>
BIOSHQIP

Vedat Ademi: Pritja E Një Trashëgimtari Më Bën Të Fluturoj

22-11-2012
Kanë bërë lidhjen më të mirë, duke i ofruar edhe më shumë, dy shtete të ndara vite më parë. Dhe pikërisht në përvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, Vedat Ademi, këngëtari i mirënjohur nga Mitrovica dhe bukuroshja nga Tirana, Dorela Shani, presin trashëgimtarin e parë të tyre, duke e bërë kështu, lidhjen mes shqiptarëve edhe më të fortë. Për pritjen e trashëgimtarit të parë, angazhimet në muzikë, sukseset e njëpasnjëshme dhe përmbylljen më të mirë të një viti të tërë, rrëfen për "Tribuna Shqiptare", Vedat Ademi.

Rrëfen se momentet e bukura dhe gëzimet e shpeshta janë pjesë e pandashme e familjes së tij, gjë që të bënë të besosh se lumturia është destinuar për ta. Por, lajmi se në familjen e tij do të vijë një trashëgimtarë, e bëri të 'fluturoj'.

Dhe, që nga lajmi i mrekullueshëm për shtatzëninë e Dorelës, këngëtari i mirënjohur Vedat Ademi çdo ditë të jetës së tij e jeton me dashurinë më të madhe për të voglin që do të vijë në jetë. Ndërsa trashëgimtari i parë i çiftit do përmbyllë një vit, e do të hap një tjetër përplot lumturi për ta…

* Vedat, do nisim bisedën me vizitën e fundit që patët në Kosovë, më saktësisht në Mitrovicë dhe koncertin atje. Na thuaj si ishte pritja e mitrovicasve tu dhe si u ndjetë teksa interpretonit në qytetin tuaj, ani pse nuk ishte hera e parë kjo?

Vedati: Nisja e bisedës është shumë e mirë, pikërisht në vendin tim të lindjes… Faleminderit shumë! Koncerti ishte i veçantë pasi kishin mundësi të më dëgjonin bashkëqytetarët e mi, të afërmit etj…të cilët s'mund të jenë nëpër koncertet në Shqipëri e vende tjera. Kohëve të fundit kam qenë më pak në Kosovë, pasi që ashtu kanë qëlluar organizimet. Por, gjithsesi u kënaqëm shumë në 'Flat 137 Pub' në Mitrovicë. Shpresojmë të ketë herë të tjera aty pasi ky lokal sapo hapi sezonin e dimrit.

* U çmallët me familjen dhe miqtë atje?

Vedati: Normalisht vij gjithmonë për të takuar miqtë dhe të kaloj kohë me familjarët. Erdha të çlodhem më shumë pranë tyre pasi kam pasur shumë angazhime. Gjithsesi u kthye edhe në një natë me muzikë 'live' ku mund të vinin të afërm të mi, një arsye më shumë për tu mbledhur bashkë.

* Por, ky ishte një udhëtim i shkurtër. Zakonisht si ndiheni kur 'ikni' nga Mitrovica?

Vedati: Po, udhëtimet janë të shkurtra por janë më të shpeshta. Familjarët e mi ankohen gjithmonë për kohën e shkurtër, por jam sërish i kënaqur pasi tani mundësitë janë më të mira për vizita më të shpeshta. Kësmet dhe së shpejti urojmë të jetë akoma më afër Tirana me Mitrovicën!

* Dhe jeta juaj në Tiranë…aktualisht si po shkojnë punët? Vedati: Jeta në Tiranë është me shumë angazhime…dita nis dhe përfundon në orët e vona të natës. Kjo është gati çdo ditë, pasi kam shumë angazhime me muzikë, koncerte dhe evente të veçanta.

* Kemi ndonjë projekt i cili do lansohet së shpejti, apo aktualisht më shumë jeni të përqendruar tek të kënduarit nëpër pube të ndryshme?

Vedati: Aktualisht jam më shumë i përqendruar tek muzika 'live'. Në fakt nuk është shumë kohë që unë nxora në treg këngën e re me të cilën konkurrova por edhe u shpërbleva tek "Këngës Magjike 2012". Kjo këngë u realizua në bashkëpunim me Gent Myftaraj dhe tekst të Big Basta, për çfarë u ndava shumë i kënaqur.

* Ju kohë pas kohe vini edhe në duet, për çfarë jeni vlerësuar suksesshëm. Do të ketë ndonjë duet së shpejti?

Vedati: Në programin e afërm kam disa këngë solo të cilat janë në përfundim e sipër, të pasuara me ndonjë klip i cili do të jetë angazhim i radhës. E më vonë sigurisht se do të ketë edhe duet.

* Po ndonjë album apo klip?

Vedati: Të gjitha këngët që po punoj do të jenë pjesë e albumit të ri. Kam dëshirë të vazhdoj traditën, sikur veproj zakonisht, ku në muajin shkurt të nxjerr në treg albumin… E këtë vit pritja e anëtarit të ri në familjen time i ka ndryshuar pak gjërat dhe sigurisht do të jem pranë tyre pa shumë angazhime në Amerikë.

* Muajt e fundit vizitat tuaja drejtë SHBA-ve u patën shtuar. Cila ishte arsyeja e udhëtimeve të shpeshta atje?

Vedati: Momentalisht atje kam bashkëshorten e cila ka qenë duke punuar dhe po presim ardhjen e fëmijës tonë të parë, Ademi. Udhëtimet janë për të krijuar mundësi pune dhe angazhimesh edhe atje.

* Nëse i bëjmë një 'vizitë' angazhimeve tuaja për gjatë gjithë vitit dhe krijimeve artistike, vlerësojmë me plot të drejt një vit përplot suksese. Por, gjëja më e bukur që ju ka ndodhur besojmë se është shtatzënia e bashkëshortes. Mund të na përshkruar me pak fjalë emocionet e para që përjetuat përkrah lajmit që morët?

Vedati: Jam vërtetë pa fjalë, që nga momenti që morëm vesh që po presim një fëmijë e deri tani! Është një ndjenjë shumë e veçantë. Jemi akoma në pritje… Ky vit do të na sjelli gëzim të ri. Jam falënderues për të gjitha sukseset, por familja është plotësim i një artisti dhe aty gjen frymëzim për projekte të ardhshme e të bukura. Unë i gëzohem të gjitha sukseseve, por ardhja e një trashëgimtari më ka bërë të fluturoj.

* Si po ndiheni tani kur dita ditës po ofrohet edhe lindja e fëmijës?

Vedati: Jam shumë i emocionuar. Jam pak larg tyre për momentin, por jemi çdo ditë në komunikim. E shoh si rritet çdo ditë e më shumë. Mezi po pres t'ju bashkohem e ta mbaj në duar.

* Është përcaktuar tashmë gjinia e bebit?

Vedati: Po! Është djalë!

* Po bashkëshortja si po e përjeton gjithë këtë ngjarje?

Vedati: Edhe ajo është shumë e gëzuar dhe ardhja e djalit po ndryshon angazhimet tona të përgjithshme.

* Kur pritet të vijë në jetë i vogli juaj?

Vedati: I vogli do të vijë në kohën e Vitit të Ri.

* I përkisni dhe ju grupit të atyre burrave që duan një djalë pasi sipas një fjale të urtë 'baba bëhet me krah', apo s'ka rëndësi gjinia?

Vedati: Kishim shumë qejf të kishim një fëmijë. S'ka rëndësi nëse është djalë apo vajzë, por sigurisht është traditë për të pasur djem. Ne në familje jemi katër djem e një vajzë, e kështu më shumë ishin mundësitë për djem. Gjithsesi s'ka rëndësi gjinia! Unë jam shumë i gëzuar… Edhe po të ishte vajzë njësoj do të ishte. Sigurisht kam dëshirë të kem edhe vajzë…

* Keni filluar tashmë përgatitjet për fundvit…më saktësisht krijimet për programet festive?

Vedati: Përgatitjet për fundvit kësaj radhe janë më shumë familjare, kuptohet. Gjithsesi me krijimet po punoj tani e shpresoj të jenë të gatshme për fundvitin.

* Si mendoni ta përmbyllni këtë vit?

Vedati: Më së miri pranë familjes time duke i ndihmuar në ditët e para të lindjes së djalit, bashkëshortes. Angazhimet do të jenë në Amerikë, aty ku edhe do të jem në këtë periudhë.
(vipat)

Vedat Ademi: Pritja E Një Trashëgimtari Më Bën Të Fluturoj