>
BIOSHQIP
Biografia
Kasta e aktorëve të shfaqjes “Tre gjermanët e trashë” janë bërë edhe një herë bashkë për të vënë në skenë telashet e aktualitetit në Kosovë. Nën direktivat e regjisorit Florent Mehmeti – i cili gjashtë vjet më parë realizoi pjesën e parë të kësaj shfaqjeje, e më pas e shndërroi në serial televiziv – ata për tre muaj rresht kanë bërë prova për të rikthyer “tre gjermanët”, por këtë herë me një mision të ri. Shfaqja do të marrë “notën” e publikut mbrëmjen e së hënës, kur edhe do të shfaqet premierë në teatrin “Oda”.Të mbledhur në hollin e këtij teatri, realizuesit e “Tre gjermanët e trashë II” kanë shpalosur detaje nga eksperienca e tyre deri në finalizim të projektit teatral. Ka qenë aktori Lirak Çelaj, i cili është edhe autor i shfaqjes, ai që u ka prirë kolegëve të tij për të zbërthyer zanafillën e idesë që shfaqjes t’i realizohet edhe pjesa e dytë.

“Duke qenë se pjesa e parë ka qenë shumë e popullarizuar dhe e suksesshme, madje mban edhe rekord për nga numri i shikueshmërisë për shkak se ka pasqyruar rrethanat e reja dhe raportet mes shqiptarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare dhe pas gjithë këtyre viteve nuk ka ndërruar aq shumë, ka lindur nevoja që edhe ne të dalim me një shfaqje të re”, ka thënë Çelaj. “Është mënyra se si i shohim ne artistët në këto rrethana”, ka shtuar ai. Duke shpjeguar se kasta e aktorëve ka mbetur e njëjta, përveç Flutura Zenelaj, që nuk është pjesë e “Tre gjermanët e trashë II”, Çelaj ka përshkruar në pika të shkurtra rrëfimin që shtjellon shfaqja. “Ngjarja ndodh në polin e veriut, ku gjermanët marrin një mision ta parandalojnë Rusinë, e cila po përpiqet të shfrytëzojë ngrohjen globale dhe shkrirjen e akujve për të okupuar territore të reja që po paraqiten në polin e veriut, sepse është vërtetuar se ka shumë gaz natyror”, ka thënë Çelaj, duke zbuluar se në krahasim me shfaqjen e kaluar ngjarja nuk ndodh në hotel, por në rrethana krejtësisht të tjera.

Duke u mbështetur në faktin se në vitin 2004, versioni i parë i kësaj shfaqjeje kishte arritur të grumbullonte mbi 7000 shikues në ulëset e teatrit, Çelaj ka shprehur bindjen se “Tre gjermanët e trashë II” do të mirëpritet nga publiku. “Nuk jam ithtar i shfaqjeve që përsëriten, por parashohim që kjo shfaqje të zgjojë kureshtjen dhe besojmë që do të jetë në repertor për një kohë të gjatë”, ka thënë ai. Regjisori i shfaqjes, Florent Mehmeti, ka thënë se bashkëpunimi me aktorët ka qenë në nivel dhe se të vetmet vështirësi kanë qenë në koordinimin e orarit të provave. “Procesi i punës ka zgjatur për shkak se e kemi pasur pak të vështirë të koordinohemi për shkak të angazhimeve të shumta. Kam arritur t’i shoh dallimet prej shfaqjes së kaluar dhe mund të them se aktorët janë zhvilluar”, ka thënë ai. Aktori Kushtrim Sheremeti, i cili luan në shfaqje, ka thënë se roli në “Tre gjermanët e trashë” i ka hapur udhë suksesit të tij prej aktori. “Besoj që është një prej projekteve më të suksesshme që kanë ndodhur në Kosovën e pasluftës dhe është e çuditshme se sado që shumica nga ne jemi angazhuar me punë të tjera, ende njerëzit na identifikojnë me ato personazhe”, ka thënë ai. Përveç Kushtrim Sheremetit, në shfaqje luajnë edhe aktorët: Naser Rafuna, Adrian Morina, Lirak Çelaj, Fisnik Ademi, Ard Islami, Arta Selimi dhe Florent Mehmeti.

Më datë 13 Dhjetor 2010, 3 Gjermanet E Trashe publikojnë videoklipin "3 Gjermanet E Trashe Ii".
KATEGORI: