>
BIOSHQIP

Adelina Ismaili: Zhveshja Ime, Disidencë Ndaj Komunizmit

13-07-2012
Adelina Ismaili, diva e muzikës pop në Shqipëri, do të vijë sot në një intervistë speciale për faqet e verës. Sapo ka publikuar atë që shumëkush e cilëson si hitin e kësaj stine dhe këto kohë është më shumë se kurrë e angazhuar me koncerte. "Ku ma ke", është klipi më i ri i saj, që ka pushtuar Facebook-un këto ditë, duke thyer që në të parën ditë një rekord klikimesh. Më shumë se 100 mijë të tilla dhe dhjetëra shkrime në gazeta e portale të ndryshme. "Adelina, është Adelina. Është e veçantë dhe di të tërheqë vëmendje me çdo gjë që bën". Ka qenë kjo, fjalia e vetme që më ka mbetur në mendje nga intervista e para tri viteve me showman-in Ardit Gjebrea, kur në mes të bisedës, duke prishur komplet rrjedhën e saj, e pyeta për Adelinën. Atë vit (2009), ajo ishte konkurrente në Festivalin "Kënga Magjike" që mban vulën e Gjebresë si produksion, ndërsa sot në bashkëpunim me të ajo sjell këtë superproduksion... "Kur më tregoi këngën, makina po lëkundej rrugëve të Tiranës nga vallëzimi që po bëja unë brenda. Kisha në dorë një vepër të njërit prej kantautorëve më të shquar shqiptarë gjatë këtij shekulli. Dhe ishte moderne, më pëlqente pa fund. Butoni 'Play' u shkatërrua për dy ditë në makinën time", - rrëfen Adelina, ndërsa kujton momentin e parë kur Arditi i dha këngën. Me këtë megahit në dorë, ylli i muzikës shqiptare nisi të mendojë për klipin, i cili duhej të ishte i thjeshtë, për t'i dhënë rëndësinë e duhur këngës...Për ata që e kanë parë, në klip këngëtarja shfaqet në superformë, dhe linjat e saj trupore do t'i admironte çdo femër. Sekretin që fshihet pas tyre, por edhe persekutimin që i bënë kur u zhvesh për herë të parë në skenë, duke fituar kështu statusin e femrës që thyen tabu, Adelina e ndan me ne sot... Rrëfehet Adelina Ismaili, në një intervistë plot të papritura e humor, ashtu siç vetëm ajo di të bëjë, sepse Adelina është Adelina... Adelina, si po i kaloni këto ditë të nxehta vere? Duke u kënaqur me punën që e dua më së shumti në jetë. Koncerte, emisione, intervista, këngë, këngë, këngë…. Po pushime? Jo, e dija që do bëja shkëputjen njëmujore nga Zvicra dhe Franca, kisha planifikuar të kthehesha në Shqipëri, Kosovë, Iliridë e Mal të Zi. As këtë vit nuk deshëm pushime. Mbase nga fundi i muajit gusht, nuk e di. Pushimet e fundit, kam përshtypjen se duhet të kenë qenë ato të vitit të shkuar, ku thyet edhe këmbën... As vitin që shkoi nuk kishim planifikuar pushime. Duhej të bëhej promovimi i projektit me Faudel, kënga dhe klipi "I love you more", por unë theva këmbën duke kënduar në Ulqin dhe shkatërrova një projekt gjigant. Kur e kujtoj, tmerrohem…Jo për faktin që ende e kam këmbën me dhimbje, por nuk doja ta besoja si ia lejova vetes të rrezikoja një projekt aq serioz. Ok, tani jam shumë e kënaqur. Cili është vendi më i bukur ku keni pushuar? Venediku. Eksperiencë magjike. Flasim pak tani për këngën tuaj të re, që po bën namin. Më shumë se 100 mijë klikime në Youtube që në 24 orët e para të publikimit dhe dhjetëra faqe e individë që vazhdojnë ta postojnë në rrjetet sociale si hitin e verës. Si lindi kjo këngë dhe bashkëpunimi me Ardit Gjebrenë? Ju tashmë e dini që jemi miq me familjen Gjebrea prej vitesh. Në një nga bisedat, Arditi më tha: "Kam një këngë të bukur për ty"…Natyrisht që nuk iu besoja veshëve, por i ngela në qafë duke ia kërkuar. Më vonë, erdha me punë të tjera në Tiranë dhe po iknim në darkë kur Arditi ma bëri surprizë, thjesht e lëshoi në makinë. Në fillim nuk lëvizja, nuk flisja asgjë. Ai nuk më tregonte që ishte kënga ime. Kur më tregoi, makina po lëkundej rrugëve të Tiranës nga vallëzimi që po bëja unë brenda. Kisha në dorë një vepër të njërit prej kantautorëve më të shquar shqiptarë gjatë këtij shekulli. Dhe ishte moderne, më pëlqente pa fund. Butoni 'Play' u shkatërrua për dy ditë në makinën time. Po klipi, ishte ide e juaja? Ishim të një mendjeje që ta bënim klip sa më parë. Por asgjë e ekzagjeruar, duhej të gjendej një ide aspak e komplikuar, sepse çdo klip tjetër do ta "vriste" kënga, që është shumë e fuqishme. Pse zgjodhët Vlorën dhe pse Julian Dedën? Nuk kam pasur asnjëherë fatin të kem ndonjë regjistrim në jug të Shqipërisë. Po të ishte për mua, do regjistrohej diku, 4 orë dokumentar gjithandej. Por Vlora kishte në një vend, saktësisht atë që na duhej: Plazhin, shkëmbinjtë, detin, të gjitha. Gjithë botën po ta kërkonim, nuk do gjenim vend më ideal. Juli, sepse është më i miri në atë që bën. Besoj që është jashtëzakonisht e vështirë të aktrohet një situatë komike, pa asnjë fjalë të vetme, që kuptohet nga të gjitha shtresat shoqërore, apo dhe njerëzit që nuk flasin shqip, pa ekzagjeruar. E dinim që këtë mund ta bënte vetëm Juli. Për ata që s'e kanë ende shumë të qartë, mund të na tregoni diçka më shumë për fabulën e klipit? (Qesh) Nuk ka vetëm një fabul. Ok, përshtypja e parë që krijohet kur shikohet klipi është një femër shumë "underground", e cila aksidentalisht është dashuruar me rojën e plazhit, dhe kur merr vesh që ky pëlqen tjetër tip femrash, ajo transformohet në një "kukull sexy" pa sukses, duke u ngatërruar në çdo gjë që bën për ta joshur atë. Mund të kuptohet dhe ajo tjetra: Shumë vajza hyjnë në botën e Show Bizit ballkanas ashtu siç janë, moderne dhe origjinale për t'u transformuar më vonë në sex bomba artificiale që duken sikur kanë dalë nga i njëjti laborator që të gjitha. Dhe janë qesharake me identitetin e ri, por më idiote është prania e ca meshkujve muskulozë në klipe, që asnjëherë nuk marrim vesh pse janë aty dhe cili është roli i tyre. Ka dhe anën tjetër: Nuk është e domosdoshme të tjetërsohesh për ta fituar dashurinë e dikujt. Ai apo ajo që nuk të do për atë çfarë je, nuk të dashuron kurrë. Mos ndërro veten, ndërro personin që do ia falësh dashurinë. Ka dhe gjëra të tjera të fshehura në klip, që shpresoj të kuptohen me kohën. Në Ballkan klipet verore janë pothuajse identike njëri me tjetrin, kjo më ka penguar gjithmonë. Sa i kushtueshëm ka qenë ky klip? Nuk e di, me financat merret produksioni. Pas tij, cili është projekti i radhës? Menjëherë fillojmë me projektin e ri, që do të lançohet në fillim të vjeshtës. Natyrisht që nuk do ta zbuloj. Pse zgjodhët një këngë shqiptare, për promovimin e albumit që do t'i drejtohet një tregu evropian? Nuk është për promovimin e albumit. Është njëra nga këngët që do të gjendet në albumin tim të parë internacional, dhe u bë për fansat shqiptarë që prej kohësh kërkonin diçka shqip nga unë. Pavarësisht se edhe kur këndoj anglisht, unë në çdo këngë fus vargje dhe tinguj që glorifikojnë etninë shqiptare. Promovimi ende s'ka filluar. Ju pamë te Çani, ju pamë edhe në klip. Si ia bëni që vijoni të ruani të njëjtat linja, si ato që kishit kur u shpallët "Miss Kosova"? Faleminderit. Në "Miss Kosova" kisha 2-3 kg më shumë (qesh). Bëj 60 deri 90 minuta not kur zgjohem, bëj sport, por dhe impenjimet e shumta e bëjnë të vetën. Që të jem e sinqertë, është dhe gjenetike. Kam motrat dhe mamin që lirisht mund t'i veshim rrobat e njëra-tjetrës. Flasim pak për koncertet e verës tashmë, sepse në "GSH" është shkruar shumë për to. Dimë që këtë verë do të jeni prezente në Shqipëri. Cila është gjeografia e koncerteve? Fillojmë me Shqipërinë, ecim me Kosovën, pastaj Malin e Zi dhe Iliridën. Adelina, kam parë dje, disa prej performancave tuaja në vitet '90-të. Dihet tashmë botërisht që keni qenë femra e parë që guxoi të dilte në skenë e 'zhveshur'. A ju kanë paragjykuar ndonjëherë për këtë? Më kanë persekutuar. Paralelisht këndimit, unë isha kyçur në partinë e parë politike që po "zhvishte" komunizmin. E dinin që "zhveshja" ime simbolizonte daljen nga uniformimi komunist, që nga ideologjia deri tek imazhi i deformuar i femrës. Ishte goditje e fortë për "moralistët" dhe bënin "gjuetinë e shtrigave" në mua. Nuk kishin faj, unë shfrytëzoja çdo rast të mundur të tregoja sa perversitete fshihen nën petkun e "normave" të tyre. Çirrja lëkurën e gjarpërinjve. Dhe e bëja që ta kuptonin edhe analfabetët. Godisnin në moralin tim, por unë isha më shumë para kamerave sesa pas tyre. Fabrikonin tmerre për mua, por unë jetoja e monitoruar nga mediat dhe çdo sajesë demantohej vetë nga njerëzit e zakonshëm që i shihnin gjërat me sy pak më objektiv. Pavarësisht se njeriu i zakonshëm në Kosovë ende nuk ka guxim të flasë lirisht, dashuria e tyre shpjegonte që gjithçka dihej për mua. Jetoja një paradoks: Publiku që më dashuronte dhe media që më kryqëzonte. Sado që vuaja, asnjëherë nuk më ka shkuar ndër mend të dorëzohesha. Më 2007-ën, kur këndova në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, kuptova që misioni që i kisha dhënë vetes ishte përmbushur. Po qanim bashkë, unë dhe qindra- mijëra njerëz, që mbi 4 minuta nuk i ndaluan brohorimat. Si për fund, dëgjova në një emision kosovar se këtë vit do të kemi dasmë. E vërtetë është? Çdo muaj dëgjoj që kam dasmë. Po ju, dini gjë kur do martohet Vali?! (qesh). Ju përshëndes dhe ju uroj çdo të mirë që jua dëshiron zemra.
(ERALDO REXHO Summer pages/BalkanWeb)

Adelina Ismaili: Zhveshja Ime, Disidencë Ndaj Komunizmit