>
LETERSISHQIP

Vjen Koha E Shtyrë Për Më Vonë

Vjen koha e shtyrë për më vonë –
me horizonte të rrafshuara në muzg
e parajsa të platitura në qoshe…

Me njëmijë arsye të kundërshtuara
M’i rrëzove Zot, sajesat prej drite.

Të mbyllur në shirit të zi,
zarfat e bardhë
e kanë një pullë vezulluese
prej gjaku të freskët.
M’i ruaj, Imzot i ngushëllimeve
adresat ku unë vdiqa. Thuajse
janë tharë lotët e fshehtë
dhe tmerrin e kuptimit e çuan
nën hijen e një dinjiteti të egër.

Por do piqen kallinj të artë
e për pluhur do shkunden
me tinguj të mbytur në ëndërr.
Buka do thyhet vazhdimisht në mes:
andej rrjedh gatesa jonë
kjo cilësi e trishtë
që mënd mishin e foshnjave
me qelqe të krisura në gjak.

1994