Tema: Poezi Për Atdheun

7 Prill 1939

Shtatë prill…
Kopilove o kopil
E u lute u këpute
Njëqind pash në dhe u fute!

Natyrisht një tradhëtor
Spor e fisit arbëror
E pret hasmin me daulle
Kur gjen ditën ta bën pulle!

Na e gjeti dhe na ra
Vret Shqiponjën që s'u vra
Nuk u vra dhe nuk do vritet
Poshtë-përpjetë me vrull vërtitet!

Ja dhe himni që na thuri
Himn'i zi i një qivuri:
"Eja, eja alala
Të na rrojë Duçeja
Duçeja guguçeja
Le të rroj' edhe flamuri
Sa për sy e për bela!"

I pabesi ta dij', pra
Ndër kasolle me një tra
Që nga Shkodra gjer në Dropull
Rron ai që i thon' popull!

Ajo dor' që rreh dybekun
Di ta mbush edhe dyfekun
Në se ditën çan ugar
Edhe natën thur litar
Thur litar e kalit grushtin
Dhe e var nga këmbët pushtin!

- poezi nga Ali Asllani


- Poezia u dërgua nga arsimdiber -

Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  4.9 / Votuan:  45