>
BIOSHQIP
Biografia
Ai nuk është artist vetëm në skenat ku ngjitet për të performuar si këngëtar lirik! Me të njëjtin pasion dhe dëshirë, ai shkrin talentin e tij edhe në këndin e kuzhinës, ku prej 30 vitesh gëzon “stafetën” e kryekuzhinierit të familjes. Agim Duro, tenor i njohur dhe pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura, rrëfen se marrëdhënia me gatimin është gati si një “alkimi” e pa shpjegueshme me fjalë. Nuk e konsideron detyrim familjar, dhe as dëshirë për t’u shfaqur ndryshe në sytë e familjarëve apo njerëzve që e njohin… Nuk e quan mani, dhe as qëllim në vetvete! Për të, është thjesht kënaqësi! “Çështjen e gatimit e kam traditë familjare. Kam gatuar që fëmijë. Unë mendoj, se meshkujt janë kuzhinierët më të mirë në botë. Kjo sepse femrave u duhet që të impenjohen me shumë gjëra në shtëpi, kanë goxha detyrime, ndërsa burrat nëse vendosin të përgatisin një vakt e bëjnë me shumë përkushtim. Të njëjtën gjë bëj dhe unë, por jo në intervale të rralla. Prej shumë vitesh jam kthyer në amvisën dhe kuzhinierin besnik të shtëpisë”, tregon ai. Që në momentin që hyn në shtëpi, dhe deri kur finalizon misionin e tij prej kuzhinieri, Agimi është me shpirt dhe me “kokë” mbi sobën e gatimit. “Kam mbi 20 vjet në skenë, dhe na janë holluar telat nga puna. Vetëm gatimi më ç’lodh mua, madje më argëton. Është një kënaqësi e pa rrëfyer, kur pjesëtarët e familjes apo të ftuarit e ndryshëm mbarojnë se ngrëni dhe kurrë nuk harrojnë të shprehin: “Të lumshin duart”. Agimi është gati maniak pas anës estetike të tryezës së ngrënies. Kërkon më ngulm që gjithçka të jetë në vendin e vet, pasi edhe ajo ndërprerja e vogël apo të çuarit nga tavolina për të marr; kripën, lugën apo gotën e ujit është një shpërqendrim nga shijimi i asaj që serviret. I pëlqejnë ngjyrat, i pëlqejnë kombinimet interesante, por e para vjen shija! “Që në momentin që e konceptoj çfarë do bëj për nesër, i futem psikologjikisht gjithë procesit. Kombinoj shijen time me atë të familjarëve të tjerë. Nëse kanë ngrënë një ushqim të thatë një ditë më parë, përgatis gjëra të lëngshme ditën vijuese. Kujdesem për vlerat ushqyese, cilësinë e duhur dhe të gjitha këto më kënaqin…”. Menyja e ditës për dy vajzat dhe bashkëshorten e Agimit, është në shumicën e ditëve “surprizë”. Preferon kuzhinën italiane, atë orientale, ndërsa perimet e ziera nuk i ndan nga tavolina. E gjithë familja përpiqet të ushqehet, dhe jo të konsumojë sasi të mëdha. Kjo është “A”-ja në menynë e ditës në familjen Duro. “Të gatuarit nuk më është kthyer në rutinë, apo më keq akoma të më vijë në majë të hundës. Psikologji Terapi në kuzhinë Është diçka ku unë gjej veten, duke shkarkuar lodhjen e ditës apo të punës. Për të qenë i vërtetë, përgatitja e asortimenteve është pak bezdisëse, por në fund e realizoj recetën me sukses. I besoj shpeshherë fantazisë, por edhe librave të kuzhinës. Tani jam kthyer në kuzhinierin e zgjedhur të familjes, si dhe të sime mbese Alketa Vejsiut. Në fillim të jetës së saj familjare, ajo më merrte shpesh në telefon për të më pyetur për gatimin, recetat, përbërësit….Si një njohës i mirë dhe gustoz i kuzhinës, e ndihmoja me shumë kënaqësi, ndërsa sot ajo është kthyer në një amvisë të talentuar dhe shumë të zonjën”, shprehet Agimi. Për të shoqen, Fjorentinën, kjo është një “dhuratë” e përjetshme të cilën i shoqi ka pranuar ta realizojë me shumë kënaqësi. Nuk është e rastit kur Agimi pohon se “në art kam kaluar vite të tëra, ndërsa kuzhina është arti i jetës sime”!

Me një ngjyrim zëri cilësor, Agim Duro u evidentua në jetën artistike shqiptare, që në vitet e shkollimit pranë Institutit të Lartë të Arteve, sot Universiteti i Arteve. Ai ishte një nga solistët e grupit muzikor, aq të njohur në atë kohë, ‘Na bashkoi kënga popullore’, grup që solli një frymë të re në muzikën e përpunuar shqiptare dhe që dha mbi 1500 koncerte të muzikës popullore shqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë. Pas diplomimit, Agim Duro u përfshi edhe në role të ndryshme në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku vazhdoi rrugëtimin e tij artistik, me një eksperiencë të gjatë pune si solist i parë në të. Agim Duro ka qenë i përkushtuar, në përgatitjen muzikore e skenike, duke u bërë një ndër artistët më të njohur e më të dashur të Teatrit të Operas e Baletit. Agim Duro ka një kontribut të rëndësishëm edhe në fushën pedagogjike, së pari në Liceu Artistik ‘Jordan Misja’ e më pas, pranë katedrës së kantos në Universitetin e Arteve, deri në përfundimin e këtij misioni pedagogjik, në Tetor të vitit 2020, me daljen e tij në pension

Në Dhjetor 1980, Agim Duro merr pjesë në Festivali I 19-Të Në Rtsh me këngën "Besa Jone".

Në Dhjetor 1980, Ylli Muco & Agim Duro marrin pjesë në Festivali I 19-Të Në Rtsh me këngën "Përpara Ecim Me Partinë".