TEKSTESHQIP

Vesa Smolica
Du Me T'pas
Lyrics

Këngëtarja nga Gjakova Vesa Smolica nesër (e premte) do të publikojë projektin e saj më të ri, këngën dhe klipin “Du me t’pas”. Në një prononcim për Telegrafin, këngëtarja ka rrëfyer më shumë rreth punës për këngën e re, e cila do ta sjell pak më ndryshe kësaj radhe atë.

“Kënga 'Du me t'pas' është realizuar nga producenti Çekiç, me tekst dhe melodi nga reperi Vig Poppa. Është këngë moderne e zhanrit dancehall dhe R&B, por ka edhe motive të muzikës afrikane pak a shumë, gjë që e bën ndoshta pak më të veçantë dhe diçka inovative për tregun tonë muzikor. Teksti flet për një vajzë që është e dashuruar me ishin e saj, të cilët nuk patën fatin të ishin në një lidhje afatgjatë dhe që vajza vazhdon të insistojë për hir të dashurisë që ka për të”, tha Vesa për Telegrafin.

Ndërkohë këto ditë kanë përfunduar edhe xhirimet e klipit, të cilit i është kushtuar kujdes të madh dhe kësaj radhe Vesa vjen më e ‘nxehtë’ se herët tjera. Ajo për Telegrafin tregoi se si kanë shkuar xhirimet për këtë projekt.

“Videoklipi është realizuar nga Imagine Films, të gjitha sekuencat e klipit janë xhiruar në Prishtinë, ndërsa dy janë në studio. E veçanta kësaj radhe nga klipet e mija që kam bërë, është ndryshimi në pamjen e jashtme me një stil ndryshe, por pa dalë nga vetja”.

“Du me t’pas” është kënga për të cilën Vesa ka punuar me përkushtim të madh, ndaj pret që nga ky projekt të marrë edhe suksesin e shumëdëshiruar.

“Pres të marr mbështetjen e duhur, duke filluar nga miqt, familjarët, shoqëria, kolegët dhe sidomos nga mediat, që është më e rëndësishmja”, u shpreh këngëtarja për Telegrafin.

Tash e disa vite Vesa Smolica vazhdon të jetë shumë e angazhuar me koncerte dhe mbrëmje të ndryshme muzikore në vend, duke rrëfyer se është e kënaqur nga mikpritja që i bën publiku.

“Me koncerte jam tërë kohës e angazhuar në Kosovë dhe Shqipëri bashkë me bendin tim, me të cilin luajmë muzikë live, ndaj kjo ka qenë edhe arsyeja që projektin “Du me t’pas” e kam shtyrë deri më tani, shkas i angazhimit në koncerte”, përfundoi këngëtarja Smolica.