>
BIOSHQIP

Unikkatil: Ishin 25 Mijë Fansa Në Koncertin Tim

02-01-2013
Ishte një person i cili pas disa viteve bëri që Stadiumi i Prishtinës të mbushej plot njerëz. Kësaj radhe jo me tifozë të futbollit, por me adhurues të reperit. Askush, madje as reperët e huaj nuk arritën atë që bëri Viktor Palokaj – UniKKatil. Pothuajse të gjitha këngët i këndoi bashkë me 25 000 adhurues të tij në stadium. UniKKatil flet për Express.

Stadiumi i Prishtinës nuk kishte vend për të gjithë ata adhurues të tij. Shumë njerëz ishin mbledhur për ta përcjellë reperin që për disa vite kishte bërë karrierë vetëm nga distanca.

Shumë nuk do të besonin se në stadium kishte kaq shumë njerëz dhe se UniKKatil kishte ardhur në Prishtinë, ndërkaq reperët e tjerë të Kosovës nuk mund të pajtoheshin me këtë fakt.

Por, ja që UniKKatil e bëri atë që askush nga këngëtarët në Kosovë nuk e ka bërë pas luftës. Ai mblodhi njerëz në stadium aq sa mbledhin partitë politike nëpër fushata elektorale.

Por, dallimi është se përderisa në fushata elektorale nuk paguhet hyrje, në koncertin e UniKKatilit paguhej. Por, ky është Viktori i cili në një intervistë të shkurtë për Express tregon impresionet e tij për koncertin në Prishtinë dhe për të rejat e tij në karrierën profesionale.

Express: Si e përshkruani vizitën tuaj në Prishtinë?

UniKKatil:

Fjalët nuk munden me e përshkru vizitën n' Prishtine. E jo vetëm n' Prishtinë po vizitova çdo rajon e qytet t 'Kosovës, e po ashtu edhe Shqipërinë, Malin e Zi, Kroacinë, Gjermaninë, Zvicrën e çdo send që kom përjetu për shkak t' shqiptarëve nga k’to rajone ka qen' fenomenale. Aq fenomenale sa që e kom shty biletën e aeroplanit tri herë për shkak se thjesht nuk dojsha me u kthy.

Express: A u dëshmua ajo që ti me labelin TBA jeni hy në histori të reperëve shqiptarë me këtë koncert?

UniKKatil:

Besoj që këtë përgjigje ma mirë e jep koha...

Express: A je kënaq me miqtë tu dhe familjarët në Prishtinë?

UniKKatil:

Pa masë, jo veç me miqtë e familjaret, po me të gjithë. Përkrahja që e kanë shpreh miqtë, familjaret, edhe fansat gjatë karrierës tem ka qen' edhe arsyeja pse kom arrit me plotsu çdo qellim që e kom pas n' muzikë."

Express: Çfarë dhurate do ua besh adhuruesve për Vitin e Ri, ndonjë këngë apo çka?

UniKKatil:

Fatkeqësisht po ka shumë dezinformata që po shpërndahen. Për momentin nuk dihet data e asni sendi. Veç e di e di që albumi n' t' cilin jom tu punu ka me i pas të gjitha.

Powow premton edhe më shumë

Kompania POWOW Entertainment, që solli edhe UniKKatilin në Kosovë, ka premtuar se në vitin 2013 do të ketë edhe më shumë risi në skenën shqiptare të muzikës, ku pritet që të përformojnë yje të ndryshëm. Për koncertin e UniKKatilit kjo kompani ka thënë se ndihet e kënaqur.

“Ne si Powow Entertainment gjithsesi se jemi të kënaqur sepse kemi punuar intensivisht që të rinjve shqiptarë t’u ofrohet mundësia të shohin idhullin e tyre, në një organizim profesional. Në fund publiku është ndarë jashtëzakonisht i kënaqur me organizimin tonë”, kanë thënë zyrtarë të kësaj kompanie për Express.

Kurse për vitin 2013 kjo kompani premton edhe më shumë. “Powow Entertainment është themeluar në vitin 2011 dhe për me pak se një vite kemi arritur të kemi një audiencë prej 36,000 personave. Ne filluam veprimtarinë pa objektiva të qarta. Mirëpo, gradualisht kuptuam që jemi duke fabrikuar një storie të suksesit në industrinë në të cilën veprojmë. Kështu që, ne jemi në ri formulimin e strategjisë zhvillimore si kompani. Tash për tash ne mund të konfirmojmë festivalin Powow Fest 2013 mirëpo jemi ne proces të përcaktimit të datës se kur do të mbahet. Gjithashtu, jemi duke e shqyrtuar mundësinë që të shtrihemi me aktivitete edhe në Shqipëri”.
(Express)

Unikkatil: Ishin 25 Mijë Fansa Në Koncertin Tim