>
BIOSHQIP

Shyhretja Që Buron Vetëm Dashuri E ëmbëlsi

03-04-2015
Sapo përmendet emri i saj, sikur të sjell një fllad në shpirt, të kujtohen këngët dhe zëri i saj i mrekulluar. Shyhrete Behluli tani e 40 vjet i këndon fjalës shqipe me shumë përkushtim, nga ku ka fituar me mijëra e mijëra zemra. Lidhur me jetën dhe karrierën, Shyhretja na vjen në këtë intervistë ekskluzive, të cilën ju ftojmë ta shijoni...

Teksteshqip: Shyhrete, jeni në skenë prej vitesh. A mund të na thoni si u dallua talenti juaj për këngën popullore?

Shyhrete Behluli: Jam para publikut plot 40 vjet, ndërsa talentin tim e zbuloi familja ime dhe arsimtari I muzikës z.Ibrahim Hamiti.

Teksteshqip: A e keni trashëgim këngën?

Shyhrete Behluli: Po, gjyshja ime këndonte në dasma, si shumë gra të tjera, pastaj babain e kam pasur të shquar për muzikën e pastër popullore, por si shumë talentë që nuk mund të zbuloheshin, ashtu ishte dhe babai im.

Teksteshqip: Mund ta kujtoni kur ka qenë dalja e parë në skenë dhe cila këngë ka shënuar këtë moment?

Shyhrete Behluli: Në vitin 1974, kanë qenë këngët: Cuca e Maleve dhe Këngë për Skënderbeun.

Teksteshqip: Nga kush e keni pasur shtysën më të madhe për të vazhduar përpara, duke ditur se ka qenë periudhë e papërshtatshme?

Shyhrete Behluli: Nga familja dhe shoqëria.

Teksteshqip: Për çfarë është e diplomuar Shyhretja, sepse dimë që keni të kryer shkollën e lartë?

Shyhrete Behluli: Kam studiuar për Gjuhë dhe Letërsi shqipe, që asnjëherë nuk e ushtrova këtë profesion.

Teksteshqip: Kohët e fundit nëpër rrjetet sociale po qarkullojnë disa këngë që ua keni kushtuar pedagogëve. Çfarë emcioni ngjall te ju fjala mësues e ditar?

Shyhrete Behluli: Mësuesi është I shenjtë, gjëja e vetme që të kujtohet nga fëmijëria është mësuesi I parë që nuk harrohet asnjëherë.

Teksteshqip: Po me Lulin si u njohët?

Shyhrete Behluli: Luli ishte futbollist I njohur në atë kohë dhe erdhi momenti që ai të lunate për ekinin "Ballkani" të Suharekës. Unë në atë kohë u bëra e njohur si këngëtare, kështu që Luli kishte pritur këtë moment të më takojë. Aty u njoftuam dhe ishte kysmet që të martohemi dhe të krijojmë familje.

Teksteshqip: A ka qenë i vështirë adoptimi i juaj në Llap?

Shyhrete Behluli: Jo aspak, sepse Luli ka një familje të mrekullueshme, sidomos prindët e tij kanë qenë për mua si prind të dytë.

Terksteshqip: Si mund ta përkufizoni rikthimin në muzikë në periudhën e pas luftës?

Shyhrete Behluli: Pas luftës filluam të këndojmë lirshëm për atë që kemi vuajtur shumë ne si popull. Mirëpo, me keqardhje e them se shumë shpejtë u harrua lufta dhe mundi që bëmë për ta çliruar vendin. Mundohem që në këngët e mija të ketë vend për gjithë ata që luftuan dhe dhanë jetën për këtë ditë që ne sot e gëzojmë.

Teksteshqip: Me Shkurte Fejzën ju gjejmë krah për krahu që në adoleshencë. Përveç muzikës, çka ju lidh më shumë?

Shyhrete Behluli: Është e vërtetë, ne kemi filluar këngën bashkë dhe jemi të një fshati.

Teksteshqip: Nga kush përbëhet familja juaj?

Shyhrete Behluli: Unë kam nënën, 3 vëllezër dhe një motër, që do të thotë jemi 5 fëmijë. Unë jam më e madhja e fëmijëve të prindërve të mij. Ndërkohë, unë kam tre vajza dhe dy djem.

Teksteshqip: Ndonjëri nga fëmijët a do ju trashëgojë në profesion?

Shyhrete Behluli: Po, nga 5 fëmijët e mij, talentin tim duket se e trashëgon vajza e vogël, Engjëllusha, ku së shpejti do ta lançojë këngën e saj të parë në skenë.

Teksteshqip: Kush janë bashkëpunëtorët tuaj?

Shyhrete Behluli: Gjatë karrierës sime kam bashkëpunuar me kolegë këngëtar, autor të teksteve, kompozitor dhe orkestrues, me të cilët edhe sot bashkëpunoj.

Teksteshqip: Jeni e përpiktë si në muzikë, por edhe në dukje, për të cilën ju përgëzojmë. Na tregoni ku qëndron magjia që gjithmonë jeni e buzëqeshur dhe vitale?

Shyhrete Behluli: Faleminderit. Me paraqitjen time në profesion, poashtu edhe në jetën e përditshme, mundohem t'i respektoj familjarët dhe publikun tim të nderuar që më mbajnë në skenë dhe që më japin vullnet për të punuar dhe krijuar.

Teksteshqip: Si fillon dhe mbaron një ditë për Shyhrete Behlulin?

Shyhrete Behluli: Kur jam pa angazhim profesional, si çdo grua tjetër, punët e shtëpisë dhe kalimin e kohës me familje dhe vizita.

Teksteshqip: A do të presin fansat ndonjë projekt të ri për këtë sezon?

Shyhrete Behluli: Patjeter. Jam duke pregaditur klipin me këngën e re, i cili pritet të lançohet në fund të prillit.

Teksteshqip: Shyhrete, ishte një nder dhe kënaqësi që u patëm pjesë në portalin tonë. Ne ju urojmë shëndet, sa më shumë projekte, sukses dhe mbarësi. Për fund a dëshironi të shtoni diçka për fansat?

Shyhrete Behluli: Faleminderit, pata kënaqësinë që isha bashkë me ju dhe fansat e mi. Ju uroj shëndet dhe suksese në punë e jetë.
(Arsim Kolari/Teksteshqip.com)

Shyhretja Që Buron Vetëm Dashuri E ëmbëlsi