>
LETERSISHQIP

I Shkruaj Nënës Abë

I shkruaj nënës Abë (lirikë-poezi)

-Mua, personit tim si emigrant në Gjermani-

E di se letrën time, nënë,
Ti në dritare rri dhe e pret,
Teksa kjo natë kaq tinëzare
Këtu mbi Hannover nis dhe zbret.

Letrën tënde porsa e mora,
Përse ta fsheh, me lotë e lava,
Po ç`dreq jam, burrë a fëmijë
Që përmbi të kaq shumë qava?

Se mu kujtuan rrugët e shokët,
Skami e okupimi që rendte shtëpi n`shtëpi,
O nënë Ab, flokëbardha e ime,
Që me thonj të duarve na rrite ti!

Ja pse, sa mora letrën tënde
Lotët breshër aty më ranë,
Se Hannover-i mund të bëhet imi,
Po çfarë më duhet pa ty o nanë?

Se vjen nata,
Kush s`më mbulon,
Se vjen mëngjesi,
Kush nuk më zgjon,
Se më shtypë lodhja,
Kush s`më freskon,
Vjen dreka, darka,
Kush nuk më shtron.

Po mos ke frikë,
Në drrasë të kalbur
S`kam për të shkelur
Se jam yt birë,
Edhe gjithë Hannover-in
Për mua t`pyesësh
Ka për t`më njohur
Shqiptar të mirë!

Se përtej Hannover-it
Je ti, o nënë,
Se përtej Hannover-it
Është Kosova, është Shqipëria,
Se n`qoftëse s`rron
Njeriu pa zemër,
Ashtu s`rroj unë
Pa ju të dyja!

Aty n`dritare
Ku pret ti mbrëmjesh
Për ditë me mendje
O nënë kam ardhë,
E jam mbështetë
Mbi prehërin tënd
E t`i kam puthur
Flokët e bardhë!

Porse një ditë
Do vij patjetër
Edhe plot gjëra
Kam për të thënë,
Tani po e mbyll
Edhe ktë letër,
Të puth duart
Përjetë, o nënë!
Hannover, Verë / Vjeshtë 1992

DËRGOI: