>
BIOSHQIP

Albulena Ukaj: S’kam Kohë Të Merrem Me Teodoran

04-06-2013
Plagjiatura tashmë si duket është bërë një lloj “trendi” të cilën po e përdorin edhe këngëtarët e nacionaliteteve të tjera. Tani jo vetëm këngëtarët tanë marrin nga të tjetër, por edhe të tjerët marrin nga ne. Dhe kjo ka ndodhur me këngëtaren bullgare Teodora e cila ka “huazuar” këngën “Nuk të jap afat” të këngëtares shqiptare, Albulena Ukaj.

Kënga “Nuk të jap afat” është lansuar nga Albulena në fillim të vitit 2012, ndërsa kënga “Mina Mi Chasat” është lansuar gjatë këtyre ditëve. Albulena nuk ndjehet e shqetësuar për këtë fakt, sepse siç thotë edhe vetë ajo, kënga e saj është plasuar në treg një vit më parë dhe se të gjithë e dinë që plagjiatura tashmë po përdoret nga shumë artistë.

Albulena nuk dëshiron të ankohet tek organet kompetente për këtë vjedhje që i është bërë, ngase sipas saj ende nuk funksionon ligji për të drejtat autoriale. Albulena në intervistën dhënë “Zërit” do të flasë më shumë për këtë çështje dhe projektet e saj muzikore.

- Si ishte reagimi juaj kur kuptuat që një këngëtare bullgare e ka “huazuar” një këngë tuajën?

- Në fakt nuk më erdhi mirë që këngëtarja bullgare e quajtur Teodora ka “huazuar” këngën time “Nuk të jap afat”, por kohëve të fundit plagjiatura është prezente te shumë artistë dhe tani kanë filluar edhe këngëtarët e huaj të marrin këngë nga ne. Kjo tregon se kënga shqipe dëgjohet dhe pëlqehet nga të tjerët. Kënga ime është e plasuar në fillim të vitit 2012 dhe atë së bashku me klip, ndërsa Teodora sapo e ka plasuar.

- Ke menduar të ankohesh tek autoritetet kompetente?

- Jo në fakt as që më shkon në mendje ta bëjë këtë, sepse në të vërtetë tek ne ende nuk funksionon ligji për të drejtat autoriale. Dhe unë në të shumtën e kohës jam në Zvicër dhe nuk kam kohë të merrem me gjëra të tilla. Unë kam biseduar vetëm me kompozitorin tim, Ardian Kastratin, i cili e ka realizuar këngën time. Unë biznesin tim e kam të lajmëruar dhe paguaj tatim. Pasi që në Zvicër jam shumë e angazhuar me mbrëmje muzikore nuk kam kohë të kthehem në Kosovë dhe të humb kohë për këtë vjedhje që ka bërë ajo këngëtare. Prandaj e kam lënë me kaq dhe nuk kam vazhduar më tutje.

- Kush janë bashkëpunëtorët tuaj të këngës?

- Producent i këngëve të mia është kompania “Eurolindi”, ndërsa bashkëpunoj me shumë kompozitorë të ndryshëm dhe tekstshkrues i këngëve të mia është Arsim Bunjaku.

- Çfarë zhanri kryesisht kultivoni?

- Kultivoj zhanrin e këngës Pop folk, por nganjëherë edhe mund të eksperimentoj edhe në disa zhanre të tjera.

- Cilën këngë e ke më përzemër?

- Kënga “Nuk të jap afat” vazhdon të jetë kënga më e mirë dhe që e kam më për zemër. Fillimin e karrierës e kam nisur para pak vitesh dhe kështu që kjo këngë më ka hapur shumë dyer të suksesit. Dhe në fakt para dy muajsh kjo këngë ka pas 2 milionë klikime në “YouTube” dhe sapo ka arritur këtë shifër të klikimeve, “YouTube” e ka fshirë këngën dhe tani kjo këngë nuk gjendet këtu. Arsyeja pse “YouTube” e ka larguar këngën, ka qenë për shkak se nuk kam pasur kanal timin në “YouTube” gjë që edhe unë nuk iu kam kushtuar rëndësi këtyre procedurave dhe kush ka dashur ka futur këngën time në kanal të tyre dhe kur ka arritur klikime të shumta “YouTube” e kanë hequr. Ndërsa tani kam bërë kontratë me “Arkiva Shqip” e cila bashkëpunon me “YouTube-n” dhe dy klipet që jam duke i punuar do të jenë në këtë faqe të njohur, pra në “YouTube”.

- Ndonjë plan për të ardhmen?

- Tani kam në plan dy këngë të reja të cilat do të plasohen bashkë me videoklipe dhe uroj që publiku t’i pëlqejë.
(K. Bajrami / zeri)

Albulena Ukaj: S’kam Kohë Të Merrem Me Teodoran