>
BIOSHQIP

Valbona Mema: Jeta Na Ve Ne Prova Te Veshtira

10-05-2012
Kur solli në jetë vajzën e saj ishte në një koncert në Prishtinë, 2 majin e shumë viteve më parë. Në krah kishte edhe bashkëshortin e saj të ndjerë, i cili tani nuk është më pranë tyre. Megjithatë, Valbona Mema e kujton këtë moment si ndër më të lumturit e jetës së saj dhe e ndan me miqtë dhe fansat. "Po shkruaj një histori të vogël, shkëputur nga një moment i jetës time. Para shumë vitesh nisem për në Prishtinë, në një koncert, ku ishim një grup shumë i madh nga Tirana: Fitnete Rexha, Aurela Gaçe, Ema Qazimi e shumë aktorë dhe valltarë. Nisemi, por unë po prisja të sillja në jetë vajzën time. Rrugës kaluam shumë bukur dhe kur mbërrijmë i them Netit (Fitnetes), që nuk ndihesha mirë, e më thotë, bëj grimin dhe bëhu e bukur dhe më bëj edhe mua grimin. Fillova, por prapë nuk ndihesha mirë. Dalim në koncert në darkë dhe kur më erdhi radha mua, dola. Por brenda meje ndieja një frikë se diçka nuk shkonte. Kthej kokën nga skena dhe shoh Sokolin, i cili më jep një shikim ku më thoshte që duhej të dilja mirë. Duke kënduar ndjeva që shumë shpejt do të bëhesha nënë. Dal nga skena dhe i them kolegëve që të vazhdonin koncertin, se une do të shkoja për të lindur. Më dërgojnë në spital. Ka qenë data 2 maj. Të nesërmen vjen në jetë vajza ime, Marsa, që lindi në Prishtinë…Është gjithçka që kam, forca ime, loti im, buzëqeshja ime, jeta ime. Të falenderoj zemra ime që erdhe në jetë. Faleminderit Sokol që më dhe emrin nënë", shkruan në statusin e saj, këngëtarja Mema, ndërsa e përfundon dedikimim me një shprehje trishtimi. Vetëm disa ditë më parë ajo komentonte, se jeta na vë në prova të vështira që duhet t'i sfidojmë. "Dhe unë e sfidova, megjithëse shumë e re, me dy fëmijë të vegjël, me një karrierë që më duhej ta vazhdoja. Ishit ju publiku im që më kuptuat dhimbjen, më bëtë më të fortë dhe ja ku jam sot. Ndihem krenare sepse arrita t'i sfidoja dhimbjet dhe lotët, edhe pse kanë kaluar shumë vite nga humbja e bashkëshortit tim, njeriut që më dha emrin nënë, mësuesit tim. Ndihem njëlloj si ta kisha në krah edhe pse nuk është fizikisht. Ai jeton me mua, në shpirtin tim, si një engjëll që më mbron, që më udhëzon të vazhdoj dhe të jem një nënë e palodhur me fëmijët e mi. Po e mbyll me një frazë të këngës sime: brengënë e kësaj zemre ti s'e di/ ti mos ma kërko se nuk ta them/ po në ka kjo botë dashuri/ hape zemrën time dhe e gjen..".
(Gazeta Metropol)

Valbona Mema: Jeta Na Ve Ne Prova Te Veshtira