>
BIOSHQIP

Adelina Ismaili, “Skënderbeu” Që ëmbëlsoi Divën

24-11-2012
Na befasoi përsëri. Dhe këtë herë jo me performancat dhe "skandalet", por me profesionalizmin dhe natyralitetin që karakterizon divën Adelina Ismaili. Një këndim ndryshe dhe mbi të gjitha live, na emocionoi dhe emocionoi në të njëjtën kohë edhe vet këngëtaren. Një repertor i zgjedhur, bëri që diva Adelina Ismaili të "ngrinte" në këmbë të gjithë publikun. Në këtë intervistë për THASH&THEM, Ismaili tregon emocionet që përjetoi por edhe prapaskenat e koncertit në Top-Channel. Ajo flet edhe për këngën e saj më të re "Skënderbe", që ajo aq shumë e do dhe që e entuziasmon pa masë.

Me vite ka ekzistuar mendimi që ju e keni problem të këndoni live. Rrëzuat dhe këtë tabu e cila ndiqte emrin tuaj ndër vite. Kush ishte arsyeja?

Ka dy arsye. E para, ishte shumë më lehtë të krijohej mendimi që jam një bukuroshe dhe asgjë më tepër, sepse kështu do kursenin para e do fitonin dhe më shumë ata që më ftonin dikur. E dyta, unë kurrë nuk punoj pa para, atë për të cilën nëna ime ka paguar shumë para të më shkollojë. Në asnjë mënyrë nuk bëj kompromis me kualitetin dhe as shëndetin tim. Të mos keqkuptohemi, nuk kam marrë para të këndoj në këtë shoë. Ky shoë ishte një shans që nuk doja ta lëshoja. Unë këndoj live në çdo koncert ku më krijohen kushtet të këndoj live. Nuk kam aq shumë fansa në koncerte rastësisht, jemi viti 2012 dhe askush nuk mashtrohet më si dikur.

Sa kohë ishit përgatitur për këtë recital dhe pse nuk kënduat shumicën e hiteve tua?

Një ditë prova me orkestër. Nuk kam ndaluar cigaren as gjatë provave, nuk kam bërë gjumë të rregullt, nuk kam blerë as mjaltë në Tiranë, hundët nuk i ndjeja nga 1.600 km rrugë. Nganjëherë, pa vetdije jam njeriu më i padisiplinuar në botë dhe kjo më ndodh kur bëhet ndonjë problem, sado i vogël organizativ. Qoftë edhe kur gabohet hoteli. Hitet nuk doja ti këndoja. Nuk dua ulërima, vibra, kopjim. Doja diçka ndryshe, për veten. Doja diçka të ëmbël, sensuale, që shijon dhe nuk ngjason me askënd. Diçka shumë Adelinë.

Kemi parë dhe foto nga pushimet me Valin. Ku ishit?

Jo është foto e vjetër ajo, është e vitit 2010 në mos gaboj. Ku ishim, mbetet çështja e jona private.

Të kthehemi tek show. Pse nuk vallëzuat siç jemi mësuar t`iu shohim?

Regjisori më tregoi që kisha 1 metër katror vend ku të lëvizja, që të mos dilja nga plani i kamerave dhe ndriçimi, sepse gjithçka u zhvendos në momentin e fundit. Në atë moment mu duk sikur ma ndaloi të këndoja. Nuk kisha ide si do mund të transmetoja emocion në zë pa lëvizje. Por ndoshta ishte e shkruar që të mos më shihnit siç jeni mësuar. Të shohim një Adelinë ndryshe që nuk zhvendos vëmendjen me aparencë. Tani kur e mendoj, duket që ka qenë një ''pakt'' i fshehtë i menaxherit tim dhe autorëve të show-t, (qesh).

Si ndjeheni kur personalitetet në videoklip apo ju direkt, fyheni në komente?

Ndjej keqardhje për ata që fyejnë. Janë mizor në mjerimin e tyre. Dhe unë kam ndaluar cenzurën e komenteve. Duhet të dimë çfarë jemi që të edukohemi nga ata që dinë më shumë.

Ka njerëz që nuk kanë kuptuar këngën, flasim muzikalisht. Do na i shpjegonit pak?

Është këngë e kompozuar në formën e muzikës klasike dhe nuk ka të bëjë me formen moderne strofë-refren. Fillon me këngë të krishterë, kënduar nga kori i burrave që në një mënyrë simbolizon pushtimin romak të trojeve ilire. Kalon në këngën myslimane kënduar nga kori i vajzave që jep indikacionin e pushtimit otoman. Dhe vazhdon me një melodi puro shqiptare, ku jam munduar të fus instrumentet më autentike shqipe, të pa influencuara nga orientalet, por një gjë e tillë është gati e pamundur. Ka një dozë vajtimi, nëse mund ta quaj ashtu, siç është e tërë historia jonë. E trishtë, nën sundime. Pjesa e dytë e këngës, si më pëlqen mua ta quaj, pasurohet me ritme moderne pa i ikur temës muzikore, gjë që vërehet dhe në tekst. Një figurë ku dominon shpresa për një të ardhme më të bukur, siç ishte e kaluara në kohën e Skënderbeut. Duke ditur që Skënderbeu lindi si i krishterë e konvertuan në mysliman, dhe u kthye, luftoi e bashkoi këto troje si shqiptar, mendoj se kënga ka sens. Kjo këngë nuk është bërë të kuptohet nga të gjithë. Pa dashur të nënvlerësoj askënd, unë gjatë kam komercializuar veten që të jem e dëgjuar kur të bëj diçka të këtillë.

Kohët e fundit duket që politika ka vendosur të merret me ju, duke lënë përshtypje që këngëtare të reja lançohen saktësisht aty ku ju shkelni më herët. Ju pengon kjo gjë?

Kjo gjë saboton punën time në masë të madhe. Dhe është aq transparente kjo ''gjueti'' sa që nganjëherë duket dhe qesharake. Por kjo nuk do të thotë që do jem pjesë e ndonje partie politike shqiptare apo kosovare. E kundërta. Më bëjnë t'i shikoj me përçmim që vazhdojnë të merren me artistë, përderisa kanë mundur të realizojnë ndonjë klip siç është ''Skendërbeu'' apo të shkojnë në Shqipëri ose të jenë të thirrura nga Shqipëria para se të kthehesha unë.

Ju treguat që do tërhiqeni nga jeta publike shqiptare. E vërtetë?

Jam tërhjekur shumë moti, tash është definitive. Puna ime në Europë ka pësuar shumë nga karriera ''me therra'' shqipe. Dhe dua të jem e qetë, e fokusuar në jetën personale më shumë.
(Thash&them)

Adelina Ismaili, “Skënderbeu” Që ëmbëlsoi Divën