>
BIOSHQIP

Shyhrete Behluli, E Gatshme Të Ndihmojë Të Rinjtë E Talentuar

26-01-2014
Njëra ndër emrat më të dashur të muzikës popullore Shyhrete Behluli, ka bërë të ditur për gazetën Tribuna se është duke punuar në këngën e re e cila do të vijë së shpejti me videoklip. Ajo ndër të tjera ka zbuluar edhe shumëçka për risitë që do t’i sjellë në treg, ndërsa ka shpalosur se ajo është e gatshme të ndihmojë edhe të rinjtë e talentuar që duan t’i hyjnë kësaj pune.

Këngëtarja e njohur Shyrete Behluli, ka bërë të ditur për gazetën Tribuna se tashmë i është përveshur punës për të sjellë këngë të reja në treg. Madje ajo me buzëqeshje ka thënë se punë tjetër nuk kanë përpos të menduarit për këngë e koncerte.



“Normal që jam duke punuar në risi. Ne punë tjetër nuk kemi veç të mendojmë për këngë të reja e për koncerte. Dihet se janari është më i qetë për ne këngëtarët, pas festave e angazhimeve të njëpasnjëshme zakonisht në janar pushojmë pak. Mirëpo me doemos që mendojmë për këngë të reja, sepse nga shkurti veç fillojnë koncertet, pastaj është edhe festa e pavarësisë e angazhimet fillojnë të rriten e bashkë me to edhe përgatitja e këngëve të reja”, ka thënë Shyretja në fillim të bisedës, ndërsa ka shtuar se kënga e re do të jetë e plotësuar me klip.

“Patjetër që do të jetë me klip. Tash është bërë klipi më shumë si promo e këngës. Jo se është kënga më e mirë kur e ka kripin, por është një promovim më i mirë i këngës, prandaj edhe unë do të vijë me këngë e klip së bashku”, ka thënë këngëtarja më tej, duke shtuar se kënga nuk do të jetë në bashkëpunim.



Ndryshe edhe pse e angazhuar në këngën e re, Shyretja ka theksuar se ka filluar të aranzhojë punët e planet që i ka për këtë vit. “Planet për vitin që sapo hymë normal që kanë filluar. Na pret shumë punë. Por tani për tani nuk ka asgjë konkrete, është ende herët. Do të thosha kanë filluar të aranzhohen punët. Jam duke u marrë me zgjedhjen e temave e dini se janë bërë shumë këngëtarë dhe secila temë pak a shumë është prekur, andaj duhet me kujdes të punojmë edhe në këtë drejtim që të sjellim në publik diçka që nuk është konsumuar shumë. Kuptohet që kjo bëhet me ndihmën e bashkëpunëtorëve të mi”.

Ndërkaq vjetët në skenë e puna e palodhshme Shyhreten e kanë renditur tek emrat më të dashur të skenës sonë, e kjo famë e saj sigurisht që do të mund të ndihmonte edhe ndonjë të ri që dëshiron të ecë rrugës së saj. E sa është e gatshme për të ndihmuar të rinjtë, ajo është shprehur. “Sigurisht që jam e gatshme të ndihmoj. Në fillim çdo kush ka nevojë për shtytje që të depërtojë në skenë.



Normal do të shikoja fillimisht a na përshtatet zhanri i muzikës , zërat, dhe a do të dalë diçka e bukur, por të ju dalë në ndihmë jam gjithmonë e gatshme”. Ndërsa ka theksuar për fund se edhe numri i shumtë i këngëtarëve ja kanë humbur pak lezetin muzikës. “Jo që janë bërë shumë këngëtarë e lloj-lloj këngëtarë, pa keqkuptim nganjëherë më vjen turp të them që jam këngëtare.

Pa e ofenduar askënd, por me të vërtetë ja kanë humbur lezetin edhe muzikës. Po nuk kemi çfarë të bëjmë kjo është luftë për ekzistencë dhe normal çdo kush provon, por nuk bën ta bëjnë muzikën biznes”.
(Nita Brisku)

Shyhrete Behluli, E Gatshme Të Ndihmojë Të Rinjtë E Talentuar