>
BIOSHQIP

Sinan Hoxha Investon Miliona Për Rikthimin Me Seldin

25-11-2012
Sinan Hoxha dhe Seldi Qalliu sapo kanë shpërndarë në rrjetet sociale një spot promovues, ku prezantojnë turin e koncerteve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Nju Jork, Detroit, Chikago dhe Nju Xhersi janë destinacionet e koncerteve të tyre, bashkërisht me këngëtarë të tjerë, si: Meda, Poni etj. Për të ftuar fansat në këto koncerte Sinani dhe Seldi kanë përgatitur një video në Chikago, ndërsa shfaqen të veshur të dy njësoj, me këmisha të bardha dhe kostume të zinj, stili më i ri me të cilin janë shfaqur në klipet e tyre të fundit. Ata prezantohen si një çift, ndërsa pohojnë se rikthehen në duet në këto koncerte madhështore për shqiptarët e Amerikës, në këtë 100-vjetor të Pavarësisë. Spotin ata e kanë titulluar Sinan Hoxha ft. Seldi Qalliu in USA Tour, në të cilin shfaqen shumë të lumtur. Ndërkohë që udhëtojnë drejt Amerikës pasi kanë përfunduar xhirimet e klipit të tyre më të ri, të parin pas konfliktit që patën prej një viti. Për realizimin e klipit të ri thuhet se Sinani ka shpenzuar dyfishin e parave për klipet e mëparshme, ndërsa është shprehur se nëse për duetet e tjera ka shpenzuar 10 mijë euro, për këtë klip ka vënë në dispozicion 20 mijë euro. Mes miqsh ka pohuar se këtë duet ia ka dedikuar rikthimit me Seldin, për të cilin nuk kursehet në para. Ata kanë vendosur që ta publikojnë pas kthimit nga Amerika, një zakon ky i Sinan Hoxhës për t'i promovuar klipet e reja në prag të Krishtlindjeve dhe ndërrimit të viteve. Konflikti mes dy këngëtarëve zgjati pothuaj një vit pas fejesës së përfolur të Seldit më një vajzë kosovare. Sinan Hoxha dhe Seldi Qalliu janë rikthyer sërish në bashkëpunimet e tyre, dhe këtë verë ata morën më shumë oferta për të kënduar të dy në koncertet që organizohen në Shqipëri dhe jashtë saj. Ashtu si një vit më parë, kur xhiruan duetin e tyre me veshje të bardha, ata u rikthyen bashkë në koncerte të shumta, që kanë të planifikuara në axhendat e këtij viti, jo vetëm në plazhet shqiptare, po kudo në Europë. Dy këngëtarët kanë pohuar se gjatë periudhës që kanë qenë të veçuar, kanë kuptuar se pavarësisht ftesave të ndryshme për koncerte, publiku preferon t'i shohë bashkë.
(PanoramaPlus)

Sinan Hoxha Investon Miliona Për Rikthimin Me Seldin