.
Vitin 2005 editon albumin “Shqiptari të dua” dhe albumin tjetër kushtuar dëshmorëve të kombit dhe që e titullon "Dëshmorëve të kombit" me plot 18 këngë.
Në vitin 2006, dhuratë për adhuruesit sjell albumin "Feston Kosova".
2007-ta sjell albumin e titulluar "Pritën nanë".
Në vitin 2008 publikon albumin "Malli".
Viti 2009 vijnë albumet solo "Për ju dëshmorë" dhe "Gur i pavarësisë".
Vitin 2010 punon albumin "Moj sheqere" dhe albumin me vajzën, Gressën "Këngë dasmash".
Vitin 2011 vjen me surpriza të reja për adhuruesit dhe këngët e reja i përfshin në albumin "Lulja e kismetit".
Në vitin 2012 sjell albumin tepër të suksesshëm "Ëndrra shekullore".
2013-ta vjen bombastike me albumin "Dy Kosova", por edhe disa klipe të reja. Në këtë vit, presidenti i Shqipërisë e dekoron me çmimin "Mjeshtër i madh".
Në vitin 2014, Shkurta mbushi plot 40 vjetë karrierë dhe për nder të këtij viti jubilar, më 30 tetor organizoi mbrëmjen gala. Po në këtë datë, presidentja e Kosovës znj.Atifete Jahjaga i dhuron "Medaljen presidenciale të meritave". Për nder të këtij përvjetori historik, Shkurtja adhuruesve ju bëri dhuratë albumin e saj me plot 40 këngët më të mira të titulluar "40 vjet zëri i kombit".
Në vitin 2015 vjen albumi me këngë dasmash "Këndon bilbili".

Gjatë gjithë kësaj karriere, Shkurtja ka realizuar me qindra bashkëpunime, dhjetra albume me kolegë, afër 40 albume personale, por edhe mbi 20 videoklipe.

Në përgatitjen e albumeve, Shkurta ka bashkëpunuar me kompozitorët:
Pjetër Gaci, Zef Çoba, Kolë Susaj, Edmond Zhulali, Naim Gjoshi, Përparim Tomçini, Aleksandër Peçi, Naim Krasniqi, Xhevdet Gashi, Burim Krasniqi, Valton Beqiri, Ylber Asllani, Bekim Bislimi, Demir Krasniqi, Bekim Lumi
Në këngët e Shkurtes zënë vend tekstet e këtyre autorëve:
Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, Hamit Aliaj, Naim Plaku, Gjokë Beci, Ymer Shkreli, Faruk Tasholli, Naime Beqirajt, Bekim Bislimit,Demir Krasniqi, Bekim Lumi, Fatmir Muja, etj., por edhe poezitë e rilindasve tane: Gjergj Fishta, Naim Frashëri, etj.

Aktualisht jeton dhe vepron në Prishtinë me bashkëshortin Hajrushin, djalin dhe tre vajzat.

» Dërgo Korrigjime »

Punuan Biografinë:  arsimdiber  





Kalendari
05/12/2016
Gëzuar Ditelindjen TeksteShqip Uron:
Ganimete Jashanica
Ganimete Jashanica
50 vjeç
Irva Stefa
Irva Stefa
27 vjeç
Arben Duka
Arben Duka
59 vjeç
Keri Hilson
Keri Hilson
34 vjeç

Votimi i Javës
   4-10 Dhjetor 2016

Kush Është Më E Bukura?

  Dafina Zeqiri

  Bleona Qereti

  Era Istrefi

  Adelina Berisha

  Tuna

  Zaimina Vasjari

Voto