>
BIOSHQIP

(1937-2021)

Biografia
Agim Krajka lindi në një familje me origjinë dibrane. Babai i tij ishte i apasionuar pas muzikës, dhe si amator luante në disa instrumente muzikore si violinë, mandolinë, fizarmonikë. Dashuria dhe pasioni për muzikën tek Agimi lindën që në fëmijëri, të cilën ia ushqeu edhe vetë babai i tij. Fizarmonika u bë shkak që vajti në Shtëpinë e Pionerit ku filloi të merrej seriozisht me të. Në vitin 1963 Agimi fillon studimet për teori e kompozicion. Degën e Kompozicionit e ka kryer nën drejtimin e të madhit Çesk Zadeja. Në vitin 1964 kalon pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve popullore; në fillim si instrumentist e më pas si kompozitor e drejtues orkestre. Veprimtaria e tij muzikore është shumë e gjerë dhe përfshin një periudhë prej tri dekadash. Ka shkruar muzikë në shumë lloje dhe është bërë i famshëm si me muzikën e lehtë ashtu edhe më atë popullore, të përpunuar e orkestrale. Ka kompozuar mjaft pjesë orkestrale për fizarmonikë dhe me qindra këngë të muzikës së lehtë. Ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës deri në festivalet e fundit të pasviteve ‘90, duke filluar me këngën e famshme “Lemza”, kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961. Ai është nderuar me mbi 15 çmime të dyta, 3 çmime të treta dhe vetëm një çmim të parë në Festivalin e vitit 1987, me këngën “Nuk e harroj”, të kënduar nga motrat Libohova.

Krajka ishte kompozitori i shumë këngëve që këndohen ende edhe sot nga publiku apo në skena të ndryshme muzikore, ndër të cilat mund të përmendet kënga e famshme “Lemza”, e kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961. "Sot nuk gjej frymëzim për të kompozuar. Muzika është bërë mekanike fatkeqësisht", shprehet Krajka. Sipas tij, krijimtaria do një ngacmim, të cilin jo se ai nuk e ka, por sot çdo kush mund të krijojë, ndërkohë që artisti Krajka shprehet se dëshira e tij është që çdo njeri tek këngët e tij të gjejë diçka.

Kolegët e tij e vlerësonin atë si një artist të përmasave të mëdha që ka sjellë vlera unikale në muzikën e lehtë shqiptare dhe atë popullore. Këngëtarja Irini Qirjako kujton se në fillimet e karrierës së saj mahnitej tek shikonte duart e tij tek i binin fizarmonikës. “Agim Krajka është një krijues artistik i jashtëzakonshëm. Vlerat e tij janë unikale dhe nuk përsëriten”, tha Qirjako.

Pasi Krajka u kthye në Shqipëri, një fakt që e lumturoi Qirjakon pasi aifilloi të japë mësim dhe nga duart e tij dalin artistë të talentuar. “Krajka është njohës i shkëlqyer i trevave shqiptare dhe ka shkruar me mjeshtëri vallet dropullite, çame, tropojane, etj”, u shpreh Irini Qirjako. Në aktivitetin e zhvilluar në kuadër të ditëlindjes së Krajkës, Bujar Kapexhiu u shpreh se ai është nga kompozitorët që kanë bërë epokë. “Krajka është shkollë e krijimtarisë muzikore shqiptare në muzikën e lehtë dhe atë popullore”, tha Kapexhiu. Zhani Ciko, ndër të tjera vlerësoi meritën e Agim Krajkës në emancipimin e muzikës shqiptare, duke filluar nga dalja në skenë e muzikës shqiptare në Festivalin e parë të muzikës së lehtë shqiptare. “Në piramidën e pionierëve të muzikës shqiptare Agim Krajka është në majë”, tha Ciko.

U nda nga jeta në moshën 83-vjeçare dhe lajmin e ka bërë të ditur djali i tij, Ulis Krajka, i cili shkruan: “Uroj që shpirti yt të pushojë në qiell babai ynë i dashur”.