>
BIOSHQIP

Adriatik Lota, Mjeshtri I Klarinetës

08-04-2014
Nuk ka se si të mos jetë i madh në drejtimin që i ka përkushtuar vetes, pasi çdo ambienti e çdo kënge ia jep shijen, e bën që gjithmonë ta ruajë freskinë dhe modelin e vetë. Me kohë ka qenë e ditur ajo se Gjakova ka rritur njerëz bujarë, fisnikë e rigorozë ndaj antivlerës e shëmtimit të së bukurës, e këtë na e vërteton edhe mjeshtri i klarinetës Adriatik Lota. Ai e nis karrierën që në moshë të fëmijërisë, ku që nga ajo kohë muzikës së mirëfilltë i ka lëshuar një rreze të argjendtë, e cila shndrit anë e kënd Shqiptarisë. Për profesionin dhe jetën e tij private ju ftojmë ta lexoni intervistën e tij enkas për portalin më të madh të muzikës shqipe TeksteSHQIP.com! Lexim të këndëshëm...

TeksteShqip: Adriatik, të gjithë e duan dhe e vlerësojnë talentin dhe punën tënde. Na flisni pak se si erdhi deri aty që ti të jesh mjeshtri i klarinetës?

Adriatik Lota: Unë kam nisur të mirrem me muzikë që në moshën 9 vjeçare, në shkollën fillore të muzikës "Prenk Jakova" në Gjakovë, me profesorin tim shumë të respektuar e tash të ndjerë, Frrok Selin. Sa i përket shtytjes që të vazhdoj në hapat që nisa, ishte familja ime, e cila m'i plotësoi të gjitha kërkesat e nevojshme që unë të mirresha me muzikën, e këtu unë mund të veçoj ndihmesën e vëllait tim Atdheut, i cili që në atë kohë ishte muzikant në vend dhe Evropë, edhe të kushërinjve e shokëve muzikantë. Do të kisha thënë që për t'u bërë një muzikant i mirë kërkon shumë punë, mund e përkushtim.

TeksteShqip: Pse zgjodhët orkestrin "Vllaznim Buxhovi"?

Adriatik Lota: Unë, gjatë gjithë kohës isha duke ushtruar profesionin tim, në qytete e shtete të ndryshme, ku në ndërkohë më bëjnë ftesë orkestri i "Vllaznim Buxhovit" dhe dëshira e shumë artdashësve qe arsyeja që une të bashkangjitem me këtë ekip. Shumë herë më patën thënë ekipi i "Vllaznim Buxhovit" dhe rrethi shoqëror se pse nuk kthehesh në Gjakovë të perzantosh qytetin tënd, e pasi kisha kërkesë të vazhdueshme, vendosa që të kthehem e të vazhdoj në vendlindje me ekipin që te ne e quajnë "Barcelona" (qesh).

TeksteShqip: Kush e bëri përzgjedhjen e instrumentit, dëshira apo rrethanat?

Adriatik Lota: Përzgjedhjen e bëra vetë, por pa iniciativën e babait, pasi ai si prind mendonte se mos do ndodhë diçka me mushkëritë. Përndryshe bëra mirë që e zgjodha vetë !

TeksteShqip: Në lidhje me Zenel Dolin dhe Shkëlzen Jetishin, si bashkëpunëtorë që i keni, çka mund të veçoni?

Adriatik Lota: Po Xeni dhe Zeneli, siç e din të gjithë se përveç se janë shumë të thjeshtë dhe të dashur, janë dhe legjenda të gjalla të muzikës popullore shqipe, janë fanatikë dhe mbrojtës të mëdhenj sa i përket këngës shqipe. Bashkëpunimi me to (haverat që i quaj) daton që nga viti 2009, ku vazhdojmë të sjellim këngë e hite të reja.

TeksteShqip: Kohët e fundit sa jeni i angazhuar me projekte të reja?

Adriatik Lota: Jam tepër i angazhuar dhe i përkushtuar shumë ndaj profesionit tim, pasi që jemi një ekip i ndërgjegjshëm dhe e marrim punën me shumë përgjegjësi.

TeksteShqip: Ju jetoni në Gjakovë. Na flisni pak për këtë qytet shekullor!

Adriatik Lota: Çka t'ju flas për këtë qytet të cilin të gjithë e njohin se ky qytet është "djep i kulturës" dhe mbrojtësi kryesor i muzikës së mirëfilltë shqipe. Mund të theksoj se Gjakova është ndër qytetet e vetme që nëpër dasma kërkon vetëm këngët e vallet e mirëfillta.

TeksteShqip: Po nga jeta private?

Adriatik Lota: Jam i martuar dhe kam dy fëmijë. Ndërkohë kam edhe një dyqan nusërie "Sherrihill Kosovarija", ku klientët janë ndarë tepër të kënaqur me shërbimet tona.

TeksteShqip: Dijmë se je tepër i shoqëruar me "haverat". A mund ta zbulojmë se kush janë këta "havera"?

Adriatik Lota: (qesh)! Haverët i kam të veçantë, e ata janë: i madhi Shkëlzen Jetishi, bashkë me "haverat" e Vllaznim Buxhovit, për të cilët lirisht mund të them se janë të pazëvendësueshëm.

TeksteShqip: Adriatik, faleminderit që pranove të jesh në intervistë me ne. Diçka për fund...

Adriatik Lota: Faleminderit portalit tuaj, e veçanërisht ty Arsim, e shfrytëzoj rastin për t'u uruar suksese të mëtejshme. Respekte për ju dhe dashuri për gjithë shiptarët kudo që janë!
(Arsim Kolari/Teksteshqip.Com)

Adriatik Lota, Mjeshtri I Klarinetës