>
LETERSISHQIP

Dëbora E Plakur

Bënte vite që kur s'kishte rënë dëborë
Në rrugët e qytetit tim të brishtë
Si grua në moshë kur i shkrep për dashnorë
Me mallin e një kohe të trishtë.

Shtriu krahët e bardhë me mjegullën si tis
Kjo grua e gjorë mbi të virgjërin qytet
U hodh përmbi të, e zhultë edhe pis
U gdhi e u ngrys, u ngri e u tret.

Bënte vite që kur s'kishte rënë dëborë
Dhe u pa atë ditë me flokët e plakur
Nuk di pse zgjodhi qytetin tim për dashnorë
Tek shkriu mbi të, e pistë dhe e lagur.